Comte rreth Islamit -nga Dr. Ali Pajaziti

982

Këtyre ditëve të nxehta të verës, mes tjerash u morëm edhe me veprën e Christian Cherfils, L’Islamisme a point du vue social (Islami nga këndvështrimi social), të botuar në vitin 1911, ku shpalosen pikëpamjet e mendimtarit të dalluar francez Auguste Comte (1798-1857) ndaj fesë dhe ndaj islamit në veçanti. Comte njihet si themelues i sociologjisë moderne, i filozofisë pozitiviste, një intelekt rebel që ka kërkuar bazat racionale të qeverisjes (sociokracia) së bazuar në art dhe shkencë, që ka skicuar një projekt të njohur si feja njerëzimit, që do ta zëvendësonte fenë klasike apo të mirënjohur. Zhvillimi human njeh tre faza sipas tij: teologjike, metafizike dhe teologjike. Është autor i veprave Kurs i filozofisë pozitive (1830-1842), Ligjëratë për frymën pozitive (1844) etj. Qysh herët është ndikuar nga Montesquieu, Condorcet, Turgot, Hume dhe Kant dhe nga idetë e tyre është munduar të bëjë një sintezë të veçantë. Ka mbrojtur idenë se dija mund të arrihet vetëm në saje të metodave shkencore.

Feja e re e tij, që pretendon ta shpëtojë njeriun, e refuzon përshpirtësinë. Kjo fe që kalon nga gjendja teologjike dhe ajo metafizike, kapërcen çdo fe tradicionale dhe në fund shndërrohet në fenë pozitive. Zoti i kësaj feje është njerëzimi, profetët e saj janë dijetarët, kurse mrekullitë e saj janë zbulimet shkencore. Adhurimi nuk nënkupton përgjërimin ndaj një qenieje superiore, por përpjekjen për zhvillimin e njerëzimit. Mbi gurin e varrit ka porositur t’i shkruhet kjo fjali: “Parim: dashuria, themel: rendi, qëllim: zhvillimi”  (L’amour pour principe et l’ordre pour base; le progrès pour but), që sot në një formë tjetër, si motto “Ordem e Progresso” e gjejmë në flamurin e Brazilit.

Auguste Comte është është një nga dijetarët e rrallë perëndimorë që ka shprehur konsiderata për islamin si një nga fetë botërore, ndonëse pranon se një kohë ka jetuar paragjykime ndaj këtij religjioni të akumuluara nga mjedisi katolik (Cherfils, 2012: 44) Në shkrimet e veta e lavdëron Lindjen: “Prijësit lindorë që qëndrojnë në krye të kombeve po përpiqen për të realizuar funksionet e dyfishta të çdo qeverie: e nxisin popullin në mirësi dhe e pengojnë nga e keqja.” (2012: 24) Sipas tij, monoteizmi është kulmi i mendimit teologjik. Për botëkuptimin islam, ndonëse sikurse krishterimin e quan mesjetar (Lewis, 2001: 16), thotë se për shkak të thjeshtësisë së besimit s’ka nevojë për kurrfarë ndryshimi teorik; islami si doktrinë më afër realitetit dhe praktikës, më pak e kundërshton sundimin final të pozitivizmit (Ibid, 26, 51; SPP, III, f. XLIX.) Profetin Muhamed e quan “një prijës të pashoq, me zemër, mendje dhe karakter, që në kohë të përshtatshme realizoi një ndërmarrje të paparë”, që duke  unifikuar dy pushtetet (shpirtëror dhe material) krijoi një monoteizëm qeverisës, që përmes  mallit për universalizëm fetar ndërtoi një komunitet të ri, “që e ka sistematizuar dashurinë humane dhe lumturinë universale.” Myslimanët i cilëson si “ndjekësit dinjitozë të Profetit të madh.” Comte i  ka ndjekur reformat osmane me sipmati;  lavdëron ngulmimin osman në monogaminë dhe heqjen e tregjeve të robërve që siç thotë “e njollosnin kryeqytetin osman”.

I kritikon fetë e mëdha për ekskluzivimin e tyre ndaj jobesimtarëve: “Për forcimin e besimit është e detyrueshme që ndaj çdo mosbesimtari, më tepër me zemër se me arsye, të ushqehet një urrejtje e thellë; ky është kushti themelor i çdo strukture monoteiste.” Ndërkohë i thur elozhe pozitivizmit, që ndonëse e rekomandon doktrinën e vet, sugjeron respektimin e çdo besimi dhe të çdo prirjeje doktrinore.

E çmon islamin për kontributet shkencore, artistike, për  arkitekturën dhe astronominë. Sipas tij, një emër i madh si el-Battani (Albategnius) që i ka ndihmuar studimet kozmologjike, mjafton të përmendet për kontributin që ka dhënë islami në filozofinë e natyrës. Përmend edhe  shkollën e Valencisë dhe Kordovës që kishin reputacion të madh, madje edhe tek klasa klerikale kristiane; “perëndimorët më të mirë që e kishin kapërcyer antipatinë teologjike, shkonin atje për të marrë arsimin që s’mund ta merrnin në një vend tjetër.”

Comte në vitin 1853 i ka shkruar një letër kryeministrit osman Reshit Pasha të cilin, bashkë me popullin e vet osman, e ka ftuar në fenë e re të njerëzimit, duke shpresuar se besimtarët myslimanë do të kalojnë drejtpëdrejt nga islami në pozitivizëm. Në këtë letër ai i këshillon myslimanët që ta pranojnë ligjin shoqëror se kufijtë natyrorë të qeverive/shteteve botërore tkurren dhe të mos qajnë shumë për shpërbërjen e Perandorisë Osmane. Sipas tij, feja pozitive do t’i bashkojë nipërit katolikë me ata të islamit në një ditë që do të shënojë fundin e ekspeditave ushtarake  dhe fillimin e jetës industriale. (f. 43) Përmes sloganit “rend dhe përparim” ka ndikuar te turqit e rinj të brezave të ardhshëm që themeluan organizatën “Bashkim e Përparim.”

Si përfundim mund të thuhet se Comte ka shfaqur qëndrime shumë objektive ndaj islamit përkundër antireligjionizmit të vet, madje në shumë aspekte  e ka preferuar atë ndaj fesë së vet native. Një gabim metodologjik është përdorimi i termave muhamedanizëm dhe islamizëm për islamin; ato janë rrjedhim i kontekstit, kohës, kur shkenca e kohës ose orientalistika, islamin e ka parë si ideologji, si një nga izmat, jo si produkt qiellor por human dhe kur ende s’është themelëzuar dallimi mes islamit si fe dhe si agjent dhe aksion politik (islami politik) që sot njihet si islamizëm. Veprat e tij meritojnë të analizohen edhe sot kur kanë kaluar më tepër se një shekull e gjysmë nga vdekja e tij.