Përmbushja e amaneteve është obligimi ynë

1340

Vëllezër dhe motra!

Tema e hutbes së sotme është: Përmbushja e amaneteve që kemi marrë është obligimi ynë.

Sipas besimit Islam me amanet nënkuptojmë: përmbushjen e obligimeve ndaj Allahut të Plotfuqishëm, ndaj vetvetes dhe ndaj njerëzve, ruajtjen nga mëkatet, pastrimin nga gjendja e papastër (xhunub), ndershmërinë, bujarinë, drejtësinë, mos mashtrimin në peshojë, etj. (…)

Allahu i Plotfuqishëm në Kur’anin famëlartë thotë:

„Na u kemi ofruar amanetin qiejve, Tokës dhe maleve, ato ngurruan ta bartin atë dhe u frikësuan ta pranojnë atë, por, njeriu e pranoi. Me të vërtetë, njeriu është zullumqar (për vete) dhe i padijshëm (për fundin – epilogun e amanetit).“ (el-Ahzab, 72)

Pastaj, Allahu i Plotfuqishëm në ajetin 8, surja el-Mu’minun dhe në ajetin 32 të sures el-Mearixh, flet për cilësitë e besimtarëve:

“(Të shpëtuar janë) edhe ata, që i ruajnë amanetet dhe obligimet (e marra përsipër).”

Islami amanetin e vendos në lidhje të ngushtë me besimin e njeriut dhe me sjellljen e tij, prandaj dhe e thirrë në përgjegjësi!

Amaneti i përfshin të gjitha çështjet e fesë: namazin, zekatin, agjërimin e ramazanit, haxhillëkun dhe ibedetet e tjera, marrja përsipër e qeverisjes së popullit, shpërndarja e drejtë e pasurisë, mbështetja dhe përmbushja e të drejtave të atij që i është bërë dhunë, paanësia në vendimmarrje dhe gjykim, si dhe ruajtja e trupit nga të gjitha të ndaluarat.

Prindërit tanë janë amaneti ynë i madh dhe ne duhet t’u bindemi, t’i mbështesim dhe t’u ndihmojmë, kurse pas vdekjes së tyre duhet t’i kujtojmë me lutje dhe sadakë.

Atdheu ynë është amanet dhe atë ne duhet ta ruajmë dhe ta përparojmë.

Gratë dhe fëmijët tanë janë amanet, andaj duhet t’i ruajmë, ta rregullojmë gjendjen e tyre, t’i edukojmë, t’i shkollojmë dhe t’i ushqejmë me furnizim hallall.

Dëgjimi ynë është amaneti ynë, për këtë arsye jemi të detyruar të dëgjojmë vetëm ato që janë të dobishme, si lexim të Kuranit, hadithe, ligjërata, këshilla të dijetarëve e kështu me radhë. Veshët tanë duhet t’i ruajmë nga dëgjimi i përgojimit, grindjeve, bartja e fjalëve të huaja, shpifjet, dëshmitë e rreme, muzika, këngët e shthurura, etj.

Shikimi ynë është amanet, me sytë tanë nuk guxojmë të shikojmë atë që është haram; trupin e gjinisë tjetër, filma imoral, shfaqje dhe foto imorale, etj.

Gjuha jonë është amanet, me të duhet të flasim vetëm atë që është e mirë dhe e dobishme, si: leximi i Kuranit, leximi haditheve, i librave të dobishëm dhe të gjitha atyre me të cilat është i kënaqur Zoti ynë. Nuk lejohet që njeriu gjuhën e tij ta përdorë për përgojim, shpifje, fyerje, mallkim, tallje me muslimanët, shkatërrim të nderit të tjetrit dhe poshtërim të njerëzve të tjerë.

Këmbët tona dhe duart tona janë amanet, kështu që me to nuk guxojmë të ecin as të veprojmë atë me të cilën nuk është i kënaqur Zoti ynë.

Shkollat dhe fakultetet janë amaneti ynë, ne duhet të përpiqemi që të bëhemi nxënës dhe studentë sa më të mirë dhe të fitojnë sa më shumë njohuri të dobishme.

Pasuria jonë është amanet, nuk guxojmë ta fitojmë në mënyrë të pa lejuar, as nuk guxojmë ta shpenzojmë në një mënyrë që e shkakton zemërimin e Allahut të Plotfuqishëm.

Vendet tona të punës janë amanet dhe të gjitha punët tona duhet t’i kryejmë me ndërgjegje dhe në mënyrën më të mirë.

Vartësit tanë janë amaneti ynë dhe ne nuk guxojmë t’i shkelim të drejtat e tyre…

Transmetohet nga Ebu Hurejre r.a. se Pejgamberi (savs) ka thënë:

„Do tu kthehen të drejtat atyre që ju takojnë në Ditën e Gjykimit, kështu që edhe deles shyte do t’i jepet e drejta nga delja me brirë.“ (Tirmidhiu)

Dijetarët në komentimin e këtij hadithi thonë: “Në Ditën e gjykimit, Allahu do të gjykojë në mes të këtyre dy deleve dhe do t’i jepet e drejta deles shyte nga delja me brirë, edhe pse këto janë kafshë që nuk kanë arsye dhe nuk kuptojnë. Allahu i Plotfuqishëm është më i drejti, dhe përmes kësaj, Ai ju tregon robërve të Tij drejtësinë e përsosur, edhe kur është rasti me kafshët, e si do të jetë rasti sa u përket njerëzve!”

Vallë, si do të barazohen llogaritë në Ditën e Gjykimit me bartësit e pakujdesshëm të pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, me pronarët e pamoralshëm të mediave, dhe me gazetarët të cilët i kanë keqpërdorur pozitat e tyre, dhe të cilët duhet të përgjigjen për torturat dhe manipulimet që ju kanë bërë qytetarëve të atdheut tonë?

Amaneti ndikon që në shoqëri të edukohet individi, i cili do t’i përmbushë si duhet detyrimet e tij ndaj Allahut të Plotfuqishëm, dhe ndaj njerëzve të tjerë, kështu;

– sundimtari do të sundojë me drejtësi dhe do t’i përmbahet ligjit,

– profesorët do t’i mësojmë nxënësit dhe studentët njohuri të dobishme,

– nxënësit e studentët do t’i përvetësojnë dhe zbatojnë ato njohuri,

– imamët do ta jetësojnë dhe interpretojnë fenë dhe do ta përcjellin tek të tjerët,

– tregtarët do të jenë të drejtë dhe nuk do të mashtrojnë me mallra me defekte,

– të pasurit nuk do të marrin kamatë,

– punëtorët do të punojnë me nder në punët e tyre,

– kurse gjyqtarët do të gjykojnë me drejtësi.

Në një rast, Abdullah b. Omer el-Hattabi (r.a.), ishte me një vëlla të besimit në një udhëtim, të cilët kur e ndien lodhjen dhe të nxehtit, u ulën nën një pemë për të pushuar. Derisa ata ishin duke pushuar atypari kaloi një djalë i ri me një tufë dele. Abdullahu e thirri dhe e pyeti: „A je ti rojtar i tufës?“ I riu u përgjigj: „Po, unë jam.“ Abdullahu, pastaj i tha: „A mund të na shesësh një dele që të përgatisim ushqim për të ngrënë?“ Djaloshi ju përgjigj: „Delet nuk janë të miat, unë vetem ia ruaj pronarit të tufës.“ Abdullahu atëherë deshi ta verifikoi amanetin e tij, andaj u përpoq për ta bindur: „Ti neve na shit një dele, kurse pronarit të tufës thuaj se e ka ngrënë ujku, ose ka humbur!“ Djaloshi ia ktheu me një ton të ashpër: „Çfarë është kjo çështje? Nëse i them ashtu pronarit të tufës i cili nuk po më sheh mua, çka do t’i them Allahut i Cili po më sheh, dhe i Cili do të më pyes në Ditën e Gjykimit?“ Abdullahu mbeti i kënaqur me fjalët e djaloshit. Ai më vonë e mësoi se djaloshi ishte rob, andaj nxitoi te pronari i tij, e bleu dhe e liroi, kurse nga pronari e bleu edhe tufën me dele dhe ia fali djaloshit të liruar.

Vëllezër dhe motra;

Le t’i përmbushim amanetet që kemi marrë dhe le të garojmë në vepra të mira, duke u përgatitur për Ditën e Gjykimit, kur do t’i shohim vetëm veprat tona!

I lutem Allahut të Plotfuqishëm, që të na forcojë në rrugën e Islamit!

– që të na bëjë prej atyre që i plotësojnë amanetet e tyre,

– që t’i ndihmojë vëllezërit dhe motrat tona të pambrojtur, veçanërisht ata në Palestinë, Siri, Irak, Birmani, Kashmir, Jemen, Libi dhe Egjipt!

– që mos të na sprovojë me dhunën e sunduesve të dhunshëm dhe me atë që ne nuk mund ta përballojmë,

– që t’i mëshirojë prindërit dhe paraardhësit tanë të mirë, të cilët na e sollën dritën e fesë,

– që fëmijët tanë t’i bëjë dritë e syve dhe zemrave dhe udhëheqës të umetit,

– që të na mëshirojë në Ditën e Gjykimit dhe të na nderojë në xhenet me shoqëri të pejgamberëve, të sinqertëve, të shehidëve dhe të njerëzve të mirë!

//Hatib: Nezim Haliloviq, muderris;

Përshtati: Miftar Ajdini