Trashëgimia e Pejgamberit s.a.v.s

1805

Duke ecur rrugëve të Medinës Ebu Hurejre (r.a.) vrapoi në tregun e Medines dhe me entuziazëm bërtiti: “Nxitoni në xhami, atje po ndahet trashëgimia e Pejgamberit (savs)!”

Kur njerëzit duke i lënë dyqanet e tyre hyrën në xhami, i gjetën disa duke falur namaz, disa duke lexuar Kuran dhe disa duke e mësuar (studiuar) biografinë e Pejgamberit (savs).

 Tregtarët iu kthyen Ebu Hurejres (r.a.) dhe i thanë: “O Ebu Hurejre, atje nuk po ndahet asgjë, duke i shpjeguar se çfarë gjetën.” Ebu Hurejre ju tha: “Ajo që keni gjetur atje, ajo është trashëgimia e Muhamedit (savs) e cila po ndahet atje!”

Pejgamberi (savs) umetit tij, ty dhe mua, nuk i ka lënë fusha, shtëpi, të holla dhe pasuri të tjera, por pasuesve të tij Alejhiselami iu ka lënë atë që ju sjell kënaqësinë e Allahu të Plotfuqishëm dhe ju siguron shoqërimin e Tij në xhenet. Për trashëgiminë e tij, Pejgamberi (savs) thotë: “Unë po ju lë dy – Librin e Allahut dhe Sunetin tim; nëse iu përmbaheni atyre – nuk do të devijoni.”

Sahabët e dëgjuan këtë mesazh me zë të lartë dhe të qartë, kurse unë dhe ti, a po e dëgjojmë këtë mesazh i cili na garanton kalim të sigurt nëpër jetën e kësaj bote deri në finish, i cili quhet xhenet?

Deri në finish, në xhenet, ne do të arrijmë nëse nga thesari i trashëgimisë së Pejgamberit (savs) Kuranin e marrim si udhëzim dhe udhërrëfyes në jetën tonë. Librin në të cilin nuk ka dyshim – Kuranin famëmadh – i Lartëmadhërishmi nuk e shpalli që vetëm ta mbajmë në vitrina në shtëpitë tona, por Allahu i Plotfuqishëm e ka shpallur që të na e rrëfejë rrugën e drejtë: “Me të vërtetë, ky Kuran udhëzon kah ajo që është më e drejtë…” (el-Isra’, 9)

Të mos merret Kurani nga thesari i trashëgimisë së Pejgamberit (savs), do të thotë të kalohet jeta në errësirë, shtëpia të shndërrohet në varr dhe të bëhet e panjohur për melekët. Kështu na mëson shembulli dhe mësuesi ynë Pejgamberi (savs), i cili thotë: “Mos i shndërroni shtëpitë tuaja në varreza. Shejtani ik larg nga shtëpia ku lexohet surja el-Bekare!”

“Me të vërtetë, shtëpia në të cilën lexohet Kurani shndrit për banorët e qiejve ashtu siç shndrisin yjet për banorët e Tokës.”

Prandaj, është detyra jonë, nëse nuk e kemi bërë deri më tani, që t’i mësojmë 28 shkronjat dhe të fillojmë të shoqërohemi me Kuranin, me këtë do ta mbrojmë veten dhe familjen, dhe do të kemi përfitim të madh edhe në këtë botë edhe në botën tjetër.

Dijetarët na transmetojnë: “Në shtëpinë në të cilën lexohet Kurani janë edhe melekët, kurse shejtanët largohen nga ajo shtëpi, ajo shtëpi bëhet e gjerë për banorët e saj dhe atyre ju rritet bereqeti, ndërsa në shtëpinë në të cilën nuk lexohet Kurani janë edhe shejtanët, kurse melekët largohen nga ajo shtëpi, ajo shtëpi bëhet e ngushtë për banorët e saj dhe atyre ju zvogëlohet bereqeti.”

Nëse ne e duam trashëgiminë e Pejgamberit (savs), atëherë duhet ta zbatojmë stilin e tij të jetesës. Ai që mendon për veten e tij se e don Pejgamberin (savs), ai nga çdo pjesë e jetës së tij do të nxjerr mësime dhe mesazhe, duke e ndryshuar veten dhe shoqërinë rreth tij, sepse neve rruga e tij jetësore na ka mësuar që me namaz ta forcojmë lidhjen me Allahun e Plotfuqishëm. Që me namaz ta zbukurojmë jetën tonë – ka qenë brenga e Pejgamberit (savs): “Kini frikë Allahun dhe kini kujdes për namazin!”, na ka porositur në çastet e vdekjes tij, sepse ai e ka kuptuar mesazhin e të Plotfuqishmit dhe neve na e ka përcjellur siç duhet: “Dhe, adhuroje Zotin tënd përderisa të arrijë gjendja e sigurtë (vdekja)!” (el-Hixhr, 99)

Zot i qiejve dhe i Tokës, zgjodhi që thirrja për namaz të fillojë dhe të mbarojë me fjalët “Allahu ekber”, që mua dhe ty të na kujtojë se Allahu është më i madh se çdo gjë që na largon nga namazi. Nëse neve ndonjë vepër na largon nga namazi, Allahu është më i madh se ajo vepër, nëse na largon nga namazi ndonjë takim me dikend, Allahu është më i madh se çdo takim, dhe takimi me Të është më prioritar. Nëse ndonjë problem na pengon dhe na largon nga namazi, atëherë Allahu është edhe më i madh se kaq. Allahu është edhe më i madh se gjithçka që ne e konsiderojmë të madh dhe që ne i japim rëndësi.

Të jesh nga ata që nuk e dëgjojnë thirrjen për namaz, të cilët nuk e falin namazin, do të thotë të jesh nga ata të cilët janë në humbje. Për këtë Pejgamberi (savs) na thotë: “Kush e lënë një namaz, sikur ta ketë humbur pasurinë dhe familjen.”

Nëse e pranojmë namazin, vetes tonë i kemi siguruar dritë, dëshmi dhe shpëtim në Ditën e Gjykimit, e kemi siguruar tiketën, sipas së cilës do të na njeh Pejgamberi (savs) në Ditën e gjykimit, sepse pasuesit e tij njihen sipas gjurmëve të sexhdes. Për këtë na flet Kurani: “I sheh ata si bëjnë ruku dhe sexhde duke kërkuar dhuntinë dhe kënaqësinë e Allahut. Në fytyrat e tyre shihen shenjat e sexhdes…” (el-Fet’h, 29)

Kurse Pejgamberi (savs) ka thënë: “Kush e ruan namazin, namazi i tij do të jetë dritë, dëshmi dhe shpëtim në Ditën e gjykimit.”

Me stilin e tij të jetesës, Pejgamberi (savs), na la amanet që t’i forcojmë lidhjet tona mes veti: “Unë ju këshilloj që të silleni mirë në mes veti” – na porositi para se të largohej nga kjo botë. Në çfarë gjendje janë marrëdhëniet tona reciproke? A jemi sot – që për veten tonë themi se e duam Pejgamberin (savs) dhe e ndjekim rrugën e tij – dhe pasues të tij të cilët i përshkruan Kurani me këto fjalë: “E, ata që janë me të (shokët e tij) janë të ashpër ndaj mohuesve, e të mëshirshëm në mes tyre.” (el-Fet’h, 29)

A po e jetësojmë mesazhin se tij, në të cilin Pejgamberi (savs) na ka thënë në mënyrë të qartë: “Besimtari me besimtarin janë si ndërtesa, elementet e së cilës janë të lidhur fort me njëri-tjetrin (dhe i lidhi gishtat e tij).”

A po e dëgjojmë sot – në kohën kur shumë shpesh jemi dëshmitarë të shfaqjes së divorceve – mesazhin nga thesari i trashëgimisë së Alejhiselamit: “Unë ju porosisë që me gratë të silleni mirë, Allahu ju ruajtë, Allahu ju ndihmoftë, Allahu ju mbrojtë dhe Allahu ju dhashtë të mirat.”

Pejgamberi (savs) shpirtin e tij e dha në krahët e gruas së tij hz. Ajshes (r.a.), duke pasur mundësi të vdes në namaz ose në betejë, por Allahu i Plotfuqishëm zgjodhi që i dashuri i Tij të vdes në krahët e gruas së tij. Ky është një mesazh për umetin e tij.

Ta pranojmë trashëgiminë e Pejgamberit (savs) do të thotë ta ruajmë martesën dhe së bashku me gratë tona të veprojmë mirë, të lexojmë Kuran, të falim namaz, ashtu që së bashku edhe fëmijët t’i edukojmë, sepse Pejgamberi (savs) na ka thënë: “Martesa është Suneti im, andaj kush largohet nga Suneti im, nuk është me mua.”

Nëse i pranojmë këto këshilla nga thesari i trashëgimisë së Pejgamberit (savs) – sot kur shpesh njëri-tjetrit i ankohemi se problemet e ndryshme na janë ngritur mbi jetën tonë, se nuk kemi lumturi, bereqet dhe rahati – atëherë rruga jetësore me siguri do të na ndriçohet, sepse nuk është e mundur që të lidhemi për Pejgamberin (savs), e që Krijuesi i botëve, të mos na nderojë me ato gjëra, me të cilat do të jemi të lumtur në këtë botë dhe në botën tjetër.

Thuaju (o Muhamed!): “Nëse ju e doni Allahun, ejani pas meje, atëherë Allahu ju do juve dhe ju falë mëkatet tuaja! Se Allahu është mëkatfalës dhe është mëshirues.” (Alu Imran, 31). 

Resul ef. Aliq; preporod.com

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress)