Jini falënderues në gjëra të thjeshta

1015

Një herë shkoi një njeri tek një i urtë dhe iu ankua për varfërinë e tij. I urti e pyeti: “A e kishe shitur shikimin tënd për 100 mijë monedha ari?” Njeriu i thotë jo. I urti sërish vazhdoi: “A e kishe shitur të dëgjuarit tënd për 100 mijë monedha ari?” Njeriu sërish thotë jo. Mandej i urti vazhdon ta pyes për duart, këmbët, shëndetin shpirtëror dhe të gjitha pjesë t e trupit. Çdo herë njeriu përgjigjet negativisht. Atëherë i urti i thotë që pasurinë e tij e vlerëson në disa milionë monedha ari.”

Mandej i thotë: “Në supet tua ke një borxh të madh, sepse pasuria yte të bën borxhli. Kur e ke ndërmend të falënderohesh? Në vend të kësaj, ti akoma ankohesh. Krijuesi yt në të vërtetë është  Falës dhe Bujar.”

Personi i cili nuk ka brenga, është i sigurt në shtëpinë e tij, është i shëndosh dhe kënaqet me ushqimin që posedon dhe është i kënaqur me jetën e tij në përgjithësi.. Kënaqësitë e përditshme e kanë ëmbëlsinë e vete, siç janë kalimi i kohës me familjen apo ushqimi i thjeshtë. Atmosfera e këndshme vjen nga relaksimi, ndjenja e sigurisë, shëndeti i mirë që këto kënaqësi i bën të shijojnë akoma më tepër.

Në të kundërtën, nëse dikush posedon mjaftueshëm ushqim dhe pasuri, por jeton në frikë, nervozë dhe stres të vazhdueshëm, pasuria e atij ka vlerë të vogël. E njëjta vlen edhe për personin të cilin e ka goditur ndonjë sëmundje serioze fizike apo shpirtërore.

Për këtë i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush zgjohet i shëndoshë, i sigurt dhe ka furnizim për atë ditë, sikur ta ketë tubuar pasurinë e kësaj bote.”

Bekim i madh është të kesh mjaftueshëm ushqim, veshmbathje, strehë dhe t’i kënaqësh nevojat tua. Nuk ka asgjë të keqe deri sa mundohesh t’i sigurosh ato gjëra në mënyrë të lejuar, sepse Allahu i shpërndanë ato mirësi tek robërit e vet ashtu siç dëshiron. Për disa njerëz është shumë më mirë të jenë të pasur, sepse harxhojnë për të varfërit dhe nevojtarët. Ndërsa në të njëjtën kohë janë të nënshtruar dhe falënderues për atë që iu është dhënë.

Asnjëherë nuk duhet harruar se Allahu na dhuroi shëndet, mendje, ushqim, pasardhës, shikim të bukur, vitalitet në rini dhe arsye të shëndoshë. Shumica prej nesh këto gjëra i konsiderojmë si të garantuara dhe nuk i njohin si dhuratë nga Allahu i Madhëruar, përveç atyre zemrat e të cilëve jetojnë në fe dhe janë mirënjohës për gjërat e përditshme. I Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Allahu është i kënaqur me robin e Tij i cili i shpreh falënderim për ushqimin dhe pijet.”

Falënderimi jonë shprehet përmes mirënjohjes së bekimeve të shumta. Qoftë për shëndetin dhe fuqinë, sigurimin, ushqimin dhe pijet, strehën mbi kokë, veshmbathjet dhe gjërave e tjera për një jetë normale.

“E të mbaheni fort mbi to, e pastaj t’i kujtoni dhuntitë e Zotit tuaj dhe të thoni: “Qoftë lavdëruar Ai që i nënshtroi këto për ne, se vetë ne këto nuk do të mund t’i kishim nën pushtet dhe ne, me siguri, do të kthehemi te Zoti ynë!” [EZ-ZUHRUF, 13-14]

Uji që e pimë, ajrin që e thithim, veshët me të cilët dëgjojmë, sytë me të cilët shohim, mendjen me të  cilën rezonojmë, zemrat me të cilat ndjejmë, të gjitha këto janë dhunti që na dhuroi Allahu, pa marrë parasysh nëse i kuptojmë ne ato apo jo. Duhet të jemi të vetëdijshëm për këto mirësi, ta falënderojmë Allahun dhe ta evitojmë mosmirënjohjen. Kur ne jemi falënderues dhe mirënjohës për bekimet e Tij, Ai akoma më tepër i shtonë ato. Nëse jemi mosmirënjohës, atëherë ato mirësi largohen prej neve. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe shpalli dhuntitë e Zotit tënd!” [ED-DUHÂ, 11]

Një prej gjërave më të mira që mund të na dhuroj Allahu është zemra mirënjohëse. Kështu ne jemi pamasë të nderuar meqë kemi stabilitet në jetët tona, harmoni në familjet tona dhe qetësi në zemrat tona!

Autor: Selman el-Aude
Përktheu: Lutfi Muaremi

[Isl@mpress.ch]