Viktima dhe të plagosur në shpërthimin masiv në Bejrut

602

Zjarri në një depo me eksploziv në Portin e Bejrutit shkaktoi shpërthimin masiv nga i cili sipas raportimeve të para humbën jetën dhjetëra persona dhe u plagosën mijëra të tjerë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Shpërthimi i sotëm gjithashtu ka shkaktuar dëme të mëdha materiale, njoftoi agjensia zyrtare e lajmeve në Liban.

Sipas të dhënave të para të Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, 50 persona kanë humbur jetën ndërsa mbi 2.500 të tjerë janë plagosur.

Depoja përmbante eksploziv që ishte kapur më parë, tha shefi i policisë libaneze.

Sipas raporteve fillestare, ish-kryeministri Saad al-Hariri, i cili jeton afër zonës ku ndodhën shpërthimet, thuhet se nuk është i lënduar.

Rezidenca e Al-Haririt, pronat e qeverisë, Xhamia Mohammad Al-Amin dhe ndërtesat përreth thuhet gjithashtu se kanë pësuar dëme të mëdha.

“Zjarri shkaktoi në shpërthime të mëdha që jehuan në kryeqytet dhe periferi”, thuhet në raportimin e agjensisë.

Gjithashtu bëhet e ditur se njerëzit janë bllokuar nën rrënojat pasi shpërthimi rrëzoi një ndërtesë trekatëshe në kryeqytet.

Guvernatori i Bejrutit, Marwan Abboud, i cili shpërtheu në lot derisa po fliste para gazetarëve në vendin e shpërthimit, e krahasoi shpërthimin me bombat e tmerrshme bërthamore të qyteteve japoneze Hiroshima dhe Nagasaki, ku u vranë përnjëherë qindra mijëra njerëz.

Më vonë gjatë ditës, burime afër grupit Hezbollah mohuan pretendimet se shpërthimi në Beirut ishte një sulm izraelit në depot e tyre të armëve.

Javën e kaluar, forcat izraelite bombarduan qytetin kufitar Kafr Shuba duke thënë se ata kishin parandaluar një përpjekje për depërtim nga Hezbollah, një pretendim që grupi e mohoi.

Shpërthimi vjen në një kohë kur ekonomia e Libanit po përballet me krizën e saj më të rëndë në dekada.

“Turqia qëndron pranë popullit të Libanit”

Zurtarë të lartë turq shprehën pikëllim pas shpërthimit masiv i cili goditi kryeqytetin libanez Beirut.

Zv/presidenti i Turqisë, Fuat Oktay, përcolli ngushëllimet e tij për popullin libanez, duke shtuar se Ankaraja ishte e gatshme për të ndihmuar.

Ministri i Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşoğlu, në një postim në Twitter u lut që Allahu të mëshirojë viktimat nga shpërthimi.

“Ngushëllime për popullin vëllazëror dhe miqësor të Libanit. Shpresoj që nuk do të ketë më humbje. Gati të ndihmojmë vëllezërit dhe motrat tona libaneze në çdo mënyrë”, shtoi Çavuşoğlu.

Ömer Çelik, zëdhënësi i partisë në pushtet, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), tha se qëndrojnë me popullin e Bejrutit në këtë kohë të vështirë.

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë ka bërë të ditur se dy shtetas turq kanë pësuar lëndime të lehta shkaku i shpërthimit.