Nga kuzhina osmane: Shërbeti prej trëndafili

1061

A keni dëgjuar për akulloren me lëng frutash (Sorbe)? E kemi fjalën për ëmbëlsirën që i ngjan akullores me fruta dhe që konsumohet veçanërisht në ditët e nxehta të verës. A keni dëgjuar që kjo ëmbëlsirë quhet “sorbet” në anglisht dhe frëngjisht dhe “sorbetto” në italisht dhe që kjo fjalë rrjedh nga fjala “sherbet” në turqisht?

“Sherbeti” është një lloj pijeje që i përket kuzhinës osmane dhe që ka një histori shumë të lashtë. Sherbeti është një pije që përgatitet nga ekstraktet e bimëve, të luleve dhe frutave, e aromatizuar me disa erëza dhe e ëmbëlsuar me sheqer ose mjaltë.

Duke filluar nga mesi i shekullit të 16-të sherbeti kaloi një periudhë të artë në Perandorinë Osmane, ndërsa brenda një kohe të shkurtër tërhoqi vëmendjen edhe të ‘perëndimit’.

Prej shekullit të 17-të koncentratet e sherbetit me limon, trëndafila dhe manushaqe filluan të eksportohen në Angli. Në të njëjtën kohë në Itali nga koncentratet e sherbetit u prodhuan edhe akulloret me fruta dhe kështu lindi edhe “sorbetto” i famshëm italian. Emri “sorbet”, me të cilin emërtohen akulloret me fruta në anglisht dhe frëngjisht, është një trajtë e deformuar e fjalës ‘sherbet’ në turqisht.

Tani po ndajmë me ju recetën për përgatitjen e sherbetit. Kemi zgjedhur recetën e sherbetit të trëndafilit, i cili dikur kishte bërë një sukses të madh në Evropë.

Harxhet e nevojshme:

  • 50 gr peta trëndafili me aromë
  • ¼ gotë uji me lëng limoni
  • 1 gotë uji me sheqer
  • 5 gota ujë

Si bëhet përgatitja e këtij lloji të shërbetit?

Fillimisht presim me gërshërë pjesët e bardha të fund të petëve të trëndafilit dhe i vendosim ato në një enë qelqi ose porcelani dhe mbi to hedhim lëngun e limonit. I fërkojmë mirë me dorë dhe i lëmë të qëndrojnë ashtu për gjysmë ore. Nga ana tjetër valojmë ujin dhe sheqerin në një tenxhere dhe e lëmë të vaket. Ujin e vakët me sheqer e hedhim në enën me trëndafila dhe e lëmë të ftohet në frigorifer për 10 orë. Para se ta shërbejmë e kullojmë dhe e shërbejmë të ftohtë. Ju bëftë mirë!

(TRT)