Rastet me COVID-19 në mbarë botën tejkalojnë shifrën 34 milionë

465

Numri i të prekurve nga koronavirusi i ri (COVID-19) në mbarë botën ka shkuar në mbi 34 milionë.

Gjithsej 34.020.311 raste me virusin janë regjistruar deri më tani në mbarë botën, sipas faqes së internetit “Worldometer”, e cila përpilon të dhënat në lidhje me pandeminë. 

Numri më i madh i të infektuarve është regjistruar në SHBA, me gjithsej 7.420.300 raste deri më tani.

Dhjetë vendet në radhë pas SHBA-së janë India (6.287.238), Brazili (4.787.637), Rusia (1.176.286), Kolumbia (824.042), Peruja (811.768), Spanja (769.188), Meksika (738.163), Argjentina (736.609), Afrika e Jugut (672.572) dhe Franca (550.690).

Kurse në Shqipëri janë regjistruar në total 13 mijë e 649 të infektuar, prej tyre 387 kanë humbur jetën dhe 7 mijë e 847 janë shëruar.

Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë bërë të ditur se në 24 orët e fundit nuk ka pasur asnjë vdekje për shkak të koronavirusit, ndërkohë që deri tani janë konfirmuar gjithsej 15 mijë e 620 të infektuar, 625 prej të cilëve kanë vdekur dhe 13 mijë e 554 janë shëruar.

Mali i Zi ka raportuar gjithsej 10 mijë e 575 që nga fillimi i pandemisë COVID-19. Në mesin e këtyre rasteve, 164 pacientë kanë humbur jetën dhe 7 mijë e 2 janë shëruar.

Maqedonia e Veriut ka regjistruar në total 17 mijë e 977 të infektuar, 739 vdekje dhe 14 mijë e 959 të shëruar.

Pas shfaqjes për herë të parë në Wuhan të Kinës në dhjetor të vitit të kaluar, koronavirusi është përhapur në mbarë botën, ndërsa deri më tani jetën kanë humbur mbi 1 milion persona. Ndërkaq, rreth 25,3 milionë njerëz janë shëruar nga virusi.

(AA)