Pejgamberi (savs), i është lutur Allahut
të Plotfuqishëm me këto fjalë:
“O Zoti im, ma mëso kuptimin e vërtetë të gjërave!”
Në kohën e sotme, të vlerave dhe aspiratave të çrregulluara, në një shoqëri e cila ka komercializuar gjithçka, dhe në gjithçka ka vendosur etiketën me çmim, përkatësisht, kur gjithçka ka dalë në shitje, kurse një shumicë e gjërave e kanë humbur vlerën, është e vështirë, gati se e pamundur, që të shikohen gjërat realisht …
Jeta është një stërvitje, në të cilën ne përgatitemi për ndeshjen e jetës, përkatësisht, për dhënien e provimit më të rëndësishëm, para Atij, i Cili i di të gjitha sekretet… Sa përpjekje bëjmë për ta përgatitur veten për rolet e mëdha të jetës, do të varet nga rezultatet tona dhe nga vlerësimi përfundimtar i provimit të fundit…
Të gjithë ata që stërviten, dëshirojnë të arrijnë rezultat sa më të mirë, të gjithë ata që studiojnë, dëshirojnë të diplomojnë me notën më të lartë, të gjithë dëshirojnë që para Zotit të duken sa më të përulur… Të gjithë duan të shpëtojnë… Secili për vete e zgjedh rrugën… Secili mund të bëhet edhe mik edhe armik i vetvetes… Varet nga ne se si do të vendosim…
Për të qenë të lumtur, për të pasur shoqëri të rregulluar, së pari duhet të kemi familje të rregulluar, e cila është qeliza themelore e shoqërisë, ndërsa për të qenë familja e rregulluar dhe e dobishme për komunitetin, secili prej nesh duhet ta ndërtojë vetveten.
Gruaja është shtyllë e familjes, dhe personi, nga i cili varet edukimi dhe zhvillimi i fëmijës, i cili do të bëhet njeri, që përmes veprimeve dhe sjelljeve të tij, duhet ta zhvillojë dhe forcojë sistemin e vlerave, duhet të jetë plotësisht i vetëdijshëm për rolin dhe rëndësinë e tij për komunitetin.
Për ta edukuar fëmijën, së pari duhet ta edukojmë vetveten, duhet identitetin tonë ta çojmë në nivel të hapave të qëndrueshëm dhe të paluhatshëm, në rrugën, e cila çon në forcimin e vlerave islame dhe mënyrës islame të jetës.
Gruaja, si prototip i shoqërisë së sotme, duket e humbur, dhe me një kuptim shumë jorealist të gjërave, e kupton botën përreth saj.
Gruaja ka flijuar shumë gjëra, që sot të trajtohet si objekt, i cili i tërheq shikimet nëpër pllakate dhe e poshtëron personalitetin e saj, për të shitur gjëra dhe mallra të pavlerë.
Gruaja për statusin e shërbëtores në shoqërinë e sotme, e ka sakrifikuar lirinë, nderin, respektin dhe feminitetin e saj, të cilat Allahu ia ka dhuruar, që në këtë botë t’i robërohet vetëm Atij, ashtu që duke e ruajtur dinjitetin, nderin dhe reputacionin e saj, të jetë grua, dhe jo material shpenzues, në dritaren e pasioneve dhe motiveve të ulëta…
Një grua e tillë e plagosur dhe konfuze, e shqyer mes përbindëshave të sotëm dhe veseve të ndryshme, që kërcënojnë të shpërthejnë si vullkan, i cili nga vetja do ta nxjerrë lavën e ndezur, me të cilën do t’i djegë të gjitha vlerat dhe do ta shkatërron shoqërinë. Ajo nuk mund të edukojë breza, sepse nuk e ka edukuar vetveten, që të mundet, të dijë dhe t’i njohë vlerat e vërteta dhe kuptimet reale të gjërave..
Për të qenë gruaja nënë, për t’i edukuar brezat e ardhshëm sipas parimeve të vlerave të vërteta, së pari ajo duhet ta dojë rolin e saj. Sepse dashuria është thelbësore në çdo punë dhe në çdo rol që marrim në jetë. Ta duash rolin e edukatorit të njerëzimit, do të thotë, t’i japësh vetes dhe ta njoftosh botën mbi parimin e kuptimit të vërtetë të gjërave… Dashuria nuk do të thotë ‘dituri’, por ‘njohje’ dhe aspirim kah njohja e vetvetes, në mënyrë që duke e njohur vetveten dhe duke e edukuar vetveten, t’ua përcjellim të tjerëve më të mirën nga ajo që e posedojmë. Sepse çdo kush jep nga ajo që posedon… Prandaj, duhet ta pyesim mirë vetveten se çka është ajo që ne posedojmë? A do të jetë ajo mbrojtësi ynë në Ditën e Gjykimit, apo do të jetë akuzuesi dhe lajmëtari ynë i dënimit.
Grua që synon qëllimet e larta të jetës nuk guxon të lejojë, që stihitë moderne t’ia gëlltisin dhe skllavërojnë intelektin, trupin dhe zemrën e saj. Sepse gruaja kështu e skllavëruar, e humb identitetin e saj dhe nuk mund t’i përgjigjet detyrës që i është besuar. Dhe, ai që nuk e bën si duhet detyrën e tij, është i gjykuar të dështojë. Pra, a dëshiron dikush prej nesh dështim për vetveten? A duam që gratë tona të jenë edhe nëna, apo thjesht, vetëm një grumbull materialesh të përdorura, të cilat më nuk i shërbejnë askujt?
Për të qenë persona me arsye të dhuruar, të cilëve edhe Allahu i Plotfuqishëm iu drejtohet në Kuran, duhet tu përmbahemi dispozitave islame, ahlakut islam, që mënyra e jetesës sonë të jetë Islami, që mendimi ynë të jetë imani, që ndërgjegjja jonë të jetë suneti, që rruga jonë të jetë shtegu i shpëtimit dhe njohjes, që armatimi ynë të jetë dituria jonë.
Që udhëzimi ynë të jetë në fjalët:
“Lexo në emër të Zotit tënd, i cili ka krijuar (të gjitha), i cili e krijoi njeriun nga gjaku i ngjizur (embrioni), lexo, se Zoti yt, është më bujari, që ia mësoi njeriut pendën (të shkruajë), që njeriut ia mësoi atë që nuk e diti.” (el-Alek, 1-5)
Përkthim: Miftar Ajdini
(Islampress.ch)