Nata e madhe e Regaibit

3191

Resul Rexhepi

– Fillim i tre muajve të dalluar –

أَللَّهُمَّ بَارِكْ لَنَا فِي رَجَبَ وَ شَعْبَانَ وَ بَلِّغْنَا رَمَضَانَ.

“O Zoti ynë, na begato në (muajt) Rexheb dhe Sha’ban dhe mundësona ta arrijmë Ramazanin”. (Hadithi sherif)

Është më se e ditur se Allahu i Lartmadhërishëm ndër muajt më të mirë të vitit, ka zgjedhur muajin e Ramazanit, ndër netët më të mira, e ka zgjedhur Natën e Kadrit, ndër ditët e vitit, e ka zgjedhur ditën e Xhuma, ndër vendet më të bekuara, e ka zgjedhur Mekën, kurse ndër njerëzit e ka zgjedhur Hzr. Muhamedin (a. s.).

Kur jemi te netët e mëdha, ose të mira, duhet të konstatojmë se ato janë: Nata e Regaibit, Nata e Beratit, Nata e Israsë e Miraxhit dhe Nata e Kadrit.

Në vazhdim, shkurtimisht, do të shkruajmë për Natën e Regaibit.

Ç’është Nata e Regaibit?

Në gjuhën arabe “Regaib” është shumësi i fjalës “ragibe”, që do të thotë: “dëshirë”, “gjë e dëshiruar”, “dhunti”, “dhuratë”, “shpërblim”, “nxitëse për vepra të mira”, mbase ka edhe kuptime të tjera.

Në aspektin fetar fjala është për Natën e Madhe, e cila i paraprin xhumasë së parë të muajit hënor Rexheb, kur edhe fillojnë tre muajt e mëdhenj.

Sipas kalendarit hënor, Nata e madhe e Regaibit bie në natën e xhumasë së parë (nata që lidh ditën e enjte me të premten) të muajit Rexhep, i cili është edhe muaji që iu paraprin muajve Sha’ban dhe Ramazan. Në fakt, çdo natë e xhuma është e madhe dhe e bekuar, por kur këto dy net bien bashkë, siç është rasti me Regaibin, atëherë ajo natë bëhet ku e ku më e mirë, më e madhe, më e bekuar, më e rëndësishme dhe më e dobishme.

Sipas mendimeve të dijetarëve islamë, në këtë natë Allahu i madhëruar e ka begatuar hazreti Muhamedin (a. s.) me dhunti dhe dhurata shpirtërore shumë të çmuara. Edhe i Dërguari ynë i dashur, në këtë natë, e ka lavdëruar dhe falënderuar Allahun (xh. sh.) me lutje, teube, kërkim falje (istigfar) dhe me namaz. Ekziston edhe një mendim sipas të cilit tregohet se në këtë natë të bekuar, nëna e Pejgamberit tonë Emineja e kishte ndierë veten se kishte ngelur shtatzënë dhe se do të ishte nëna e më të dashurit të Allahut (xh.sh.), e më të zgjedhurit të njerëzimit.

Myslimanët e mëhershëm, kësaj Nate të madhe të Regaibit i kanë kushtuar kujdes meritor. Me ligjëratat dhe vazet e tyre popullit ia kanë bërë me dije se cila është rëndësia dhe vlera e kësaj nate, duke e ilustruar me praktikën e Pejgamberit (a. s.). Nuk ka dyshim se në këtë natë, falë mëshirës së Mëshiruesit, pranohen lutjet, kërkim faljet, pendesat e robërve besimdrejtë.

Regaibin duhet begatuar me ibadete e sadaka

Në një hadith të transmetuar nga Enesi (r. a.), Pejgamberi kishte thënë: “Kujdes, përpiqu të rrish zgjuar natën e xhumasë së parë të muajit Rexhep, të mos e kalosh atë në shkujdesje, sepse melaqet asaj nate ia kanë vënë emrin Regaib!” Ndërsa në disa hadithe të tjera për rëndësinë e kësaj nate, Pejgamberi (a. s.) thotë: “Atë që e vlerëson natën e xhumasë së parë të muajit Rexhep (pra Natën e Regaibit), Allahu i madhëruar nuk e dënon në varr.”   Pastaj: “Lutja që bëhet në këto pesë net nuk kthehet mbrapsht: Në natën e Regaibit, natën e 15 të Sha’banit, natën e Xhuma, natën e Bajramit të Ramazanit dhe natën e Kurban Bajramit!” 

Duke u bazuar nga sa u tha më sipër, nga besimtarët tanë kërkojmë që këtë Natë të Madhe të Regaibit ta kalojmë sa më shumë me ibadet-adhurim, duke agjëruar ditën e enjte dhe duke vazhduar më pas me namaz nafile, duke dhënë sadaka e duke ndihmuar edhe të afërmit po edhe nevojtarë, duke i dërguar salavate e selame Pejgamberit (a. s.) pa ja ndarë, duke gëzuar anëtarët e familjes e në veçanti fëmijët. Nuk duhet harruar traditën e të parëve tanë që këtë natë, si dhe netët e tjera të mëdha, e kanë shënuar edhe me pak hallva apo ëmbëlsirë tjetër, të cilën ua kanë ndarë edhe fqinjëve të tyre. Besimtari duhet që në çdo kohë, por sidomos në netët e mëdha (të mira) të bëjë përpjekje që, edhe nëse ka qenë i hamendësuar, t’i kthehet Krijuesit, ta braktisë rrugën e gabuar dhe të pendohet sinqerisht. Kur njeriu është i vetëdijshëm për rrugën e gabuar që ka ndjekur, pendohet dhe bënë kërkim falje, s’ka dyshim se Allahu është “Gafurrun Rrahim” – “Falës dhe Mëshirues”. Prandaj, ditët dhe netët e mëdha janë rast i volitshëm për ta përmirësuar gjendjen e padëshirueshme në të cilën kemi qenë dhe përfundimisht të largohemi nga gjynahet dhe të hedhim hapa të rëndësishëm drejt mirësive. Natën e madhe të Regaibit, sikundër edhe netët e tjera të mëdha, duhet begatuar me vizitat që u bëhen në këto kohë të afërmve, fqinjëve, të sëmurëve, apo shoqërisë, duke e uruar dhe lutur Allahun për mirëqenie të përgjithshme. Leximi ose dëgjimi i Kuranit, – duke u angazhuar që sa më shumë të veprojmë sipas mësimeve dhe rekomandimeve të tij, – është një tjetër dimension që e begaton këtë natë të madhe. Edhe agjërimi i ditës së enjte, që i paraprin kësaj nate të madhe, është me përplot sevape, sikurse edhe falja e namazeve kaza dhe të luturit e Allahut të Lartësuar për të na falur neve, prindërit tanë, trashëgimtarët tanë dhe të gjithë besimtarët. Në këtë natë të madhe, shpërndarja e sadakasë jetimëve e nevojtarëve, është shumëfish e shpërblyer nga ana e të Madhit Zot.

Transmeton Ebu Hurejreja se si Pejgamberi (a. s.) me një rast ka thënë: “Allahu (xh. sh.) në një hadith kudsij ka thënë: “I kam shpallur luftë atij që bëhet armik i mikut tim. Për Mua vepra më e dashur me të cilën robi Im mund të më afrohet, janë farzet. Robi im më afrohet me nafile deri sa ta dua, e kur ta dua bëhem dëgjimi (veshi) i tij me të cilin dëgjon, shikimi i tij (syri) me të cilin sheh, dora e tij me të cilën merr (kap) dhe këmba e tij me të cilën ecën. Nëse më lutet, do t’i përgjigjem, e nëse e kërkon mbrojtjen Time, do ta mbroj”.

Prandaj, të lutemi të gjithë, ditë e natë dhe pa ja ndarë, që Allahu (xh. sh.) të na begatojë në muajt Rexheb dhe Shaban dhe të na mundësojë që ta arrijmë muajin Ramazan. Ta përjetojmë në shpirt kënaqësinë e netëve të mira dhe të muajit të Ramazanit e të angazhohemi për të merituar mëshirën e Krijuesit. Ai, Allahu vërtet është i Mëshirshëm!

[Marr nga libri: Tema islame (festat, ditët dhe netët e mëdha), të autorit Resul Rexhepi, botuar nga Shtëpia botuese “Dituria Islame”, Prishtinë 2020].

(Bislame.net)