Prof. dr. Ahmet Alibashiq: “Pengesa do të ketë, por me to duhet të përballemi me besim në Zotin”

1359

INTERVISTË E RAMAZANIT: Prof. dr. Ahmet Alibashiq për „Mlađak“:Pengesa do të ketë, por me to duhet të përballemi me besim në Zotin

Intervista e realizuar nga: Ajdin Haliliq

Haliliq: Jemi në muajin ramazan, i cili për shumë aspekte është i veçantë për muslimanët, si në Bosnjë dhe Hercegovinë, ashtu edhe në botë. Nga muslimani kërkohet gjithmonë, përfshirë edhe këtë muaj, që të jetë produktiv dhe t’i përmbushë zotimet e tij që ka marrë. Mirëpo, ne po shohim që produktiviteti në botën islame është në një nivel shumë të ulët dhe joproduktiviteti justifikohet nga obligimet fetare. Si ta rrisim produktivitetin dhe t’i bëjmë muslimanët të vetëdijshëm për rëndësinë e përgjegjësisë, veçanërisht në këto ditë ramazani?

Prof. Alibashiq: Ramazani është muaj i produktivitetit shpirtëror, si të thuash. Është e kuptueshme se i ngopuri dhe i urituri nuk janë të njëjtë, dhe nuk mund të jenë njëlloj produktivë në kuptimin konvencional. Për këtë kemi njëmbëdhjetë muaj të tjerë. Por që produktiviteti ynë është i ulët, kjo është fakt. Disa vjet më parë, dikush ka llogaritur që një nëpunës publik në një vend arab punon në mënyrë efektive 12 minuta në një ditë. Ne do të duhet ta ndryshojmë qëndrimin tonë ndaj punës dhe detyrimeve në përgjithësi, nëse duam që të bëhet më mirë për ne. Pejgamberi (savs), kërkoi mbrojtjen e Zotit nga përtacia, pafuqia dhe borxhet, si dhe nga djalli i mallkuar, sepse përtacia shpesh e sjell njeriun në gjendje të dilemave morale. Sa herë kam parë njerëz të mirë, të cilët dëshironin të jetonin përtej mundësive të tyre, kështu që kanë hyrë në borxhe, pastaj borxhet i kanë çuar në gënjeshtra dhe mashtrime sa që ju nuk mund t’i njihnit më. Në këtë kuptim, është e rëndësishme të dimë se burimet tona dhe dijetarët thonë se bota i ka ligjet e saj. Kush dëshiron të ketë sukses në të, duhet t’i respektojë ato. Disa prej nesh mund të mos kujdesen për jetën e kësaj bote, por rruga për në ahiret shkon përmes jetës së kësaj bote. Disa më me dëshirë do të preferonin të mos punojmë dhe të mos ndërtojmë, por nëse këtë e bën konkurrenca, atëherë as ne nuk kemi zgjidhje. Përndryshe, ne do të përfundojmë si ushtria e Mehdiut në Betejën e Umdurman në vitin 1898.

Kur epërsia teknologjike është shumë e madhe, atëherë asnjë heroizëm apo keramet nuk ndihmon. Nga ana tjetër, është e qartë se jo gjithçka mund të arrihet, veçanërisht jo, një komunitet që është aq larg siç është ai musliman. Kjo është arsyeja, pse është e rëndësishme të fokusohemi në prioritetet dhe atë në mënyrë të barabartë në secilin segment: së pari farzet ndaj Allahut të dashur, ndaj njerëzve të tjerë dhe ndaj vetes sonë, kurse pastaj vaxhibet, sunetet, mustehabet etj. Sipas fjalorit të jurisprudencës islame, së pari duhet kujdesur për qëllimet e Islamit në nivelin e domosdoshmërisë (darurijjat), pastaj në nivelin e nevojave (haxhijjat), dhe vetëm atëherë në nivelin e gjërave që zbukurojnë jetën (tahsinijjat). Tundimi është ta arrijmë këtë nivelin e fundit, sepse shpesh është më i lehtë. Por nuk është e qenësishme ajo që është e lehtë, por ajo që është e rëndësishme.

Haliliq: E djathta në Evropë po bëhet faktor i rëndësishëm politik, retorika islamofobe mund të dëgjohet në pothuajse të gjitha parlamentet e Bashkimit Evropian. Shumica e këtyre partive janë në opozitë në vendet e mëdha të Bashkimit Evropian. Duhet pranuar, në shembullin e Hungarisë, Polonisë, Sllovenisë dhe Sllovakisë, ne shohim se këto parti mund të marrin pushtetin. Si duhet të përballen muslimanët me retorikën e re të djathtë dhe nacionaliste në Evropë, dhe si duhet t’i përgjigjet komuniteti musliman përhapjes së këtij diskursi në Evropë? Çfarë ndikimi ka kjo situatë tek muslimanët në Bosnjë dhe Hercegovinë?

Prof. Alibashiq: Së pari, ne duhet ta braktisim mentalitetin e viktimës, e cila gjithmonë pret diçka nga të tjerët. Jo sepse ne nuk jemi viktima, por sepse askush nuk dëshiron ta dëgjojë atë, të paktën jo për shumë kohë. Alternativa është të jemi të fortë dhe të veprojmë në mënyrë proaktive. Së dyti, duhet të ndërtohen urat e miqësisë. Dhe ato nuk ndërtohen duke ngritur zërin tonë vetëm kur na bëhet padrejtësia, por edhe kur ju bëhet të tjerëve, dhe sidomos kur padrejtësinë të tjerëve ua bëjnë muslimanët. Kështu ndërtohet kredibiliteti i anti-racistëve dhe anti-shovinistëve universalë, të cilët nuk janë të zëshëm vetëm kur sulmohet fisi i tyre. Kjo mund të jetë me interes vetëm për anëtarët e fisit tuaj dhe ndoshta për disa nga aleatët tuaj. Më në fund, islamofobia dhe format e tjera të racizmit duhet të demaskohen në çdo hap, me mençuri dhe me këmbëngulje. Fatkeqësisht, neve na ndodh që të bëjmë takime me racistët, përfshirë edhe islamofobët. Dhe nuk do të ishte tragjedi, nëse kjo do të ishte një vlerësim politik që duhej të ishte kështu, por më së shpeshti kjo është rezultat i injorancës sonë ndaj mjedisit tonë. Meqenëse nuk e vlerësojmë profesionalizmin, nuk është çudi që na ndodhin “gafe” të tilla.

Për sa u përket studentëve, ajo që u tha më sipër për ta, do të thotë se ata duhet të fitojnë kompetenca për botën antagoniste, dhe jo për atë dashamirëse. Kjo do të thotë, gjithashtu që ata kanë nevojë të udhëtojnë, të lidhen me bashkëmoshatarët e tyre në të gjithë botën, si muslimane ashtu edhe atë jomuslimane, të paraqiten në publik, të bëhen vullnetarë dhe kështu të fitojnë përvoja të vlefshme që do t’u duhen me të vërtetë nesër. Kjo sot është e rëndësishme kudo në botë, dhe posaçërisht në Bosnjë, e cila varet aq shumë nga mjedisi i saj dhe nga bota.

Haliliq: Jeta e përditshme e Bosnjë dhe Hercegovinës është e mbushur me diskurs mbi konfliktet e mundshme, mbi shkëputjet, etj., kurse mediat janë përmbytur me lajme rreth korrupsionit, ryshfetit dhe trazirave partiake. Të gjithë këta faktorë ndikojnë që të rinjtë të vendosin në një numër gjithnjë e më të madh për largim nga atdheu i tyre. Në një atmosferë të tillë, si t’i shpëtojmë të rinjtë nga largimi nga ky vend, dhe a mund ta shohim fundin e kësaj agonie?

Prof. Alibashiq: Të gjitha këto lajme të zeza qëndrojnë. Nuk mendoj se do të arrinim asgjë duke i mohuar ato. Ndryshimi duhet të bëhet duke reaguar ndaj tyre. A jemi duke u pajtuar me situatën aktuale? A po reagojmë gabimisht? Apo po reagojmë në mënyrë të drejtë: me vendosmëri, por në mënyrë korrekte, pa përdorur mjete të paligjshme dhe duke pritur rezultat pas shtatë ditësh? Krijuesit e situatës aktuale dëshirojnë që ne të reagojmë në njërën nga dy mënyrat e para: të heqim dorë ose të përdorim mjete të paligjshme. Kjo është arsye e mjaftueshme për të mos shkuar në atë rrugë. Largimi nga atdheu është vendim individual dhe një nga format e heqjes dorë, përveç nëse largohet me synimin e kthimit ose qëndrimit në një lidhje. Ndonjëherë komuniteti juaj mund të ndihmohet më mirë nga larg. Disa individë edhe nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të largohen. Andaj nuk do ta gjykoja atë zgjedhje. Është thelbësore të kesh frikë nga Zoti dhe të jetosh për idealet, kudo që të jesh, siç thotë Pejgamberi (savs). Edhe të gjithë ne, edhe ata që largohen, ashtu edhe ata që qëndrojnë, do të dëshironin që një ditë të jetonin në një shtet normal. Duhet ta dimë se ndërtimi i një shoqërie të qëndrueshme dhe të prosperuar nuk është fizikë bërthamore ose astrofizikë, e cila kuptohet vetëm nga disa që kanë patur mundësinë t’ia kushtojnë asaj tërë jetën e tyre. Në historinë e tij të madhe politike të botës, Fukuyama ka arritur në përfundimin e arsyes së shëndoshë që një shtet i qëndrueshëm dhe i prosperuar ka nevojë për tre gjëra: për institucione të forta, për sundimin i ligjit dhe për qeveri të përgjegjshme. Ne të gjithë mund të kontribuojmë në përmbushjen e secilës prej këtyre kushteve. Pyetja është, a jemi të sinqertë kur themi se duam një shtet të qëndrueshëm dhe të prosperuar?!

Haliliq: Koha e sotme është shënuar si postmoderne dhe post-e vërtetë. Në detin e informacioneve, është e vështirë të dallohet e vërtete nga gënjeshtra. Mekanizmat për fshehjen e informacionit të vërtetë dhe përhapjen e gënjeshtrave po bëhen më komplekse. Në këtë kohë dhe në këto rrethana, si duhet të përcaktohemi ndaj këtyre dukurive? Cili është roli i muslimanëve në luftën për të vërtetën dhe çfarë do t’u rekomandonit studentëve tuaj, të rinjve në përgjithësi, për çfarë duhet të ishin të gatshëm në të ardhmen, në mënyrë që “mos t’i shkelë koha”?

Prof. Alibashiq: Keni të drejtë. Jeta është një lojë e gjatë shahu midis së mirës dhe së keqes. Nëse duam ta fitojmë atë lojë, duhet të mendojmë më përpara dhe të jemi një hap para. Dhe ne këtë nuk mund ta bëjmë nëse nuk mendojmë, nëse nuk jemi të udhëzuar në proceset kryesore në botë, nëse nuk jemi dinamikë dhe fleksibël. Koha në të cilën po jetojmë është shumë e paparashikueshme, përkatësisht, mbart aq shumë skenarë të mundshëm, saqë asnjë zgjidhje model nuk ndihmon. Në atë botë, ai që ka më shumë mjete për t’u përballur me pengesat e ndryshme që has, shkon përpara. Mua më pëlqen ajo metafora me kutinë e veglave. Unë kam parë mjeshtër vetëm me një çekiç, dhe se si për mjeshtrit e tillë çdo problem është një mundësi për të goditur me çekiç, shpesh me pasoja katastrofike. Por, gjithashtu kam parë mjeshtër me kuti veglash, për të cilët, pothuajse nuk ka asnjë problem të pazgjidhshëm. Studentët janë në moshën kur në ‘kutitë’ e tyre mbledhin mjete me të cilat do ta kalojnë jetën. Një gjuhë më shumë, një shkathtësi më shumë, një aftësi më shumë, një njohje më shumë,… të gjitha këto janë vegla të cilat do ta bëjnë më të lehtë për ju që nesër t’i kapërceni me sukses pengesat dhe të qëndroni në sipërfaqen e detit të stuhishëm të jetës. Pengesa do të ketë, por me to duhet të përballemi me besim në Zotin.

Redaktorja: Situata në të cilën gjenden muslimanët sot, a është pasojë e largimit të tyre nga burimet themelore të Islamit, Kurani dhe Sunneti, apo ndoshta keqkuptimi dhe zbatimi i tyre i pjesshëm, dhe në një mënyrë që është e papranueshme në sferën publike të pjesës së sotme perëndimore të botës, veçanërisht të Evropës?

Prof. Alibashiq: Kjo është pyetje prej një miliard dollarësh. Shumica e studentëve të FSHI-së, këtë tashmë e kanë dëgjuar nga unë, por për hir të lexuesve të tjerë të mundshëm, më lejoni ta rezymoj. Të thuash se jemi larguar nga Kurani dhe Sunneti nuk do të thotë shumë, sepse së pari këto burime duhet të kuptohen dhe ky është një nivel i ixhtihadit, dhe pastaj, ajo që kemi kuptuar duhet të zbatohet në një mënyrë për të marrë rezultatet e synuara, së dyti, niveli i ixhtihadit që është po aq i rëndësishëm, zakonisht neglizhohet. Kaq për këtë. Sa i përket shkaqeve të situatës, unë mendoj se ummeti është në gjendje të dobësisë kronike dhe janë dobësitë fillestare, kurse unë i vendosi ato në fushën e politikës, dhe kanë shkaktuar edhe probleme të tjera. Kriza politike ka gjeneruar krizën intelektuale, kurse kriza intelektuale e ka gjeneruar krizën teknologjike dhe morale, etj. Prandaj, sot nuk mund të flasim për një krizë të njëanshme, por për krizat të cilat kërkojnë përpjekje të sinkronizuara nga të gjithë ne: si nga etikologët ashtu edhe nga politikanët, si nga ulematë ashtu edhe nga artistët, si nga racionalistët ashtu edhe nga mistikët. Fatkeqësisht, skena islamike sot është shumë e polarizuar, deri në pikën që një shumicë më shumë e dëshirojnë dështimin e tjetrit sesa suksesin e vet. Një shumicë konkurencën e ndërsjellë e perceptojnë si kik-boks, në vend se ta perceptojnë si garë atletike, e cila është edhe metaforë kuranore. Këto ditë, jam duke i rilexuar raportet nga konferenca mbi muslimanët e Evropës, e mbajtur në fillim të Korrikut 2006 në Stamboll, organizuar nga një qendër kërkimore Turke, me financim nga Zyra e Ministrisë së Jashtme Britanike. Në ceremoninë e mbylljes, ishin të ulur krah për krah njëri-tjetrit: shejh El-Karadawi, Bin Bejja, Tim Winter, Hamza Yusuf, reis-l-ulema Ceriç, Tarik Ramdana, Amr Khalid dhe të tjerë. Vetëm pesëmbëdhjetë vjet më vonë, ajo foto duket surreale. Kjo tani është e papërsëritshme, ndër të tjera, sepse një ditë, njëri prej aktorëve të asaj konference, aktorët e “tjerë” me një „fetva“ i ka shpallë terroristë, Allahu na ruajtë. Prandaj, është e rëndësishme të dimë se çfarë lloj dijetarësh kemi, dhe kënd dhe në çfarë e ndjekim. Fatkeqësisht, te shumë prej tyre nuk mund të mbështetemi. Ne nuk mund t’ua transferojmë atyre përgjegjësinë tonë morale. Ja një arsye e mjaftueshme për tu bërë vetë ulema (dijetar). / Islampress.ch /

Përktheu: Miftar Ajdini

(Islampress.ch)