Transmetohet se Hz. Omeri (r.a.) ka thënë: “Dimri është pre e të devotshmëve”.
Kurse djali i tij, Abdullah ibn Omeri (r.a.), kur vinte dimri, thoshte: “O njerëz të Kuranit, kanë ardhur netët e gjata për namazin tuaj, kurse ditët të shkurtra dhe të përshtatshme për agjërimin tuaj, andaj shfrytëzojini ato!”
Transmetohet se Abdullah ibn Mesudi (r.a.), ka thënë: “Mirë se na vjen dimri, kjo është koha kur zbret bereqeti i Allahut. Netët e tij janë të gjata dhe të përshtatshme për namaz, kurse ditët janë të shkurtra dhe të përshtatshme për agjërim.”
Ibn Rexhebi ka thënë: “Dimri është pranverë për besimtarin, sepse ai kënaqet në kopshtet e tij të bindjes dhe në fushat e devotshmërisë, kurse zemra e tij freskohet në kopshtet e veprave të mira.”
Ata’ el-Horasani, ka thënë: “Asnjë besimtar nuk do të bëjë një sexhde në asnjë pjesë të Tokës, e që ajo pjesë e Tokës të mos dëshmojë për të në Ditën e Gjykimit, dhe të mos qajë për të, në ditën e vdekjes dhe largimit të tij nga kjo botë.”
Ebu Sulejman ed-Darani ka thënë: “Njerëzit e devotshëm më shumë kënaqen në ibadet gjatë natës, sesa ata që e kalojnë natën duke luajtur dhe duke u argëtuar. Sikur të mos ishin netët dhe ibadetet e natës, nuk do të doja të qëndroja në këtë dynja.”
Transmetohet se Jahja ibn Muadhi ka thënë: “Nata është e gjatë, mos e shkurtoni duke fjetur, kurse Islami është i pastër, mos e ndotni pastërtinë e tij me mëkatet tuaja.”
Mutarrif ibn Abdullahu ka thënë: “O vëllezërit e mi, përpiquni dhe këmbëngulni në vepra të mira, ashtu që nëse bëhet siç shpresojmë dhe nëse Allahu na mëshiron dhe na fal, atëherë neve na presin gradat më të larta në xhenet, ndërsa nëse bëhet ashtu siç kemi frikë se do të jetë, atëherë nuk do të jemi prej atyre që do të thonë: “O Zoti ynë, nxirrna (prej zjarrit), do të bëjmë vepra të mira, e jo si ato çfarë kemi bërë.” (Fatir, 37)
Ahmed bin Harb ka thënë: “Unë i bëra ibadet Allahut 50 vjet, por kënaqësinë e ibadetit nuk e ndjeva derisa i lashë tri gjëra:
(1) – E lashë kënaqësinë e njerëzve derisa nuk isha në gjendje ta flasë gjithmonë të vërtetën. (2) – U largova nga shoqëria e mëkatarëve derisa nuk e gjeta shoqërinë e të devotshmëve. (3) – E lashë ëmbëlsinë e kësaj bote derisa nuk e shijova ëmbëlsinë e ahiretit.”
Përkthim: Miftar Ajdini
(Islampress.ch)