Nexhat Ibrahimi
Shqyrtim hyrës
Brenda një shekulli Islami si fe e sistem jete u shtri prej Spanjës deri në Kinë dhe prej thellësisë së Afrikës deri në pjesët kontinentale të Evropës e Azisë Perëndimore. Në këtë hapësirë të gjerë “muslimanët janë ballafaquar dhe fërkuar me zakonet, traditat dhe gojëdhënat e llojllojshme kundërthënëse”, (Abdulkerim Zejdan, El-Med’halu li diraseti sh-sheri’ati-l-islamijjeh, bot. IV, El-Iskenderijje, (-), fq. 142.) apo si e thotë këtë dijetari El-Karadavi, “sheri’ati është ndeshur dhe është pranuar nga popuj të ndryshëm: me civilizim të lashtë, popuj mesatarisht të zhvilluar dhe me popuj mjaft primitivë. Domethënë, Sheri’ati u ballafaqua me sistemet e përparuara financiare, administrative, shoqërore-politike, sikur që është ballafaquar edhe me ngjarjet e pazakonshme dhe problemet e reja që nuk kanë qenë të njohura në kohën e Pejgamberit a.s.” (Jusuf El-Karadavi, Islamsko pravo, Sarajevo, 1987, fq. 15.) Kështu, dijetarët e asaj kohe u obliguan që kushtet e reja të jetesës t’i shqyrtojnë e t’i studiojnë në dritën e frymës islame, respektivisht në frymën e burimeve të doktrinës islame. Këtë obligim ata edhe e kuptuan të cilën gjë më së miri na e argumenton vrojtimi i M. Ikballit, kur thotë: “… që nga gjysma e shekullit të parë e deri në fillim të shekullit IV, janë paraqitur nëntëmbëdhjetë shkolla dhe shkenca juridike në Islam. Vetë ky fakt është i mjaftueshëm të tregojë se sa kanë punuar juristët tanë të parë që t’ju përgjigjen nevojave të një qytetërimi në rritje.” (Muhamed Ikball, Përtëritja e mendimit fetar në Islam, Shkup, 2006, kapitulli V.) Kurse autori i proveniencës kristiane G. Makdisi thotë se “veprimtarinë intensive në fushën e drejtësisë e dëshmon e dhëna për ekzistimin e rreth 500 shkollave të ndryshme të mendimit juridik”. (George Makdisi, Sunni Schools of Law in Islamic Religions History, “International Journal of Middle East Studies”, X/1979, fq. 3, cituar sipas: Fikret Karcic, Opsti pogled na pravo u Islamu, “Zbornik radova Islamskog teolo{kog fakulteta u Sarajevu”, Sarajevo, 3/90, 1990, fq. 9. Sigurisht autori me këtë rast i numëron edhe shkollat më të vogla, që gjatë kohës janë shkrirë në shkollat më të mëdha ose janë zhdukur tërësisht.)
Këtë zhvillim të paparë ideor e shkencor, B. Lewis e komenton kështu: “Ekzistimi i shkollave të shumta ideore në komentimin dhe aplikimin e sheri’atit është dëshmia … e tolerancës dhe maturisë islame…”. (Bernard Lewis, El-Garbu ve-sh-sharku-l-evsat, fq. 83-84, sipas: Jusuf El-Karadavi, op. cit., fq. 50.)
Por, nëse shtrohet pyetja se cilët janë faktorët kryesorë për një degëzim apo ndarje të tillë, do t’i prezantojmë disa faktorë, që, sipas bindjes sonë, janë qenësorë. Ata janë faktori politik, fetar dhe shkencor por edhe ai etnik, ekonomik, social e kështu me radhë. (Shih: Miroslav Brandt, Srednjovjekovno doba povijesnog razvitka, I, Zagreb, 1980, fq. 371 e tutje.) Për arsye se do të zgjeroheshim tejmase ne vetëm shkurtimisht do të japim disa vrojtime për tre faktorët e parë.
A. Faktori politik
Përkundër problemeve që vazhdimisht dilnin në sipërfaqe, gjatë jetës së Muhammedit a.s. nuk hasim në përçarje e mospajtime të dorës së parë. Mosmarrëveshjet Muhammedi a.s. i zgjidhte shpejtë, në mënyrë efikase dhe autoritative, si ato brendaislame ashtu edhe me grupacionet tjera fetare e etnike në Medine. Një klimë e tillë deri diku vazhdoi edhe gjatë kohës së Ebu Bekrit r.a. dhe Umerit r.a., por jo edhe gjatë hilafetit të Osmanit r.a. dhe Aliut r.a., kur shteti islam u rrit edhe më shumë si në aspektin territorial ashtu edhe në pikëpamje të etniteteve, gjuhëve, doktrinave dhe traditave të ndryshme. Në periudhën pas Halifëve të drejtë, ndonëse u shtri në shumë vende të reja, mosmarrëveshjet rreth hilafetit, por edhe rreth shkaqeve të tjera, dolën në sipërfaqe, dhe shumë individë, grupacione e fraksione të asaj kohe përkundër motiveve fetare, morën ngjyra të ndryshme politike. (Nerkez Smailagi?, Leksikon islama, Sarajevo, 1990, shih zërat enciklopedikë: Ebu Bekri fq. 10-11; Umeri fq. 462-463; Osmani, fq. 465-467; Aliu, fq. 32-34; Halifat, fq. 229-231.)
B. Faktori fetar
Funksioni i hilafetit gjatë kohës së Muhammedit a.s. ka qenë unik. Atë e kemi udhëheqës fetar, politik, edukator e mësues. E kemi bashkëshort, baba, luftëtar, gjyqtar e shumë të tjera. Thjeshtë, aty nuk kemi funksione të ndara religjioze e shekullare. Më vonë, gjatë periudhës së Halifëve të Drejtë, pasuesit e lëvizjeve dhe fraksioneve të caktuara filluan të manipulojnë në mënyrë perfide me burimet islame për t’i konfirmuar të drejtat e veta, gjoja legjitime, dhe për t’i realizuar synimet e tyre inferiore. Kështu, pikëpamjet e tyre në sytë e masës, por edhe të një numri intelektualësh, morën karakter fetar. (Më gjerësisht mbi këtë: Kasim Dobra?a, Iz islamskog prava i njegove istorije, Glasnik VIS-a, Viti IV, nr. 4/1936, Beograd, fq. 167-168; Henri Laoust, Raskoli u Islamu, Zagreb, 1989.)
C. Faktori shkencor
Faktori shkencor, pa dyshim, është faktori më i rëndësishëm, prandaj edhe do të ketë vendin meritor. Shumë dijetarë, e veçanërisht juristë islamë, kanë krijuar pikëpamje të pavarura për çështjet e caktuara islame, që për motiv kanë pasur aspektin shkencor e jo skizmat e motivuara politikisht me ngjyrime politike e fetare. Një ndër shkaqet e para dhe fundamentale për ndarjet që pasuan, është edhe teksti i shenjtë, Kur’ani.
1. Kur’ani nuk është as trajtesë teologjike e as filozofike, ai nuk është as Përmbledhje e dispozitave të përpunuara, por është Libër i parimeve dhe rregullativave të përgjithshme, përvojë e gjallë e Sovranit. (Nerkez Smailagi?, Uvod u Kur’an, Zagreb, 1975, fq. XXX; Krhs.: Ebu-l A’la El-Mewdudi, Muhammedi a.s. dhe Kur’ani i shenjtë, Prizren, 1989, fq. 118.)
Nëse i bëhet një shkoqitje mund të konfirmohet se “qëllimi më i rëndësishëm i Kur’anit është vënia e bazave religjioze, thirrja në monoteizëm, edukimi i shpirtit, vënia e parimeve morale. Qëllimi legjislativ është vetëm dytësor.” (Ahmed Emin, Fexhru-l-islam, cituar sipas: Georges G. Corm, Prilog prou?avanju multikonfesionalnih društva – drušveno pravne i politi?ke zajednice religioznog pluralizma, Sarajevo, 1977, fq. 178 e më tej.)
Prej mbi 6000 ajeteve në Kur’an, dijetarët islamë konsiderojnë se gjithsej janë rreth 200 ajete që u përkasin normave juridike. Disa juristë muslimanë i kanë analizuar të gjitha ajetet kur’anore dhe pohojnë se numri i ajeteve që drejtpërdrejt apo tërthorazi i përkasin të drejtës (ajat’ul-ahkam) është rreth 500 deri më 600 sosh. (Ahmed Emin, Fexhru’l-islam, botimi XIII, Kajro 1982, fq. 228 e tutje; Gjithashtu: Mehmed Handži?, Kodificiranje šerijatskog prava kod raznih pravnih škola, Zagreb, 1944, fq. 3-4; Ebu Zehre, Ebu Hanife – hajatuhu ve asruhu, ara’uhu ve fikhuhu, (Kajro), 1976, fq. 147 dhe Ibrahim Džananovi?, Idžtihad u prva ?etiri stolje?a islama, Sarajevo, 1986, fq. 16.)
Njëri nga juristët që edhe më decidivisht i ka hyrë kësaj pune është autori egjiptian Abdulvehhab Hal-lafi, i cili pohon se të drejtës familjare i përkasin 70 ajete, të drejtës civile 70, të drejtës penale 30, gjyqësisë dhe procedurës gjyqësore 13, të drejtës kushtetuese 10, marrëdhënieve ndërkombëtare 25 dhe ekonomisë dhe financave 10. (Fikret Karçiq, Historia e së drejtës së sheri’atit, Prizren, 1994, fq. 32, Shih: Muhammed Jusuf, Tarihu’l-fikhi’l Islami, Kajro, (-), I, fq. 6-7; Fet’hi Uthman, El-Fikru-l-kanuni el-islami bejne usuli-sh-sheri’ati ve turathihi-l-fikhi, Kajro, (-), fq. 65-66.)
Konsiderohet se edhe hadithe të karakterit juridik ka pak, edhe pse hadithet në krahasim me Kur’anin janë në numër më të madh. (M. Handži?, Kodificiranje šerijatskog prava, op. cit. fq. 4.)
Zgjerimi territorial i Islamit solli kërkesa dhe nevoja të reja dhe, natyrisht, interesimin e dijetarëve kompetentë që këto kërkesa e nevoja t’i trajtojnë cilësisht. Në këtë përpjekje, gjatë zgjidhjes së çështjeve të ndryshme, e në mungesë të burimeve të dorës së parë, Kur’anit dhe Sunnetit, i janë qasur formimit të mendimeve (gjykimeve) personale, individuale, që, sipas Ibn Kethirit, janë të nxitura nga ana e Të Dërguarit të Zotit… (Ibn Kethir, Tefsiru’l-Kur’ani-l-adhim, I, botimi II, Bejrut, 1970, fq. 5-15.)
2. Si motiv thelbësor për ndarjen midis shkencëtarëve islamë, e sidomos midis juristëve islamë, numërohet edhe të kuptuarit e llojllojshëm të vetë gjuhës arabe, që, për shkak të veçorive të veta, ofron mundësi të tilla: ngjyrat, nuancat, dinamika, fuqia, konciziteti, elokuenca, karakteri universalist, idealizmi metafizik, kiraetet (leximet) e Kur’anit etj. (Shih: Osman Emin, Filozofija arapskog jezika, Islamska misao, viti VI, nr. 67/1984, fq. 2-21.)
3. Disa shkencëtarë në metodat e komentimit të çështjeve juridike në mënyrë rigoroze i janë përmbajtur shprehjes – tekstit të ligjit (el-lafdh), kurse disa shkencëtarë të tjerë, në rastet kur nuk ekzistonte norma eksplicite, më tepër e kanë hulumtuar frymën dhe kuptimin e ligjit (el-ma’nâ’), dhe në bazë të kësaj kanë vendosur norma e rregullativa juridike.
4. Në ndarjen e mendimeve ka ndikuar edhe të kuptuarit ndryshe të disa sjelljeve të Të Dërguarit të Allahut nga ana e bashkëkohësve – transmetuesve të tij. (Fikret Kar?i?, Pravna priroda, mjesto i zna?aj fetve u šerijatskom pravu, Glasnik VIS-a, Sarajevë, viti XLIV, nr. 5-6/1981, fq. 477.)
Këta faktorë dhe të tjerët si faktori etnik, gjeografik, social, ekonomik, filozofik etj., këtu jo të analizuar, i kanë kontribuar krijimit të mospajtimeve e edhe paraqitjes së specialistëve të devotshëm, më vonë juristëve (fakihëve), deri te lajmërimi i shkollave të veçanta juridike.