Sapo të përfundojë kjo krizë, do të mund ta kuptojmë vlerën e çastit që kemi!

694

Me vite të tëra ne kemi ikur nga vetja, dhe vetëm tani me paraqitjen e këtij ‘virusi’ arritëm ta ndalojmë veten nga ajo ikje.

Me vite nuk mund të gjejmë kohë të mbetemi vetëm, ta llogarisim veten dhe të ballafaqohemi me anët tona të ndritshme apo të errëta. Me vite e mashtrojmë veten se nuk kemi kohë ta takojmë mik apo një të afërm, të bisedojmë pa shikuar në orë, të këmbejmë mendime dhe ndjenja, sepse kjo botë ec përpara me lëvizje të frikshme dhe mendojmë se po të ndalemi, erdhi fundi. Tani e shohim që e gjithë kjo ishte vetëm një gënjeshtër.

Tani e kuptojmë që me kokën lartë dhe shikimin para, nuk duhet të na brengos asgjë, asnjë stuhi sepse ne vetes ia kemi bërë qëllim që asgjë nuk mund të na nxjerr jashtë binarëve dhe se jemi mbështetur Atij i Cili na krijoi dhe na furnizon pafund.

Me vite e bindnim veten se jemi jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe se pa ne gjithçka do të shkonte mbrapshtë, dhe tani kur shikojmë gjithçka nga anësh, e shohim që mu tani toka filloi të merr frymë dhe se vazhdoi të lëviz edhe pa praninë tonë.

Sapo të ndalojmë dhe të ndajmë pakë kohë, i vërejmë  të gjitha këto marrëzi jetësore që i kemi bërë, botë artificiale e cila na lodhi, bredhjet e pafundme dhe ndjenja e boshllëkut e cila nuk kalon…

Një herë sapo të kalojë kjo krizë do ta kuptojmë vlerën e çastit të cilin e posedojmë, ajrit të cilin e thithim, mundësive që na jepen, sepse do të jemi më pranë vetes, më të vetëdijshëm për ndjenjat dhe rëndësinë e njerëzve të cilët mbetën pranë nesh edhe në çastet e vështira.

Ndoshta do ta kuptojmë kotësinë e shqetësimeve që nuk sjellin asgjë, dhe krahasimet që na vrasin. Një ditë kur të gjitha kjo të mbarojë dhe t’i lidhim pjesët e enigmës në një tërësi të jetës, do të qeshim me veten për frikën e panevojshme që na preokuponte për çdo ditë.

Një urtësi të Mevlana Xhelaluddin Rumit qëndron: “Zemra jote ka madhësinë e një Oqeani. Shko e gjej veten, në thellësitë e tij të fshehura.”

“Kthehuni te Zoti juaj dhe nënshtrojuni Atij, para se t’ju vijë dënimi, sepse atëherë nuk do të mund t’ju ndihmojë kush. Ndiqni më të mirën e asaj që ju është shpallur nga Zoti juaj, para se t’ju vijë dënimi papritmas, pa e ndier atë.” (Zumer: 54-55)

L. Muaremi
[Isl@mpress.ch]