Parimi islam i Shura-s e kundërshton tiraninë dhe arbitraritetin

675

Dr. Muhamed Emare

Tirania është armiku i njerëzimit, kurse shura (konsultimi, këshillimi) është detyrë islame, të cilën Allahu e ka përcaktuar dhe urdhëruar në qeverisjen e shtetit, madje edhe kur i pagabueshmi i Dërguari Allahut (sal-lallahu alejhi ve sel-lem), ishte udhëheqës i shtetit. Allahu i Plotfuqishëm, ka shpallë:

“Në saje të mëshirës së Allahut, u solle butësisht me ta (o Muhamed!) – e sikur të ishe i ashpër dhe vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje. Falju gabimin atyre dhe kërko falje te Allahu për ta, e bisedo me ta për punë të jetesës. Kur të vendosish për diçka, mbështetu te Allahu. Se Allahu me të vërtetë, i do ata që mbështeten tek Ai.” (Alu Imran, 159)

E DREJTA E TËRË UMMETIT

Shura ose konsultimi është një nga karakteristikat e besimtarëve në të gjitha fushat e jetës individuale dhe shoqërore, siç ka ardhur në ajetet vijuese:

“Çdo gjë që ju është dhënë juve, është vetëm kënaqësi në jetën e kësaj bote, e ajo që është te Allahu (dhurata), është më e mirë dhe më e përhershme për ata që besojnë dhe mbështeten te Zoti i tyre; – për ata që ruhen prej mëkateve të mëdha dhe të këqijave dhe të cilët, kur t’i zemërojë dikush, falin; – për ata që i përgjigjen thirrjes së Zotit të tyre, dhe të cilët bëjnë namazin e këshillohen reciprokisht në punët e tyre, dhe të cilët ndajnë nga ajo që u kemi dhënë Ne, – dhe për ata të cilët kur i godet ndonjë zullum (i vazhdueshëm), i rezistojnë (atij)…” (esh-Shura, 36-39)

Shura është gjithashtu mekanizëm vendimmarrës në familje dhe tulla e parë në ndërtimin e ummetit, siç thotë Allahu i Madhërishëm:

“Nënat le tu japin gji fëmijëve të tyre dy vjet të plota, për ata që duan ta plotësojnë gjidhënien. Babai i fëmijës është i obliguar, sipas mundësisë së tij, që t’i furnizojë ata me ushqim dhe veshmbathje. Nuk ngarkohet askush përtej mundësisë që ka: nëna le të mos dëmtohet për shkak të fëmijës së saj, e as babai të mos dëmtohet për shkak të tij. Dhe trashëgimtari është i obliguar për të gjitha këto. Nëse këta të dy (prindërit), vendosin me marrëveshje dhe në mënyrë paqësore ta ndajnë fëmijën prej gjirit, kjo nuk është mëkat për ta; e nëse doni t’i gjeni fëmijës suaj ndonjë mëndeshë (grua që i jep gji fëmijës së tjetër kujt), – nuk është mëkat për ju kur me mirësi doni t’ia jepni atë që e keni menduar. Druajuni Allahut dhe dinie se Allahu i sheh mirë të gjitha punët që i bëni ju.” (el-Bekare, 233)

Shura është e drejta e të gjithë muslimanëve dhe të gjithë bëjnë mëkat nëse e braktisin dhe neglizhojnë institucionin e shura-s. Ajo nuk është privilegj i një klase ose elite dhe zbatohet në përgjithësi në të gjitha fushat e jetës, sepse është e detyrueshme, dhe nuk është akt “i padetyrueshëm dhe i lavdërueshëm”, siç duan ta paraqesin tiranët dhe absolutistët.

THEMELI I PUSHTETIT

Ish-shejhu i Al-Az’harit, Mahmud Sheltuti, duke folur për këto kuptime dhe detyrime të shura-s, ka thënë: “Sipas dispozitës kuranore mbi parimin e shura-s (konsultimit, këshillimit) Islami e ka gjykuar armikun e njerëzimit, e kjo është tirania dhe absolutizmi në pushtet dhe mendim, si dhe monopolizimit të legjislacionit dhe administratës, duke i siguruar individit respekt dhe dinjitet ideologjik, kurse bashkësisë të drejtën natyrore për t’i menaxhuar punët e saj.

Kurani, pasi e vendosi shura-n midis dy rregullave themelore të Islamit, namazit dhe shpenzimeve në rrugën e Allahut – “Dhe të cilët bëjnë namazin e këshillohen reciprokisht në punët e tyre, dhe të cilët ndajnë nga ajo që u kemi dhënë Ne” -, nuk e dëshiron nga shura këtë imazh të keq që e kemi hasur në të kaluarën, as përulësinë para tiranëve dhe monopolin e tyre mbi shura-n, duke e marrë atë si mbulesë për tiraninë e tyre morale dhe psikike me dëshirën për t’ia marrë të drejtat e saj, por e dëshiron atë si të vërtetë dhe fakt të pastër në vërtetësinë e saj, ashtu siç dëshiron nga namazi dhe shpenzimet në rrugën e Allahut, kuptimet e tyre reale dhe thelbësore përmes të cilave realizohet efekti i tyre i pastër dhe pozitiv në jetën njerëzore.

Shura në ambientin e së cilës hipokritët investojnë dhe shtiren si të sinqertë dhe të vërtetë, kurse sunduesit të sinqertë e fshehin farën e së keqes dhe korrupsionit, nuk ka asnjë vlerë tek Allahu.

Islami nuk mund të neglizhojë dhe të heqë nga themelet e qeverisjes parimin natyror në jetë, që është shura ose këshillimi dhe konsultimi, as ky parim nuk mund të jetë i dëshirueshëm kur deklarohet jo-detyrues dhe i lavdërueshëm, qëllimi i të cilit është vetëm afrim i zemrave muslimane dhe pastrimin e shpirtrave, pa punuar sipas tij dhe pa zbatimin e tij në praktikë, gjë që edhe është qëllim i atyre që e krijuan tiraninë dhe sundimin tiranik.

Shura në Islam nuk është e dëshirueshme si “imazh i falsifikuar” me të cilin mjeshtrit e tiranisë do ta justifikonin tiraninë e tyre, por si rregullore, si e drejtë e ummetit të cilën ajo e merr me forcë, dhe si detyrim (vaxhib) i cili nëse lihet të gjithë muslimanët do të ishin mëkatarë për shkak të saj, dhe në fund si një fakt që ka efekt praktik në pushtet dhe në politikën e bashkësisë.

Shura e cila individin e korruptuar dhe të prishur ose atë që është budalla, do ta bëjë sundimtar të cilit ummeti duhet t’i bindet, nuk ka asnjë vlerë tek Allahu.

Institucioni i shura-s ose organit këshillues, nën ombrellën e të cilit njerëzit e sinqertë nuk gjejnë hapësirë ​​në të cilën do të mund t’i zbulonin abuzimet e pushtetit dhe korrupsionin e të pabesëve, nuk ka asnjë vlerë tek Allahu.”

Ja, kështu ka folur shejh Sheltuti mbi parimin dhe institucionin e Shura-s në Islam, dhe fjalimi i tij fiton edhe më shumë rëndësi dhe peshë, nëse merret parasysh fakti, se ai këtë e shkroi dhe e foli përpara tiranisë, tiranëve dhe hipokritëve.

Burimi: https://saff.ba//

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress.ch)