Duaja pas namazit dhe fërkimi i fytyrës pas lutjes

3946

(…) Sikur që përmendëm më lartë, është e preferueshme (mustehab) që pas dhikrit të bëhet edhe duaja e namazit.

Ebu Umame r.a. na rrëfen: “Dikush e pyeti Pejgamberin a.s., se cilat janë ato lutje që pranohen më së shpeshti? Ai a.s. u përgjigj: “Ato lutje që bëhen në pjesën e fundit të natës dhe ato që bëhen pas namazeve të obliguara.” (Imam Tirmidhiu).

Gjithashtu, preferohet që gjatë duasë, duart të ngriten me shuplaka në drejtim të qiellit. Në Sahihun e Imam Muslimit thuhet se Enes ibn Maliku r.a. ka thënë: “E kam parë Pejgamberin a.s. duke bërë dua me duart e ngritura, sa që i qenë dukur edhe pjesët e bardha të nënsqetullave.” (Imam Muslimi).

Kur jemi te lutja (duaja), gjithashtu, është e preferueshme që me shuplakat e duarve të përshkohet fytyra, ndërsa kjo mbështetet te transmetimi që përcillet nga Ebu Davudi, e ky nga Saib ibn Jezidi, kurse ky nga babai i vet, se “kur Muhammedi a.s. bënte dua, pas mbarimit, me duart e tij fërkonte fytyrën.” (Ebu Davudi).

Për në fund, duke mos e konsideruar aktin si diç të obligueshëm, imami së bashku me xhematin mund të bëjnë lutjen bashkarisht, pra në xhemat. Kjo mbështetet te hadithi i vërtetë (sahih), të cilin e shënon imam Taberani: “Allahu xh.sh. do ta pranojë lutjen e një grupi njerëzish, nga të cilët disa luten, e disa të tjerë thuan aminë.” (Imam Taberani).

Shqipëroi:
Mehas Alija

(Autorë: Elvir Duranovic dhe Sumeja Ljevakovic-Subasic, Namaz u tradiciji bosnjaka, Sarajevo, 2020, fq. 99-100)

(Islampress)