Hfz. Mehas Alija
Të nderuar besimtarë, jemi kah ditët e fundit të muajit të bekuar të Ramazanit dhe sonte do të përcjellim edhe natën e 27-të të Ramazanit, natën pretendente të Kadrit.
Me këtë rast do të mjaftohem vetëm me dy-tre mesazhe, sepse edhe ashtu, kur na largohet një mysafir i mirë, ai në fund i zgjedh fjalët dhe mesazhet më të shkurtra, ashtu që të mbahen mend.
Ata që i bënë nderim dhe respektim mysafirit të Zotit, ata sot ndjejnë mërzi për ikjen e tij, sepse mysafirin që e kemi edhe pak ditë, është i tillë që lë gjurmë te të vizituarit dhe te ata që i bëjnë vend. Me siguri se e keni përjetuar në jetë, kur keni pasur në shtëpi ndonjë mysafir të vyeshëm, me dinjitet, i hareshëm dhe me plotë muhabet, dhe në fund kur ai është larguar, keni ndjerë mërzi, e keni ndjerë mungesën e tij. Kështu ndodh edhe me besimtarët e vërtetë, kur ata e përcjellin Ramazanin.
Ramazani po kalon, ai edhe pak ditë nuk do të jetë midis nesh, por ne mundemi që në librin e Ramazanit të shënojmë vepra dhe kujtime të mira, të cilat një ditë do të na shpëtojnë nga dënimi i varrit, do të na japin qetësi dhe siguri kur të ringjallemi, do të na ndihmojmë ta kalojmë Urën e Siratit dhe do të na i hapin dyert e Xhenetit, me mëshirën e All-llahut xh.sh.
Nga ky muaj i bekuar kanë ngelë edhe disa ditë, ndërsa brenda tyre kemi edhe shumë momente të dobishme dhe shanse të mëdha. Kemi edhe disa ditë agjërim, disa iftare dhe mundësi për pranim lutjesh, kemi edhe disa syfire për bereqet, e mbi të gjitha, kemi edhe Natën e Kadrit.
Nata e Kadrit nuk duhet të kuptohet vetëm si një natë që na i falë vetëm gjunahet tona, që na dhuron shumë sevape, apo që na fal shumë shanse dhe mundësi, por si një natë që na duhet për gjatë tërë vitit, për njëmbëdhjetë muaj tutje. Në natën e Kadrit ka zbritur Kur’ani dhe në këtë natë ka filluar ndryshimi, në këtë natë është bërë lidhja midis qiellit dhe tokës. Kur’ani erdhi nga qielli në tokë, për t’i ngritur e lartësuar njerëzit në qiell.
Sipas disa transmetimeve, në Natën e Kadrit erdhi Xhibrili te Muhammedi a.s. dhe i tha “Lexo”, kurse Kur’anin e zbriti si libër leximi dhe libër pune në jetë. Kush i përmbahet udhëzimit të tij, ai as nuk do të poshtërohet në këtë botë, e as nuk do të zhgënjehet në botën tjetër.
Shikuar nga aspekti global dhe fetar, Nata e Kadrit është më e vlefshme se një mijë muaj, por a do të jetë kështu edhe në planin individual, kjo do të varet nga vet ne!
“Allahumme inneke ‘afuvvun kerimun, tuhibbul-‘afve, fa’fu ‘annij!“
“O Allah! Ti je falës, e shumë Bujar. Të pëlqen falja. Më fal mua!“
(Islampress.ch)