Hutbeja e Bajramit të Kurbanit – 2020

2108

E falënderojmë Allahun e Plotfuqishëm, që na mundësoi ta presim edhe një Bajram të Kurbanit – festën e haxhillëkut dhe kurbanit.

I dërgojmë salavat Pejgamberit tonë të dashur Muhamedit a.s. familjes së tij, shokëve të tij dhe të gjithë atyre që ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Të dashur vëllezër besimtarë!

Sot është ditë dhe festë e madhe për besimtarët muslimanë të mbarë botës.

Allahu ju bekoftë e ju shpërbleftë me dhuratat e tij të cilat i shpërndanë me rastin e kësaj feste, ua gëzoftë Allahu zemrat dhe ua plotësoftë dëshirat!

Sivjet, këtë bajram – këtë festë, për shkaqet tashmë të njohura të pandemisë, po e shënojmë ndryshe nga vitët e kaluara.

Ritualin e kurbanit me ndihmën e Zotit do ta kalojmë me kushte normale – Allahu na e pranoftë këtë ibadet.

Ndërkaq, për detyrën e haxhillëkut, e lusim Allahun e Plotfuqishëm, që nga viti ardhshëm ta kthejë në normalitet kryerjen e tij për muslimanët e mbarë botës! (Tekbir- 1)

(الله أكبر الله أكبر ، لا إله إلا الله، والله أكبر، الله أكبر، ولله الحمد)

Vëllezër të dashur!

Urimet dhe dëshirat tona le të shoqërohen me pajtim ndërmjet veti me ata që jemi të hidhëruar, çfarëdo që të jetë arsyeja e hidhërimit. Nuk bën të mbahet inat më tepër se tri ditë. Vetëm në emër të Allahut mund të mbajmë hidhërim e inat! Nëse ofendohet Allahu, feja, shenjtëritë fetare etj. (Tekbir – 2)

(الله أكبر الله أكبر ، لا إله إلا الله، والله أكبر، الله أكبر، ولله الحمد)

Besimtarë të respektuar!

Feja jonë e lartë, veçanërisht festa jonë e sodit, na porosit që të bëhemi solidarë. Gostitë e bajramit le t’i bëjmë sa më të thjeshta, pa harxhime të tepërta. Këtë na e imponon edhe situata në të cilën ndodhemi të gjithë. Sepse një numër shumë i madh i xhematit tonë janë në pozitë të palakmueshme. Të mundohemi e ta bëjmë shprehi që duke hequr dorë nga disa adete dhe harxhime të tepërta, t’u ndihmojmë atyre njerëzve të cilët nuk i kanë të plotësuara as nevojat elementare për jetë. Ky është obligim fetar dhe është detyrë patriotike.

Pra, pajtim ndërmjet veti, urimet e ndërsjella dhe solidarizimi janë pjesë e mënyrës që duhet ta përmbajë festa islame, kurse formën e plotë të saj, e gjejmë në traditën e sahabëve të Pejgamberit a.s. (Tekbir – 3)

(الله أكبر الله أكبر ، لا إله إلا الله، والله أكبر، الله أكبر، ولله الحمد)

Vëllezër të dashur!

Pjesën e jetës që na ka mbetur, le ta shfrytëzojmë për të bërë edhe ndonjë vepër të mirë, dhe kështu t’i afrohemi Zotit tonë dhe ta fitojmë kënaqësinë e Tij. Le të fillojmë menjëherë! Sepse më vonë, do të jetë vonë.

I lutemi Allahut të Dashur, që të na jepë mendje në këtë kohë të krizave dhe pandemisë;

që neve dhe më të dashurit tanë, të na mbrojë nga varfëria dhe mosbesimi;

që të na jepë dituri të dobishme dhe furnizim hallall;

që ta lëshojë mëshirën e Tij, mbi të gjithë muslimanët kudo që janë;

që të na i pranojë kurbanet tanë dhe të gjitha veprat tona të mira;

që të na i falë mëkatet tona;

që të na mbrojë nga xhehenemi dhe të na çojë në xhenetin e bukur. Amin!

Ju dëshiroj ditë të begatshme dhe uroj që – me vullnetin e Allahut – festën e Bajramit ta kaloni me shëndet dhe gëzim me më të dashurit tuaj!  

Ju uroj nga zemra, me fat ju qoftë Bajrami i Kurbanit!

31.07.2020.           Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress)