Me bashkimin u UBISHZ dhe BISHZ themelohet Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër

1370

Në pasditen e së dielës, më 20.09.2020, në xhaminë shqiptare në Regensdorf, u mbajt Kuvendi i përbashkët i dy organizatave islame shqiptare, UBISHZ dhe BISHZ, me ç’rast kuvendarët dhe delegatët e rreth pesëdhjetë xhamive që prezantuan, në krye me dy kryesitë dhe përfaqësuesit e tyre, Hfz. Mehas ef. Alija dhe Fehim ef. Abazi, miratuan vendimin për bashkimin e tyre dhe formimin e organizatës së vetme fetare islame shqiptare në Zvicër, Komunitetin Musliman Shqiptar në Zvicër.

Kjo u realizua në një atmosferë vëllazërore, në prezencë të një numri të madh delegatësh, përfshirë kryetarë dhe anëtarë të kryesive të xhamive, së bashku me imamët e tyre, të cilët kishin ardhur nga të gjitha rajonet ku janë xhamitë shqiptare në Zvicër.

Gjithashtu, përveç disa vendimeve dhe miratimeve të rëndësishme që u morën në këtë mbledhje, u miratua vendimi që kryesia e re të formohet nga dy kryesitë e mëparshme, në krye të së cilës u zgjodh unanimisht, hfz. Mehas Alija.

Takimi përfundoi me faljen e namazit të akshamit, me ç’rast, pas namazit, xhamia nikoqire shtroi edhe një darkë solemne për të gjithë pjesëmarrësit në Kuvend.

Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër nën ombrellën e tij, tashmë, përfshin rreth 50 xhami shqiptare, nga e tërë Zvicra dhe se, si një organizatë e vetme fetare legjitime, tash e tutje, do të ec krahë për krah me kryesitë dhe imamët e xhamive, gjë që paraqet një plotësim të nevojës së kamotshme të shqiptarëve në Zvicër, ku do të ketë një subjekt të vetëm përfaqësues për të gjitha xhamitë dhe qendrat islame në vend.