Cila aleancë mund ta mposhtë pandeminë

781

Milazim Krasniqi

Tre hipoteza mund të ngrihen lidhur me botën pas pandemisë së koronavirusit: 1. asgjë nuk do të jetë njësoj, pas koronavirusit, 2) bota do të mbetet njësoj dhe 3) bota mund të ndryshojë, duke mbetur njeriu i njëjtë. Për secilën hipotezë mund të gjendet një dorë argumentesh, jo vetëm nga kjo që po ndodhë, po edhe nga përvojat e botës në të kaluarën. Nga përvojat në të kaluarën janë formësuar modele sociale, kulturore e ideologjike të caktuara, të cilat identifikohen me ndryshimet e ndodhura nga ngjarjve të ndryshme (luftëra, epidemi, zbulime) që kanë sjellë përmbysje të mëdha. Periodizimet dhe emërtimet, fjala vjen, koha e gurit, koha e bronxit, koha e hekurit, etj., sado që janë arbitrare, të emërtuara a posteriori, ato përpiqen ta shenjojnë një botë në proces ndryshimi, të shkaktuar nga përmbysjet. Pra, historia e njerëzimit nuk ka ndjek një trajektore lineare, sikundër që as formacionet shoqërore nuk kanë pasur zhvillim linear dhe as kanë mundur të jenë të pavarur njëri nga tjetri. Nga përmbsyja e një formcioni, ka lindur një formacion i ri, por që edhe ai ka bashkëjetuar në shumë segmente me të vjetrin. Kështu është edhe me Modernizmin dhe Postmodernizmin, të cilët tashmë do të atakohen nga periudha post koronavirusit. Modernizmi e Postmoderinzimi janë modeluar e gërshetuar në procesin kompleks e dramatik të ndryshimeve, që janë imponuar nga përmbysje të mëdha shoqërore, kulturore e ideologjike. Ndonëse Modernizmi u turpërua moralisht në Luftën e Dytë Botërore, me Aushvicin si simbolin më të shëmtuar, disa nga themelet e tij ideologjike e kulturore, shteti-komb, fuqia ushtarake, materializmi, antifetarizmi po edhe besimi fanatik se Utopia është e realizueshme, vazhdojnë të jenë ndikuese edhe sot. Ndërsa Postmodernizmi, që dukej dominues, tash po sfidohet haptas nga pasojat e pandemisë, që pritet të përthellohen në të ardhmen. Metropolet si njëri nga simbolet e Postmodernizmit, me izolimin dhe shkretërimin e tyre gjatë kohës së pandemsië, kanë zbuluar shtirjen dhe artificialitetin e kësaj bote postmoderne. Konkludimi mund të jetë që bota po mundka pa megalopolisin, pa atë mënyrë jetese që e mundëson, të bazuar në hedonizëm dhe konsumerizëm të pafrenuar. Kur shohim Nju Jorkun, Parisin, Londren, Madridin, Pekinin, Lisbonën e shumë metropole të tjera që janë shndërruar në qytete fantazma, mund ta kuptojmë se koranavirusi më së shumti e ka sulmuar dhe dërrmuar metropolin, si koncept, si mënyrë jetese, si simbol të Postmodernizmit. Është për të shpresuar se pas përfundimit të pandemsië edhe metropolet do të rehabilitohen e rigjallërohen, por më asnjëherë nuk do ta rikthejnë statusin si modeli kryesor i jetesës. Distancimi social, si traumë e gravuar në mendjer, do ta vazhdojë luftën ndaj metropolit, edhe pas përfundimit të pandemisë. Edhe mediet gjatë kësaj kohe të pandemisë i janë rikthyer më shumë vokacionit të dikurshëm modernist të tyre, kur ishin më shumë zëdhënëse të qeverive e të interesave shtetërore, se sa projekte për argëtim dhe për reklamë. Media e ka ruajtur dhe madje e rritur ndikimin në këtë periudhë të pandemisë, por është zhvendosur nga roli argëtues e provokues, në një rol shumë më qeveritar e komunitar. Edhe demokracia dhe globalizmi si dy kushtet e lulëzimit të Postmodernizmit, janë duke u vënë në diskutim, për shkak të joefikasiteti të shteteve liberale dhe të organizatave ndërkombëtare, OBSh në rend të parë. Shtetet nacionale dhe gardhiqet e tyre tashmë po shikohen si projekte më të sigurta, për t’u mbrotjur jo vetëm nga refugjatët, po edhe nga rreziku i pandemisë. Italia dhe Spanja, si dy shtetet e BE-së, që kanë qenë më së shumti nën presionin më të fortë nga refugjatët nga Afrika, në të njëjtën kohë janë dy shtetet e BE-së, më të goditura nga koronavirusi. A ëhstë rastësi? Këtë nuk e dimë. Por qysh tash e dimë që Italia dhe Spanja, pas pëfundimit të pandemisë, do të rikthehen më shumë te modeli i shtetit-komb, duke dobësuar lidhjet me Brukselin. Ndryshimi i politikave të tyre në këtë drejtim, sigurisht që do ketë ndikim mbi vlerat e demokracisë dhe do ta frenojë globalizmin. Nëse është atakuar metropoli, media, demokracia dhe globalizmi, kjo do të thotë se është atakuar në palcë vetë Postmoderizmi. Pra gjendja kovidiste (asociacion i lodhtë me gjendjen postmoderne të Lyotarti) po e vë në diskutim Posmtodernizmin, në disa nga shtyllat qenësore të tij. Nëse këto shtylla dobësohen në plan afatgjatë, ose bien, atëherë posmtodernizmi do të jetë në sprova serioze. Prandaj, është e mundshme, ndonëse jo plotësisht e sigurt, që bota që do të modelohet pas pandemisë së koronvirusit, si Kovidizëm, sado ambicioze që të duket kjo pandehmë.

Pandemia ka rikthyer në jetë disa modele e vlera, që përmbajnë distancim dhe refuzim social, bestytni, mite e përjetime traumatike, të cilat shtetin modern mund ta shpiejnë drejt shtetit totalitar si strehë, që përjetohet si më e sigurt. Masat që po ndërmarrin disa shtete, për të zbbërë të drejtat dhe liritë qytetare, në emër të luftës kundër pandemisë, rrezikojnë t’i rrënojnë liritë e individit dhe ta kthejnë mitin e shtetin në rolin e babait dhe të qytetarëve/shtetasve në rolin e fëmijës, e gjitha e shoqëruar dhe e ndihmuar nga mite, ideologema e kujtime traumatike, që prodhojnë frikë, pasiguri e ankth kolektiv. Simbol karikatural mund të bëhet Shqipëria e Edi Ramës, ku qeveria nxori tanket në rrugë, gjoja për ta luftuar koronavirusin! Si u luftuaka koronavirusi me tanke?! Ky duket si pretekst për të evokuar defilimet e dikurshme të kohës së regjimit totalitar të Enver Hoxhës dhe për ta cimentuar regjimin autoritar të Edi Ramës.

Përtej sentimenteve, nostalgjive, bestytnive dhe miteve, reagimi energjik i shtetit kinez, po të shikohet në relacion me mënyrën e reagimit të shteteve liberale demokratike, Italisë e Spanjës në rend të parë, ka ofertuar shtetin totalitar si model më të sigurt për mbrojtjen e shtetasve/qytetarëve në situata të tilla. Mbase me këtë inspirim, disa shtete në Evropë, si Hungaria, Serbia, Shqipëria, kanë përdorë element të shtetit të tillë për të përballuar përhapjen e pandemisë. Tash për tash kjo shihet si reagim ndaj gjendjes. Por, gjendja postpandemike ka rrezik ta imponojë si konkurues një version të mutacionit, ku shteti-komb do të rikthehej në rolin e babait, ashtu si e kishte konceptuar Zhan Zhak Rusoi. Prognoza se kjo tendencë për ta rikthyer shtetin totalitar mund të luftohet lehtë është mjaft e zymtë, ngase frika e njerëzve do të jetë afatgjatë dhe nga ana tjetër shteti liberal, i modelit që është në Bashkimin Evropian, i ka humbur disa nga atributet e mirëfillta të shtetit dhe është shndërruar më shumë në servis të korporatave, se sa në shërbim të qytetarëve. Shihni mënyrën katastrofale të menaxhimit të krizës nga shteti italian dhe ai spanjoll dhe e keni vështirë ta kuptoni se si janë në atë gjendje këto shtete të pasura. Prandaj përpjekja e njerëzve për të gjetur ilaqe popullore, me hudhra, me sodë bikarbone e me limon, si edhe prodhimi zejtar i respiratorëve është dëshmi në favor të tezës se shteti liberal e ka humbur besimin e shumë njerëzve. Prandaj, shteti liberal me tërë sistemin e vlerave postmoderniste, do të jetë nën goditjen e pakënaqësisë, pas përfundimit të pandemisë, si nga ideologjia populiste ashtu edhe nga pakënaqësia e qytetarëve. Nëse jo në stilin e dikurshëm të Musolinit, “gjithçka në shtet, asgjë jashtë shtetit, asgjë kundër shtetit”, atëherë në një version më mistik, ndoshta në pajtim me sloganin e dikurshëm të Inkuizicionit, “L’Italia prima.” Në një video virale që u përhap si shenjë e zhgënjimit me Bashkimin Europian dhe me SHBA-të, për mosofrimin ndihmës për Italinë, afrimohen vlerat e hershme të Italisë, Italia si djep i kulturës dhe civilizimit europian e rrjedhimisht edhe ideja se Italia do t’i rikthehet vetvetes, pra, Italisë së dikurshme paramoderne/moderne, Italisë krenare, të fuqishme, të vetëmjaftueshme. (Videoja meriton analizë të thellë në këtë drejtim.)

Për të kuptuar gjithë përmbysjen që ka sjellë pandemia e kovidit 19 në botë, qasjet parciale medicinale, ideologjike, politike, kulturore e civilizuese nuk do të mjaftojnë. Qasjet parciale vetëm, sa e rrisin konfliktualitetin. Është e domosdoshme që problematika të vendoset në një kornizë adekuate epistemologjike, në kuptimin e gjerë të kësaj fjale, sepse kriza e ka burimin te kufijtë e ngushtuar të njohjes. Kjo do të thotë se për ta kuptuar këtë që po ndodhë sot me pandeminë e koronavirusit dhe atë që do të vijë si pasojë/rezultat i saj, duhet të adoptohen botëvështrime, teori dhe metoda adekuate, që e mundësojnë njohjen reale të problemit konkret, ndërlidhninë e tij me përvojat nga e kaluara dhe parashikimin eventual të pasojave/rezultateve që do të përftohen nga kjo pandemi. Rrjedhimisht, duhet të zgjerohen kufijtë e dijes njerëzore, të cilët Modernizmi i ka ngushtuar, ndërsa Postmodernizmi i ka ironizuar. Tash kur pandemia ka atakuar seriozisht kujtesën, imagjinatën, intelektin, vullnetin, intuitën dhe njohjen, që buron prej tyre, duhet të rishikohen mundësitë e reja të dijes. Fjala vjen, duhet të rishikohet se sa jemi të vetëdijshëm se kjo pandemi është e ndëlidhur, në mos ciklike, me epidemi e sëmundje të ndryshme në mijëvjeçarët e shkuar, për çka nuk ekziston një njohje e sigurt? Pakgjë dihet për llojet e sëmundjeve në mijëvjeçarët e hershëm. Sa kanë ndikim faktorët socialë e kulturorë në shfaqjen e këtyre lloj sëmundjeve? Çka është standard e çka është specifike, në mënyrën e përballimit individual të infeksionit, përveç imunitetit dhe moshës? A na ndihmon kjo përvojë e hidhur e tashme, për të nxjerrë mësime për të ardhmen?

Edhe pse tronditja e tashme emocionale e njerëzve e ka tejkaluar edhe tronditjen e luftërave botërore, duhet të hapet debat global për kët çështje. Besoj se edhe në rastin me pandeminë e koronavirusit, ku dominon frika individuale dhe përpjekja egoiste për të shmangur infektimin, njeriu mund të reflektojë e të kthjellohet. Njeriu nuk e humb aftësinë e gjykimit të drejtë për përmasën reale të problemit me të cilin ballafaqohet, as në situatat më të rënda, natyrisht nëse e ruan vetëdijshmërinë e vet mendore. Pra, tash është momenti të diskutohen problemet që nga standardizimi i menysë së ushqimit përkatësisht të përdorimit të produkteve ushqimore, si të botës shtazore/shpezore, deri te qëndrimi i njeriut ndaj botës. Fjala vjen, Organizata globale si OKB, OBSH, etj., duhet të mendojnë për krijimin e një antimenyje të ushqimeve, pra të produkteve që nuk preferohen për arsye biologjike/higjienike/shëndetësore. (Po të ishte bërë ajo antimeny më herët, e po të respektohej, mund të mos kishte shpërthyer pandemia në Kinë, që me sa po duket, ishte pasojë e tregëtimit të mishit të lakuriqëve, pra, ushqime për të cilat pjesa tjetër e botës ngjethet vetëm kur i përfytyron.) Dija shkencore e deritashme nuk e ka bërë as filtrimin elementar të traditave, me çka do të eliminoheshin shprehitë e këqija në favor të disa vlerave universale. Në këtë kontekst mbajtja e shprehive të vjetra, e besimeve pagane, praktikimi i ritualeve primitive, esencialisht sataniste, në kohën e globalizimit, ka virulencë të madhe në indokrinim dhe në humbjen e aftësisë së gjykimit të drejtë të shumë njerëzve, ndërsa dija shkencore e as thirrja fetare nuk kanë arritur të ndikojnë për dekurajimin e tyre as në shekullin XXI. Shkaku i njohjes së ndryshme shkencore, si edhe i keqpërdorimit eventual të njohjes shkencore në anën tjetër, ndodhin epidemi e fatkeqësi të shumta. Në librin “Konkuista e Amerikës” Cvetan Todorovi ka sjellë edhe këtë dëshmi rrënqethëse lidhur me epideminë e lisë ndër indianët: “Në fillim ishte shuplaka e lisë, të cilën e kishte sjellë një ushtar i Narvaezit. Meqë indianët nuk e dinin ilaçin që e shëron këtë sëmundje dhe meqë e kanë për zakon që të lahen shpesh e shpesh, qofshin shëndoshë apo të sëmurë, vazhduan kështu edhe kur u ra sëmundja e lisë.Vdekja i vu përpara dhe vdiqën si çimkat. Shumë të tjerë vdiqën urie, sepse, meqë ishin të gjithë rrah përtokë nga sëmundja, s’mund të kujdeseshin për njëri-tjetrin, kështu që nuk kishte kush t’u jepte bukë, ose cfarëdo gjëje tjetër”.(Todorov:171) Pra, nuk mjaftojnë ditarët e Kristofor Kolombos a të Marko Pollos, për ta kuptuar historinë dhe fatet e kontinenteve e njerëzve, po duhet dije e mirëfiltë shkencore, e cila i paraqet njerëzit ashtu si janë, unikë në krijimin e tyre, e jo disa si nënnjerëz, siç i përshkruante Kolombo njerëzit që gjeti në Amerikë.

A ka zgjidhje? Zgjidhja është në krijimin e një sinteze shkencore, e cila do të vlente dhe do të ishte në shërbim të të gjithë njerëzve, e jo vetëm grupeve a kombeve të caktuara. E dyta, një bashkëveprim ndërmjet shkencës dhe Shpalljeve Hyjnore, do ta zgjeronte edhe më shumë kornizën e njohjes shkencore. Pse? Sepse librat e shenjtë janë miniera të vërteta të të dhënave për natyrën e njeriut, për format e organizimit të individëve, të familje e shoqërive, për dukuritë dhe ligjet në natyrë e në gjithësi, për moralin dhe të drejtën, për jetën dhe vdekjen, si edhe për sëmundjet e fatkeqësitë që i kanë goditur popujt e ndryshëm përgjatë ekzistencës, që nga përmbytja në kohën e Nuhut (Noes) e këndej. Po të ishin studiuar me vëmendjen e duhur shkencore të gjitha ato njoftime në librat e shenjtë, po të ishte identifikuar gjeografia dhe koha e ndodhive, dinamika dhe ritmika e tyre, alegoritë dhe mesazhet e afishuara të tyre, do të përfitohej një njohje shumë e madhe, e cila do të mund të ndriçonte edhe aspekte të ndodhive të sotme. Por, sikundër që dihet, nën ndikimin e Modernizmit, librat e shenjtë janë injoruar. Me këtë rast nuk provohet të jipet përgjigje në disa pyetje logjike: si kanë arritur popujt e lashtë të përballojnë sëmundjet dhe epidemitë e ndryshme, si e kanë ruajtur ritmin e rritjeve demografike, (me lindje të fëmijëve pa asistencë mjekësore) dhe ashtu e kanë populluar tërë planetin, që në kohët paramoderne? Fakti që është fabrikuar miti se janë zbuluar kontinente në kohët moderne, ndërsa ato kontinente me mijëra vjet më herët kanë qenë të populluara, është dëshmi e një qasjeje pseudoshkencore dhe të motivuar ideologjikksht. Librat e shenjtë rrëfejnë se popujt e lashtësisë kanë jetuar më afër natyrës, rrjedhimisht janë imunizuar më lehtë, janë ushqyer në mënyrë më të shëndetshme, janë mjekuar me metoda më praktike, jetën dhe vdekjen i kanë kuptuar në një korelacion më të natyrshëm se sa që i kupton njeriu i sotëm, i cili në këto aspekte është më injorant se sa njeriu i kohëve të hershme. Prandaj kundërpyetja që do të mund të bëhej sot, në këtë kontekst është: pse këta individë e këto shoqëri të iluminuara, këto shtet-kombe të zhvilluara dhe kët metropole gjigande të sotme, me këtë mjekësi të zhvilluar, nuk po kanë përgjigje as për menaxhimin më kreativ social e as për mjekimin më efikas të koronavirusit? A paskësh qenë e gjithë filozofia e shtet-kombeve, një kreksoje me hekur, me makina, me ndërtesa të larta, me armë të shkatërrimit në masë dhe e metropoleve, veç me hedonizëm e konsumerizëm të pafrenuar? A mos është filozofia dhe praktika e mjekësisë së sotme, duke përfshirë edhe karantimin, filozofi dhe praktikë e zbuluar shekuj më herët, kur distancimi social ka qenë mënyrë e natyrshme jetese? Përgjigje në këtë kundërpyetje nuk ka, sepse njohja e sotme shkencore është e fragmentuar, përjashtuese ndaj sintezës e ndaj koegzistencës miqësore të shkencës me Shpalljet Hyjnore. Njohja e sotme mbështetet kryekëput në fuqi ushtarake, ekonomike dhe arsimore. Pra, në dijen e fragmentuar të shkencave ekzakte. Në këtë pikë jemi sot: Modernizmi arrogant e Postmodernizmi cikik, të mbështetur në fuqi ushtarake, ekonomike e arsimore, përballë një virusi. Virusi po i sfidon me një sukses fillestar tronditës, duke ua lëkundur themelet, veçmas Postmodernizmit.

Këtu tash është rasti të kthehemi te pyetjet e fillimit: a do të ndryshojë bota pas koronavirusit, a do të mbetet njësoj, apo bota do të ndryshojë, duke mbetur njeriu i njëjtë edhe pas koronavirusit? Përgjigjen se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, njerëzit nuk mund ta dinë, sepse ajo mundësi nuk u është dhënë. Por, në bazë të njohjes me burim hyjnor mund të supozohet se bota do të ndryshojë, por njeriu do të mbetet i njëjtë, në prirjen e tij egoiste, megallomane dhe injorante. Sapo të kalojë kriza, shumica e njerëzve do t’u kthehen punëve e shprehive të vjetra, mënyrës së vjetër të jetesës, duke e sforcuar interesin individual e duke e minimizuar atë familjar, duke e afirmuar egon personale e duke participuar minimalisht në interesin kolektiv. Duke mos e falënderuar Zotin e duke mos iu frikësuar Zotit. Do të fillojnë evokimet imagjinare të përjetimeve, në artin letrar, në teatër e kinema, në pikturë e në muzikë, në memoaristikë. Do të organizohen seminare e simpoziume shkencore karnevaleske, ku do të flitet për koronavirusin. Por në të njëjtën kohë do të vazhdojnë të mbahen meny të njëjta, me synimin që të “perfeksionohet shija” edhe për mishin e lakuriqit! Ndërsa, përtej kësaj, ndryshimi në botë tashmë ka ndodhë: një virus e ka mposhtë diturinë dhe organizimin e deritashëm të mbarë njerëzimit. Po njeriu a e ka kuptuar saktë se sa i pafuqishëm është? Nëse ka filluar ta kuptojë, atëherë shkencës do t’i duhet t’ia nisë ta kërkojë sintezën, të cilën vetë njeriu e ka shpërbërë. Shkencës do t’i duhet të ofrojë zgjidhje më efikase, shoqërinë, për shtetin, shëndetësinë, arsimin, kulturën, për familjen dhe individin, në frymën e asaj që pati thënë Ajnshtajni: “Shkenca pa fenë është e çalë, feja pa shkencën është e verbër.”Shkenca duhet ta rikthejë botëvështrimin teuhidist për botën, duke i observuar dukuritë, që nga virusët e deri te kosmosi, si vepër unike e një Krijuesi Absolut. Ndërsa interpretuesit e besimeve abrahamike duhet të braktisin mitologjitë që ua kanë zënë frymën dhe të bashkohen me diturinë e vërtetë, në afirmimin e mrekullisë së krijimit. Mbetet fakti që njeriu është kokëfortë, përpiqet të mos ndryshojë vetë, edhe kur ndodhë ndryshimi, të cilin e provokon vetë. Në fakt, njeriu është subjekti kryesor i ndryshimit që ndodhë në botë. Pika e dobët e epistemologjisë me bazë materialiste është njohja e natyrës së njeriut. Ndërsa pikërisht njohja e natyrës së njeriut është pika më e fortë e fesë. Të bëra bashkë, në një aleancë të sinqertë, mund ta gjejnë zgjidhjen edhe për problemin kaq tronditës të njeriut, siç është pandemia e koronavirusit dhe pasojat shumëplanëshe që ka shkaktuar e që do t’i lë të hapërdara në gjithë botën, më së shumti në psikën e njeriut. Ndaj, kjo përmbysje e shkaktuar nga virusi, është një shans për një ringritje të mirëfilltë diturore e shpirtërore të njeriut, në pajtim me misionin inicial të njeriut, si mëkëmbës i Zotit në Tokë. (8 prill 2020)