Kujdesi për jetimët (bonjakët)

1980

Falënderimi është për Allahun e Plotfuqishëm, Zotin e të gjitha botëve. Salavati dhe selami qoftë për pejgamberin Muhamed (a.s.), për familjen e tij të nderuar, për sahabët dhe të gjithë pasuesit.

Vëllezër të respektuar! Tema e hutbes së sotme është: Kujdesi për jetimët.

Arsye e zgjedhjes së kësaj teme është fillimi i vitit të ri shkollor. Me këtë rast imponohet nevoja e kudesit të shtuar për fëmijët që nuk i kanë kushtet e mira për jetesë, ku bën pjesë edhe mundësia për blerjen e pajisjeve shkollore, e që në rend të parë janë jetimët. Andaj, nga të gjithë ne kërkohet që të shprehim solidaritet dhe tu ndihmojmë materialisht.

Allahu i Plotfuqishëm thotë:

أَرَأَيْتَ الَّذِي يُكَذِّبُ بِالدِّينِ ﴿١﴾ فَذَٰلِكَ الَّذِي يَدُعُّ الْيَتِيمَ ﴿٢

„A di ti për atë që e përgënjeshtron Ditën e llogarisë (e shpërblimit)? E ai është, i cili ashpër i dëbon jetimët.“ (el-Maun, 1-2)

Në këtë botë shqetësimesh dhe shprese, përveç të gjithë njerëzve të pafat të cilëve përpiqemi tu ndihmojmë, ekziston edhe një kategori, për të cilën, mbase, nuk interesohemi aq sa duhet, dhe ata janë jetimët. Për këtë, Allahu thotë:

كَلَّا ۖ بَل لَّا تُكْرِمُونَ الْيَتِيمَ ﴿17

 “Jo, jo! Por ju nuk po i respektoni jetimët.” (el-Fexhr, 17)

Kush janë jetimët?

Jetimët janë fëmijë, të cilët, për shkak të mungesës së kujdesit dhe dashurisë prindërore, privohen nga mënyra normale e jetesës.

Ekzistojnë tre lloje të jetimëve:

1 – Fëmijët e mbetur pa njërin ose pa të dy prindërit, në mënyrë të natyrshme (me vdekje) ose në mënyrë të panatyrshme (duke i marrë nga prindërit e tyre).

2 – Fëmijët, të cilët, prindërit e tyre i kanë braktisur, për shkak të gjendjes së dobët financiare ose për ndonjë arsye tjetër, dhe i kanë lënë në mëshirën e të afërmve ose të shtetit, domethënë, në shtëpi për fëmijë të braktisur.

3 – Fëmijë, të cilët prindërit e tyre i rrisin pa fe, përkatësisht, pa vetëdije për Zotin.

Ajo që është karakteristike për të gjitha llojet e jetimëve është se, për shkak të kushteve të tyre të jetesës, ata kanë fëmijëri të vështirë dhe shumë prej tyre bien në shoqëri të keqe, ku fillojnë të marrin drogë, alkool, përfshihen në prostitucion dhe gjëra të tjera shkatërruese, të cilat janë të dëmshme si për vetë ata, ashtu edhe për tërë shoqërinë.

Meqenëse feja islame kujdeset si për individin ashtu edhe për bashkësinë, përkatësisht, angazhohet edhe për edukimin e bukur të njeriut, dhe gjithashtu për ruajtjen e rendit në shoqëri, kështu edhe Kurani edhe Suneti bëjnë thirrje për kujdesin ndaj jetimëve, dhe për këtë kujdes premtojnë shpërblim. Kurani, ndër të tjera, na urdhëron:

فَأَمَّا الْيَتِيمَ فَلَا تَقْهَرْ ﴿9﴾ – “Prandaj, mos e nënçmo jetimin!” (ed-Duha, 9)

Vëllezër të dashur!

Bota muslimane është plot me jetimë. Edhe vendi ynë është plot me jetimë. Kam dëgjuar që edhe në disa shtëpi të jetimëve nëpër Evropë ka fëmijë muslimanë. Natyrisht, ne të gjithë fëmijët i konsiderojmë tanët, sepse ata kanë lindur në Islam, por megjithatë, u japim përparësi atyre fëmijëve, që kanë lindur në familje muslimane. Ata janë vëllezërit dhe motrat tona, prandaj është detyra jonë që brenda mundësive t’i ndihmojmë ata. (…)

Le ta dimë mirë, se nëse ne nuk kujdesemi për ta, do të kujdesen misionarët e krishterë, të cilët, duke u organizuar udhëtime në vende të tjera, dhe përmes sigurimit të dëfrimeve të ndryshme nga prindërit artificialë, do t’ua ofrojnë dhe do t’ua bëjnë të dashur krishterimin, të cilin fëmijët tanë do ta pranojnë. Kjo është ajo që thonë faktet.

Vëllezër të respektuar!

Derisa meditojmë për këtë temë, le t’i kemi parasysh hadithet e mëposhtme të Pejgamberit (savs), të cilat flasin për begatitë dhe shpërblimet, të cilat do t’i fitojnë ata që kujdesen për jetimët. Le ta kujtojmë me këtë rast, se edhe Pejgamberi ynë (savs) ishte jetim.

Pejgamberi (savs), ka thënë: “A dëshiron që zemra jote të jetë e butë dhe t’i plotësosh dëshirat e tua? Atëherë bëhu i mëshirshëm ndaj jetimit, ledhatoje kokën e tij dhe ushqeje me atë që ushqehesh vet: zemra jote do të jetë e butë dhe çdo dëshirë e jotja do të përmbushet.” (Taberani)

Në një hadith tjetër, ai thotë: “Tek Allahu më e dashur është një shtëpi, në të cilën gjendet një jetim i përkujdesur.” (Taberani)

Më tej, Pejgamberi (savs) thotë: “Kush e ledhaton jetimin në kokë – dhe atë e bën vetëm për hir të Allahut – për çdo fije floku që ledhaton, ai do të ketë 10 shpërblime; kush bëhet i mirë me jetimin që gjendet tek ai, – unë dhe ai do të jemi bashkë në xhenet, si këta dy gishta.” – duke treguar me gishtin e mesëm dhe gishtin tregues. (Ahmedi, Taberaniu, Bejhekiu)

Përveç shpërblimit për kujdesin ndaj jetimëve, Pejgamberi (savs), ka premtuar shpërblim edhe për kujdesin ndaj të vejave – nënave të jetimëve: “Kush kujdeset për të vejat dhe të varfrit, do të jetë sikurse luftëtarët në rrugën e Allahut, dhe sikurse ai që falet natën dhe agjëron ditën.” (Muttefekun alejhi)

Vëllezër të dashur!

Kujdesi për jetimin apo për të vejen, sigurisht, se nuk është i lehtë. Kjo kushtëzohet nga shumë faktorë, nga mundësia financiare e njeriut, përmes pëlqimit të familjes së tij, e deri te miratimi nga ana e shtetit. Kjo është një temë, që nuk është e re, për të cilën, ndoshta, është dashur të flasim edhe më parë. Por, as tash nuk është vonë, sepse kjo gjithmonë është temë aktuale. Andaj, unë kërkoj nga vetja ime dhe nga ju, që edhe një herë me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, të reflektojme mbi këtë temë, gjithmonë aktuale.

I lutem Allahut të Plotfuqishëm, që të na udhëzojë në Rrugën e drejtë dhe të na jep vetëdije për rëndësinë e kujdesit ndaj jetimëve.

O Allahu i Mëshirshëm! Bëj që veprat tona më të mira të jenë veprat e fundit në këtë botë!

O Zot, ndihmoju të rrezikuarve që t’i realizojnë të drejtat e tyre!

O Zot, çliroje umetin nga pandemia, nga okupatori dhe nga sundimtarët e dhunshëm!

O Zot, mos na sprovo neve me atë që nuk mund ta përballojmë, mos lejo asnjëherë që të na poshtërojnë apo mposhtin pabesimtarët.       

O Zot, bëje që dita jonë më e lumtur të jetë dita e takimit me Ty! Dhe, me mëshirën Tënde na vendos në xhenetin e përjetshëm! Amin! 

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress)