Kujtimi i shpeshtë i vdekjes …

2355

Kujtimi i shpeshtë i vdekjes është një nga medikmentet për sëmundjen e imanit tonë dhe dobësisë së tij. Pejgamberi (savs), ka thënë: “Shpesh kujtoni atë që i ndërpret të gjitha kënaqësitë, dmth vdekjen!” (Tirmidhi)

Ndër të tjera, neve më së shumti vdekjen na e kujtojnë varrezat, të cilat është sunet që t’i vizitojmë, madje edhe atëherë kur nuk e varrosim dikënd. Pejgamberi (savs) ka thënë: “Unë ju pata ndaluar t’i vizitoni varrezat, por tani e tutje vizitoni ato, sepse ua zbusin zemrën, ua lotojnë syrin, ua kujtojnë ahiretin…!” (Hakimi)

Muslimani i vërtetë përfiton dhe e kujton vdekjen edhe kur t’i shikojë varret e pabesimtarëve jo-muslimanë, e lëre më varret e muslimanëve. Transmetohet se Pejgamberi (savs) e vizitoi varrin e nënës së tij dhe me atë rast qau, ku bashkë me të qajtën edhe njerëzit përreth tij, të cilëve ju tha: “Unë kërkova leje nga Zoti im që të kërkoj falje për të (nënën time), dhe Ai nuk më lejoi, pastaj kërkova që të më lejojë ta vizitoj varrin e saj, dhe më lejoi; vizitoni varrezat, sepse ato me të vërtetë jua kujtojnë vdekjen!” (Muslimi)

Vizita e varrezave është një nga mënyrat më të efektshme për ta zbutur zemrën dhe për ta  përkujtuar ahiretin, dhe, përveç të gjallit që ka dobi nga vizita, në atë moment, edhe të vdekurit që janë në varre do të përfitojnë nga vizita jonë, nëse bëjmë lutje tek Allahu për ta. Këtu bëjnë pjesë edhe këto fjalë të Pejgamberit (savs), i cili ka thënë: ‘Es-selamu’ alejkum o banorë të varreve, besimtarë dhe muslimanë; Allahu i mëshiroftë ata që kanë ardhë të parët dhe ata që do të vijnë më vonë. Edhe ne do t’ju bashkohemi së shpejti!’ (Muslim)

Muslimani duhet t’i respektojë adabet dhe bontonin e përcaktuar edhe kur shkon t’i vizitojë varrezat. Para së gjithash, në pyetje është nijeti i sinqertë, dmth. që njeriu me këtë veprim të dëshirojë vetëm kënaqësinë e Allahut, që me këtë vizitë të dëshirojë t’i përmirësojë dobësitë e zemrës së tij, të mendojë për jetën e atyre që në atë moment gjenden të shtrirë nën tokën të cilën po e shkel, si dhe të sjell ndër mend se ata të vdekur i kanë lënë shtëpitë, familjet dhe miqtë e tyre.

Vizitori i varrezave duhet të mendojë për të afërmit dhe të dashurit e tij, të cilët janë larguar nga kjo botë, atëherë kur janë furnizuar më shumë për të jetuar në të. Atëherë kur njeriu ka bërë më shumë para, familje dhe pasuri, përvojë me vite dhe njohuri, atëherë të gjitha shpresat i kanë ra në ujë – as paratë, as pasuria, as familja, dhe as miqtë nuk kanë mundur ta shpëtojnë nga balta dhe pluhuri i zakonshëm! Njeriut toka ia mbush gojën, krimbat ia copëtojnë trupin. Gratë mbesin të veja, fëmijët mbesin jetimë, nga vdekja nuk ka asnjë mbrojtje.

Kujtimi i vdekjes, e detyron njeriun që sa më shumë ta kalojë shëndetin dhe rininë e tij në hajrate dhe vepra të mira, dhe sa më shumë që të jetë e mundur, të distancohet nga gjithçka që e largon nga Allahu, nga çdo lojë dhe argëtim i panevojshëm, sepse të gjithë duhet të udhëtojmë në atë rrugë. Prandaj, secili prej nesh, le të kontrollojë se a i kemi të gatshme vizat dhe pasaportat, se a kemi para dhe furnizime të mjaftueshme për udhëtim, se a është rruga e sigurt, sepse ndoshta ndonjë hajdut rrugor mund të na grabit!

Le të mendojmë për të vdekurit tanë, të cilëve u janë ndarë gjymtyrët nga trupat e tyre… sepse edhe ne një ditë do të jemi si ata …

Kush e kujton vdekjen rregullisht, do të nderohet me tri gjëra: (1) me tevbe dhe pendim të shpejtë, (2) me përulësi të zemrës, dhe (3) me përkushtim në ibadetin e Allahut. Ata që e harrojnë vdekjen do të ndëshkohen me tri gjëra: (1) do ta shtyjnë tevben dhe pendimin, (2) nuk do të jenë të kënaqur, dhe (3) do të jenë përtacë ndaj ibadetit dhe robërimit për Allahun e Plotfuqishëm.

Ajo që gjithashtu ndikon dukshëm në besimin dhe fenë e njeriut, është edhe shikimi i njeriut në momentin kur ai vdes, derisa e jep shpirtin e tij, derisa njeriu është në vuajtjet e vdekjes dhe në agoninë e vdekjes. Kjo gjendje e zmbraps njeriun nga shkuarja pas epsheve dhe pasioneve, nga harami dhe mëkati; kjo gjendje nuk lejon njeriun as të flejë, as të hajë, as të qëndrojë i qetë; kjo gjendje e detyron çdo njeri normal që të bëjë vepra të mira dhe hajrate, dhe të angazhohet për çështjet e ibadetit dhe fesë!

Hasan Basriu (r.h.) kishte shkuar për vizitë tek një i sëmurë, të cilin e gjeti në agoninë dhe vuajtjet e vdekjes. Ai i kujtoi dhe mendoi për mundimet që po i ndodhnin, dhe u kthye në familjen e tij i zverdhur  dhe krejtësisht ndryshe nga që kishte shkuar nga shtëpia e tij. I thanë: A dëshiron të hash diçka, Allahu të mëshiroftë? Hasani thotë: Oj familja ime, hani dhe pini ju, pasha Allahun, unë pash diçka për të cilën prej tani po filloj të përgatitem!

Ne do ta kujtojmë vdekjen në mënyrën e duhur, edhe atëherë kur e falim xhenazën, edhe kur të vdekurin e bartim në krahë deri te varri, edhe kur hedhim dhé mbi të – të gjitha këto na e kujtojnë jetën e përtejme dhe vdekjen e pashmangshme. Pejgamberi (savs) ka thënë: ‘Vizitoni të sëmurët dhe përcillni xhenazet deri te varri – kjo j’ua kujton ahiretin.’ (Ahmed)

Përveç gjithë kësaj, në përcjelljen e xhenazes ka shpërblim të madh, të cilin e përmend Pejgamberi (savs), me këto fjalë: “Kush e përcjell një xhenaze (duke besuar dhe shpresuar në shpërblim) nga shtëpia e saj derisa t’i falet namazi, do të ketë shpërblim të një kirati. Kurse, nëse e përcjell xhenazen deri te varri, do të ketë shpërblim prej dy kirateve! I thanë: ‘O i Dërguari i Allahut, çka janë ata dy kirate? Pejgamberi (savs) tha: ‘Shpërblim në madhësi të malit.” (Muttefekun alejhi)

Gjeneratat e para të muslimanëve dikur ua kujtonin vdekjen njerëzve të cilët i shihnin duke bërë mëkate. Tregohet se një herë një burrë bëri thashetheme për një tjetër, në prani të një muslimani, meqë rast ky reagon: “O vëlla i dashur, kujtoje momentin kur do të vendosin pambuk në gojë, në hundë dhe në sy, dmth, në momentin kur do ta lajnë xhenazen dhe të përgatisin për në varr!”

Ebu Hurejre (r.a.), kur e shihte ndonjë xhenaze duke e bartur në krahë, thoshte: ‘Shko te Zoti yt, se edhe ne së shpejti do të vijmë pas teje!”

Mekhul el-Dimeshki (r.h.), kur e shihte xhenazen thoshte ai pa varrosjen, ai do të thoshte: ‘Shkoni, edhe ne do të vijmë pas jush. Mësim i thjeshtë dhe i shkurtër, por pakujdesia shumë e madhe! I pari shkon, kurse i mbrami nuk merr mësim!’

El-E’ameshi (r.h.), thoshte: ‘Kemi marrë pjesë në varrime, ku nuk dihej kujt t’i shprehim ngushëllime, sepse të gjithë të pranishmit qanin.’

Thabiti (r.h.) ka thënë: ‘Ne kemi marrë pjesë në varrime, ku nuk kishte asnjë njeri që nuk ishte mbuluar me diçka, dhe qante – sepse ata e kujtonin xhenazen e vet, andaj ata nuk qanin për të vdekurin prezent, por për veten e tyre!’

Me të vërtetë është e habitshme (me njeriun) – krijesën, caku i së cilës është vdekja, shtrati i së cilës është varri, shoqërues të tij janë krimbat, vizitorë i ka Munkerin dhe Nekirin, shtëpi e ka varrin, vendbanim brendësinë e tokës, ditë të takimit e ka Ditën e Gjykimit, dhe vendqëndrim të fundit e ka xhenetin ose xhehenemin… si nuk mendon aspak për këtë, dhe as nuk përgatitet për të gjitha këto!

Prandaj, le t’i mbajmë në mend të gjitha këto që u përmenden më lartë, le të marrim mësim ashtu siç kanë marrë ata para nesh, le të qajmë, sepse para nesh kemi momente të vështira, dhe le ta lusim Allahun e Madhëruar për mëshirë!

Vëllezër të nderuar, le të mendojmë mirë për vetveten, le ta dimë se do të vjen edhe momenti i vdekjes sonë, kur nuk do të mund të marrim frymë, prandaj le të bëjmë istigfar, dhe le të kërkojmë falje për veten tonë në mëngjes dhe në mbrëmje.

Allahu është Ai që mëshiron dhe udhëzon në rrugë të drejtë!

 //Autor: Sead ef. Jasavić, Përshtati: Miftar Ajdini