Dashuria e Pejgamberit s.a.v.s për njerëzimin

951

“Nuk jam dërguar të mallkoj, por jam dërguar si mëshirë për të gjitha botët.”

Kurani na njeh me personalitetin e Pejgamberit (savs), me fjalët e mëposhtme:

“Dhe, Na të kemi dërguar ty (o Muhamed!) vetëm si mëshirë për botët – njerëzit.” (el-Enbija, 107)

Nga ky ajet shohim se tipari i tij i veçantë është se ai ishte begati e mishëruar si në fjalë ashtu edhe në vepër.

Nga transmetimi i regjistruar në Sahihun e Muslimit mësojmë se sahabët i kërkuan Pejgamberit (savs), që t’i mallkonte armiqtë e tij kur ata e intensifikonin persekutimin e tyre. Në këtë Pejgamberi (savs), u përgjigj:

 “Nuk jam dërguar të mallkoj, por jam dërguar si mëshirë për të gjitha botët.”

Armiqtë e tij edhe më tutje silleshin me mizori dhe padrejtësi ndaj tij dhe ndaj shokëve të tij, kurse ai gjithmonë lutej për ta.

Me një rast ata hodhën aq shumë gurë në të, saqë gjaku rrodhi prej tij në të gjitha anët. Kjo i ndodhi atij në Taif, ku fisnikët e Hixhazit i kalonin ditët e tyre të verës. Kur ai u përpoq t’i thërriste ata në Islam, në vend që t’i dëgjonin fjalët e tij të mençura, ata i urdhëruan fëmijët nga rruga ta sulmonin atë, dhe ata e përndoqën atë deri sa ra nata. Madje edhe atëherë, në një moment lodhjeje të vërtetë dhe gjakderdhjeje nga koka te këmbët, gjithçka që tha Pejgamberi (savs), ishte:

“O Zoti im, udhëzoje popullin tim, sepse vërtet ata nuk dinë.”

Zemra e tij ishte e mbushur me dashuri të madhe për të gjithë njerëzimin, pa dallim nga klasa ose ngjyra e lëkurës. Ai një herë i këshilloi sahabët e tij që t’i shihnin të gjithë njerëzit si vëllezër dhe motra të tyre, dhe pastaj shtoi:

“Ju të gjithë jeni pasardhës të Ademit, kurse Ademi është krijuar prej balte.”

E gjithë kjo na tregon se çfarë lloj ndërgjegjeje Pejgamberi (savs), donte të zhvillonte tek njerëzit. Misioni i tij ishte që njerëzit gradualisht ta kuptonin realitetin se të gjithë burrat dhe gratë, janë vëllezër dhe motra nga gjaku, ndonëse banojnë në zona të ndryshme të botës, dhe ndonëse duken të ndryshëm nga njëri-tjetri për shkak të ngjyrës së lëkurës, gjuhës, veshjes, kulturës, etj. Pra, marrëdhënia e duhur midis të gjithë njerëzve do të vendoset vetëm nëse e shikojmë njëri-tjetrin si vëllezër dhe motra. Vetëm atëherë ndjenjat e vërteta të dashurisë dhe respektit do ta përfshijnë botën.

Në një hadith, Pejgamberi (savs), ka thënë:

“Besimtar i vërtetë është ai me të cilin të tjerët janë të sigurt, ai që urrejtjen e kthen me dashuri.”

Pejgamberi (savs), tregoi qartë se ai që vetëm dashurinë e kthen me dashuri është në një nivel më të ulët etik. Ne nuk duhet të mendojmë se duhet t’i trajtojmë të tjerët bukur vetëm nëse ata sillen mirë me ne. Ne, në fakt, duhet të jemi të mësuar të sillemi bukur ndaj atyre të cilët nuk sillen mirë me ne, dhe të mos i dëmtojmë ata që na kanë lënduar.

Në një hadith tjetër, Pejgamberi (savs), ka thënë:

“Pasha Allahun, nuk është besimtar, nuk është besimtar, nuk është besimtar, ai nga i cili fqinjët e tij nuk janë të sigurtë.”

Ky hadith na tregon se sa Pejgamberi (savs), i donte dhe kujdesej për të gjithë njerëzit. Një nga mësimet e tij është se ne me të tjerët duhet të jetojmë si lule, jo si therra, pa i dëmtuar të tjerët.

Edhe në një hadith tjetër, Pejgamberi (savs), ka thënë:

“Nëse besimtari nuk mund tu sjellë dobi të tjerëve, të paktën ai nuk duhet t’i dëmtojë ata.”

Nga kjo shohim se për Pejgamberin (savs), personi që u sjell dobi të tjerëve është në një nivel më të lartë të jetës. Por nëse njeriu nuk mund të jetë i dobishëm, të paktën, ai nuk duhet t’i dëmtojë njerëzit e tjerë. Për të qenë dikush rob i mirë i Allahut, ai duhet të jetojë në këtë botë si person që nuk u jep probleme të tjerëve. Nuk ka mundësi të tretë.

Për sjelljen e Pejgamberit (savs), na dëshmon Enes ibn Maliku (r.a.), i cili i shërbeu atij për dhjetë vjet. Ai ka thënë se Pejgamberi (savs) kurrë nuk e kishte qortuar. “Nëse do të bëja diçka, ai kurrë nuk do ta vinte në pikëpyetje mënyrën time të punës, ndërsa nëse nuk do të bëja diçka, ai kurrë nuk më pyeste se pse nuk e kam bërë atë.” Një sjellje e tillë i solli atij respekt edhe nga armiqtë e tij, ndërsa ndjekësit e tij ishin me të gjatë të gjitha fatkeqësive dhe vështirësive. Parimet mbi të cilat bazohej jeta e tij, ai zbatoi në mënyrë të barabartë si për ata që e ndiqnin, ashtu edhe për ata që e dëmtuan dhe nuk i dhanë mbështetje.

Në botën e sotme, kurrë plotësisht nuk mund të përputhen mendimet, shijet, dëshirat dhe antipatitë e të gjithë njerëzve. Në botë ka dallime për shumë arsye. Atëherë, cila është zgjidhja e përhershme e problemit? Zgjidhja është në tolerancë. Pejgamberi (savs), gjithë jetën e tij shërbeu si shembull i përsosur i këtij parimi. Gruaja e tij Aishja (r.a.), ka thënë se “Ai ishte personifikim i Kuranit.”

Kjo do të thotë se Pejgamberi (savs), jetën e tij e formoi në përputhje me shembullin ideal të jetës, të cilin ua paraqiti të tjerëve në Kuran. Ai kurrë nuk e ka goditur një shërbëtor, një grua apo dikë tjetër. Natyrisht, ai luftoi për atë që ishte e drejtë. Por kur do të duhej të zgjidhte midis dy gjërave, ai e zgjidhte rrugën më të lehtë, nëse nuk përfshinte mëkatin. Askush nuk ishte më i kujdesshëm se ai në shmangien e mëkatit. Ai kurrë nuk ka kërkuar hakmarrje në emrin e tij për ndonjë dëm që i ishte bërë atij personalisht. Vetëm nëse shkelej ndonjë prej urdhrave të Allahut, atëherë ai kërkonte ndëshkim në emër të Allahut. Sjellja e tillë i solli atij respekt universal.

Në periudhën e hershme mekase të Shpalljes, kur armiqtë e Pejgamberit (savs), ishin shumë më të shumtë se sahabët, shpesh ndodhte që kur ai të fillonte të falej, dikush t’i afrohej dhe të fillonte të fishkëllente ose të trokiste për ta shqetësuar, por Pejgamberi (savs), kurrë nuk ka treguar zemërim në situata të tilla. Gjithmonë e zgjodhi konceptin e tolerancës dhe u shmang nga konfliktet.

Kur kundërshtarët e tij u bënë jashtëzakonisht të fortë, Pejgamberi (savs), u shpërngul nga Meka në Medine, por armiqtë e tij nuk e lanë të qetë. Ata i filluan sulmet ndaj Medinës. Si rezultat, u krijua një gjendje lufte midis muslimanëve dhe jomuslimanëve.

Meqenëse Pejgamberi (savs), i shmangej luftës me çdo kusht, ai synoi të vendoste marrëveshje paqësore midis tij dhe banorëve të Mekës. Pas përpjekjeve të tij të mëdha, jomuslimanët ranë dakord ta lidhnin një marrëveshje 10 vjeçare armëpushimi, e cila u nënshkrua në Hudejbi.

Derisa marrëveshja në Hudejbi ishte në fazën e hartimit, mekasit u përfshinë në një numër të madh veprimesh provokuese. Për shembull, në marrëveshje u përmend emri i Pejgamberit (savs), si ‘Muhamed, i Dërguari i Allahut.’ Mekasit këmbëngulën që fraza ‘i Dërguari i Allahut’ të zëvendësohej me frazën ‘biri i Abdullahut.’ Pejgamberi (savs) e pranoi kërkesën e tyre të paarsyeshme dhe me duart e veta e shprehjen e më parshme. Në mënyrë të ngjashme, ata kërkuan që të mbahet peng çdo mysliman që ata e arrestojnë, por që muslimanët duhet ta kthejnë çdo jomusliman që ata e arrestojnë. Pejgamberi (savs), e pranoi edhe këtë kërkesë. Për ta vendosur paqen, Pejgamberi (savs), pranoi shumë pika të tilla të paarsyeshme të shtuara nga armiku. Në këtë shembull, është vendosur parimi i lidhjes midis tolerancës dhe paqes. Nëse duam paqe, duhet të tolerojmë shumë gjëra të pakëndshme nga të tjerët. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të vendosur paqen në një shoqëri.

Në një rast, Pejgamberi (savs), ishte ulur me sahabët në Medine. Pranë tyre kaloi një xhenaze. Kur e pa funeralin, Pejgamberi (savs), u ngrit në këmbë. Njëri nga sahabët tha se ishte xhenaze e një hebreu. Kurse Pejgamberi (savs), u përgjigj:

“A nuk ishte edhe ai qenie njerëzore?”

Ky rast na tregon se si atmosfera e dashurisë dhe respektit të ndërsjellë në botë mund të arrihet vetëm kur ngrihemi mbi kufizimet tinëzare të klasave shoqërore dhe ngjyrës së lëkurës. Mu ashtu si Pejgamberi (savs), edhe ne vetë duhet t’i shohim të gjithë njerëzit si qenie që gjithmonë meritojnë respekt.

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)