Gostivar, hapet Instituti i Hifzit dhe Bukurleximit të Kuranit

767

Në qytetin e Gostivarit, myftinia e qytetit bëri hapjen Institutit të Hifzit dhe Bukurleximit të Kuranit “Hfz. Hasan ef. Zendeli”.

Në ceremoninë e cila filloi me recitimin e Kuran-i Kerimit, morën pjesë kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Sulejman Rexhepi, këshilltari për çështjet fetare në Ambasadën turke në Shkup, Murat Alkan, myfti, përfaqësues lokalë, politikanë, akademikë dhe të ftuar të tjerë.

Rexhepi, në fjalimin e tij gjatë ceremonisë shprehu kënaqësinë për hapjen e këtij instituti.

“Për të përuruar edhe një themel të artë, të fortë si graniti për kultivimin e shkencës së Kuranit, hivzit dhe bukurleximit të tij, kjo është një kënaqësi e veçantë njëherësh për popullin musliman të këtij nënqielli këtu në Gostivar. Është një begati shumë e madhe. Është një bereqet i paharxhuar, sepse ky institut do të qëndrojë prore derisa të jetë jeta mbi dhe”, tha Rexhepi në lidhje me hapjen e institutit.

Ai shtoi se institutin e kanë emërtuar me emrin e një hafëzi dhe hoxhe të njohur të Gostivarit, duke shtuar se drejtor është emëruar Hfz. Eljesa Asani.

Ndërkaq, drejtori i institutit, Eljesa Asani, i cili studimet i ka mbaruar në Turqi, tha për AA se në rajon ka shërbyer për 21 vite si imam, predikues dhe mësues i Kuranit.

“Këtu do të regjistrohen edhe nxënësit e rinj që do të kryjnë hifzin, por edhe do të jepen ligjerata në lidhje me bukurleximin, zhvillimin e zërit, makamin dhe ligjerata të ndryshme”, u shpreh Asani, duke theksuar se në Gostivar, Tetovë dhe Shkup janë nxjerrë hafëzë që nga periudha osmane.

Alkan, nga ana e tij, tërhoqi vëmendjen në rëndësinë e këtyre instituteve.

Ndërkohë, myftiu i Gostivarit, Shaqir Fetahu, duke theksuar se gjatë ndërtimit të institutit kanë qenë dëshmitarë të dashurisë së popullit të Gostivarit ndaj Kuranit, falënderoi të gjithë për kontributet e tyre.

AA