Çfarë janë sektet dhe si veprojnë ato?

2328

Mr. Rejhan Neziri

Në trajtimin e tematikës që ka të bëjë me sektet problemi kryesor që shfaqet me këtë rast është kuptimi dhe përmasat e kësaj dukurie. Nga njëra anë thuajse të gjithë e dinë termin “sekt” dhe pak a shumë kanë një ide se çfarë përmban ai. Nga ana tjetër, nuk ka asnjë përkufizim ose definicion zyrtar a shkencor që do të ishte i pranueshëm nga të gjithë. Madje mund të thuhet se ka aq shumë përkufizime, sa ka edhe ekspertë të sekteve. 

Duke u nisur nga fakti se ky term kryesisht bart një konotacion negativ, asnjë individ a grupim nuk e përdor për vete këtë, por gjithnjë për të përshkruar tjetrin ose për ta denigruar individin ose grupin tjetër. 

Megjithëkëtë, përgjithësisht mund të thuhet se “sekti është një bashkësi që ta vjedh (madje edhe) lirinë private”. Me këtë konstatohet se sekti para së gjithash është një grupim, bashkësi, shoqëri a organizatë konkrete; se ai njihet për nga sjellja e tij se është  një sekt; se ai shënon një organizatë që anëtarit apo ithtarit të saj ia merr autonominë e tij; se ai synon lirinë e vendosjes për të gjitha fushat e jetës personale dhe shoqërore të ithtarëve të tij; se kjo vjedhje e lirisë së individit kryesisht ndodh pa vullnetin e lirë e të vetëdijshëm të tij dhe se kjo ndodh brenda një procesi të caktuar kohor, brenda disa fazave. Këto në fakt janë përshkrime subjektive të njerëzve nga jashtë sekti ose nga ata që eventualisht kanë arritur që pas një kohe të caktuar të dalin apo të “zbresin” nga një sekt i caktuar. Njerëzit brenda sektit ndërkaq nuk e shohin ose nuk e përjetojnë të qenët pjesë e një sekti si vjedhje të lirisë ose autonomisë së tyre, porse si pjesë e sakrificës për të mirën e organizatës.

Për nga ideologjia ose botëkuptimi një sekt mund të jetë politik, filozofik, etik, okultist, afetar etj., mirëpo dëminojnë ato me ideologji fetare.
 

Veçoritë dalluese të një sekti

Duke i marrë për bazë veçanërisht deklaratat e atyre që për arsye të ndryshme e braktisin një sekt të caktuar, por edhe nga vrojtimet dhe soditjet nga jashtë, një organizatë mund të dallohet si sekt nga këto karakteristika:

1. Ajo ka një udhëheqës të padiskutueshëm, fjalët e të cilit nuk vihen në dyshim a në pikëpyetje dhe i cili gëzon një nderim të pakontestueshëm. Ai çmohet si mendimtari më i madh i kohës, si shpëtimtari (mesihu) i vetëm i njerëzimit, madje disa herë edhe si një qenie mbinjerëzore, me tipare hyjnore. Mendimet ose sjelljet e gabueshme të liderit interpretohen si urtësi që i di vetëm ai, pas të cilave fshihen “dobi” të shumta për organizatën.

2. Ajo ka një hierarki qeverisjeje, në majën e së cilës ndodhet lideri, udhëheqësi, babai ose guruja. Afër tij nuk mund të afrohen ata që “akoma nuk janë formuar mirë”. Kjo kërkon mundim, përpjekje dhe ndjekje me përkushtim të mësimeve të saj brenda një kohe të caktuar nga organizata. Sa më afër liderit, aq më shumë njohuri për mësimet e fshehta të organizatës. Jo çdokush guxon t’i dijë të fshehtat e sektit.

3. Ajo ka norma e rregulla për shumë fusha të jetës së individëve të saj, nëse jo për të gjitha. Shumica e normave të saj nga anëtarët respektohen në mënyrë rituale dhe përbëjnë strukturën e jetës së përditshme të anëtarëve të saj.

4. Ajo ka një mekanizëm kontrolli të institucionalizuar ose edhe joformal për t’i mbikëqyrë sjelljet e anëtarëve të saj. Ajo madje përçon mesazhe kërcënuese për t’i mbajtur në vijë anëtarët e saj, duke mbjellë tek ata bindjen se largimi eventual nga organizata ndjell me vete kobin, sherrin dhe dështimin e personit në fjalë. Ata do të jenë të mallkuar në qoftë se e braktisin organizatën e tyre.

5. Ajo kërkon dëgjueshmërinë, nënshtrimin dhe besnikërinë e plotë ndaj organizatës, në rastet më ekstreme edhe vetëflijimin për kauzën e organizatës. Ata që ia kthejnë shpinën organizatës damkosen si apostatë dhe si tradhtarë. Asnjë nga anëtarët e organizatës s’ka të drejtë fare të mbajë kontakt me këta “tradhtarë” të kauzës. Tradhtarët që i kanë takuar një rangu të lartë brenda sektit meritojnë vdekjen.

6. Ajo përçon te anëtarët e saj idenë dhe e ngulit vetëdijen se ata janë më të mirët, janë elita e mbarë shoqërisë njerëzore, se ata janë më inteligjentët, më të zotët, më të zhvilluarit dhe se ata janë të përzgjedhurit e Zotit ose të një fuqie mbinatyrore.

7. Ajo mbjell tek anëtarët e saj ndasinë midis botës së tyre të brendshme dhe botës tjetër jashtë tyre; se ata janë të mirët dhe se të gjithë të tjerët janë të këqinjtë. Tek ata mbjellin edhe mendimin se jeta e mëparshme e anëtarëve të tyre, derisa nuk kanë qenë pjesë e kësaj organizate, të ketë qenë e keqe dhe e refuzueshme në çdo aspekt.

8. Ajo mbjell tek anëtarët e saj idenë kinse ata po përndiqen vazhdimisht nga ata që janë jashtë organizatës, nga tradhtarët që ua kanë kthyer shpinën atyre ose edhe nga fuqitë djallëzore e të qoftëlargut.

9. Ajo urdhëron endogaminë, pra e ndalon ose e pengon martesën ose lidhjet e dashurisë me njerëz jashtë organizatës së saj. Ajo shpeshherë kërkon nga anëtarët e saj edhe shkëputjen e kontakteve me njerëzit jashtë organizatës, qofshin këta edhe anëtarë të familjes së tyre natyrale. Nuk përjashtohet mundësia e ndarjes apo e shkurorëzimit nga partneri që s’është ose nuk dëshiron të bëhet pjesë e organizatës. Lideri ose ata që janë pranë tij shpeshherë caktojnë se kush me kë do të martohet. Disa anëtarë nuk mund të vendosin vetë për këtë. Urdhri vjen nga lart.

10. Ajo kërkon një angazhim të madh kohor për të mirën dhe për punët e organizatës. Anëtarët e saj janë vazhdimisht të angazhuar ose me shitjen apo shpërndarjen falas të literaturës së organizatës (me përjashtime të vogla, thuajse nuk ka asnjë sekt që nuk ka literaturën e saj specifike), ose me rekrutimin e anëtarëve të rinj në organizatë, ose me ndjekjen e kurseve trajnuese brenda organizatës, ose me rituale lutjesh ose meditimi…

11. Ajo kërkon nga anëtarët e saj që një pjesë të madhe të resurseve të tyre materiale dhe financiare t’ia dhurojnë organizatës. Anëtarët e saj pritet ta sakrifikojnë vetveten dhe familjen e vet për të mirën e organizatës.

12. Ajo ofron dhe premton kinse një procedurë shërimi ose një sistem shpëtimi nga të gjitha problemet e jetës personale dhe shoqërore të anëtarëve të saj. Ata që mbeten jashtë kësaj organizate, sipas tyre, mbeten të pazhvilluar, të pashpëtuar e në humbje dhe janë vetë fajtorë për këtë.

13. Ajo kapet pas teorive konspirative kur bota nuk ec sipas planit dhe mësimeve të organizatës. Gjithçka që shkon kundër interesave të organizatës, interpretohet si plan i kurdisur armiqësor për ta shkatërruar organizatën e tyre.

14. Organizata ushqen idenë e prishjes së rendit aktual botëror, që sipas saj është i dëmshëm dhe djallëzor, dhe krijimin e një rendi të ri botëror sipas mësimeve të saj dhe vetëm nën udhëheqësinë e saj; ushqen plane për mbisundim botëror të saj. Sipas tyre, krejt bota po shkon drejt një katastrofe të pashmangshme, vetëm ne do të shpëtojmë dhe vetëm ne mund t’i shpëtojmë të tjerët.

15. Lideri ose njerëzit pranë tij shpeshherë përdorin metoda okultiste ose ezoterike për të krijuar bindjen se këta janë njerëz të veçantë, që mund të krijojnë dhe mrekulli, me anë të fuqive të tyre “mbinatyrore” që i zotërojnë.

16. Në disa sekte lideri, mjeshtri ose guruja pret kënaqësi erotike nga anëtaret femra të tij, si një mundësi e vetme që ato të përndriten e të shpëtojnë nga e keqja dhe kobi.

17. Ajo shpeshherë del kundër arritjeve shkencore, sidomos nga fusha e mjekësisë, dhe ofron zgjidhjet e saj të veçanta, shpeshherë të rrezikshme, për shërimin e sëmundjeve të ndryshme somatike (trupore) dhe psikike. Këtu nuk përjashtohen thuajse asnjëherë metodat okultiste, ezoterike dhe paranormale të shërimit të sëmundjeve.

18. Herë-herë lideri ose elita e organizatës jeton në luks të madh, ndërkohë që anëtarët e thjeshtë duhet të shkërmoqen me punë të rënda dhe derdhje parash për organizatën.

19. Ajo ndryshe shfaqet në publik dhe ndryshe vepron përbrenda. Vetëprezantimi në reklama e në publik s’ka thuajse asgjë të përbashkët me realitetin e brendshëm të saj. Ajo e bën këtë për të përfituar gjithnjë e më shumë ndjekës dhe ithtarë.

20. Rekrutuesit i mbulojnë kandidatët e mundshëm për anëtarë të organizatës me komplimente e shprehje dashurie të pamasë (love bombing), për të lënë përshtypjen se këtu ata e kanë gjetur “familjen” dhe shoqërinë e vërtetë. Mirëpo, me kalimin e kohës brenda organizatës, kjo “dashuri” duhet të meritohet me dëgjueshmëri e flijim.

Sa më shumë tipare dalluese nga këto sa u tha më lart të ketë një organizatë a bashkësi, aq më i madh dhe më bindës është konstatimi se këtu kemi të bëjmë me një sekt. Mirëpo, për një soditje të shpejtë të një organizate, nëse ajo është tanimë një sekt apo jo, duhet të shikohet nëse ajo i ka së bashku këto tri veçori dalluese:

1. Një lider që nuk guxon të kritikohet kurrë nga anëtarët e saj,
2. Norma e rregulla për të gjitha fushat e jetës,
3. Kontrollimi formal ose joformal i repektimit të këtyre normave nga ana e anëtarëve të saj.
 

Termometri i sektarizmit

Në bazë të veçorive dalluese që u përmendën më lart, mund të provohet përdorimi i një lloj termometri apo mjeti për matjen e temperaturës, kur është në pyetje shkalla e sektarizmit të një personi ose grupi, edhe atë:

– Temperatura normale është kur individi thotë: unë jam ose organizata jonë është diçka e veçantë; unë angazhohem këtu për të mirën time dhe të organizatës. Mjeshtri ose lideri këtu jep mësime për “njohuri të përgjithshme të jetës” dhe zhvillon dialog me nxënësin ose dishepullin e tij.

– Temperatura e ngritur lehtë është momenti kur individi thotë: unë jam i mahnitur; unë jam më i mirë se të tjerët ose organizata jonë është më e mirë se të tjerat. Që të mbetet kjo kështu, kërkohet angazhimi dhe kontributi im. Organizata jonë ka nevojë për mbështetje të brendshme dhe për kohezion të paluhatshëm. 

– Po nxehet: mjeshtri ose lideri ynë na mëson një mënyrë të re të të qenit njeri – prej meje kërkohet të heq dorë nga jeta ime e mëparshme. Tani unë i takoj grupit më të mirë; atë çka e bëj unë do të duhej ta bënin të gjithë. Nga unë pritet që t’i bindi edhe të tjerët për të vërtetat tona. Vetëm grupi ynë është i vërteti, në të është shpëtimi.

– Temperatura rritet akoma: vetëm unë dhe vetëm ne të grupit tonë e kemi në dorë të vërtetën dhe shpëtimin. Mësimet tona janë të përkryera dhe të mbuluara me petk qiellor, hyjnor. Kush mendon dhe beson ndryshe, është i humbur. Bota jashtë nesh, bota ime e mëhershme, përfshirë edhe familjen time, prindërit e mi, partnerin tim, miqtë e mi etj., janë djallëzorë. Po kështu edhe grupet dhe fetë e tjera janë punë dreqi. Data e konvertimit tim, e inkuadrimit tim në këtë organizatë e përcakton jetën time: tanimë unë e dalloj jetën time të dritur nga jeta ime e mëparshme e errët. Tani unë duhet të kem një emër ose ofiq të ri, veshje të veçantë dhe ushqime speciale, sepse i takoj një grupi të veçantë dhe superior. Çdo kritikë ndaj meje ose ndaj organizatës sonë është e rrezikshme dhe armiqësore…

– Nga temperatura në kolaps: mjeshtri dhe lideri ynë është hyjnor, ndërkaq unë jam një hiç. Prej meje pritet të heq dorë nga uni im. Vetëm ne si bashkësi jemi të vetmit bekues; vetëm ne na takon qielli ose parajsa; gjithçka tjetër është e mallkuar. Jobesimtarët (sidomos ata të jetës sime të mëhershme – prindërit, vëllezërit e motrat si dhe miqtë e mikeshat) duhet shmangur përjetësisht; madje edhe duhet luftuar ata. Mosbesimi është djallëzi, është kurdisje kundër nesh dhe kundër grupit tonë. Ne duhet të veçohemi e të izolohemi nga bota e jashtme. Vetëm ne kemi të drejtë (mbi)jetese, vetëm ne jemi në “Anijen e Nuhit”. Unë do ta shikoj me kënaqësi e qetësi shpirtërore kijametin, fundin e botës, që po afrohet për çdo ditë e më shumë, sepse unë do të jem i shpëtuar. Në qoftë se duhet, jam i gatshëm që për mësimet dhe vlerat tona të bie dëshmor: lufta jonë e shenjtë është legjitime. Vuajtja për shkak të besimit të çon në parajsë. Bile edhe vetëvrasja apo vetëflijimi, si kërkim i një bote tjetër më të mirë – parajsës, është më se legjitime.
 

Pse hyjnë njerëzit në një sekt dhe si mund të dalin që aty?

Ekspertët e kësaj fushe thonë që arsyet pse njerëzit, kryesisht të rinjtë e të rejat, inkuadrohen në një sekt, janë pothuajse personale dhe si pasojë e një krize që ata janë duke e përjetuar: vetmia, anshkalimi nga të tjerët, mossuksesi në shkollë ose në karierë, familja e shpërndarë me prindër të divorcuar ose ku nuk ekzistzon kohezioni i brendshëm familjar, varfëria e skajshme etj. Të gjitha këto rrethana e lehtësojnë dhe, si të thuash, e rrafshojnë rrugën për te sekti. Këta njerëz, nga kriza që janë duke e përjetuar, janë në kërkim të dikujt a diçkaje që i ofron ngrohtësi, afërsi, njohje, vlerësim, zhvillim dhe sukses. Prandaj edhe një prej strategjive të sekteve gjatë rekrutimit ose misionarizmit të tyre është pikasja ose hulumtimi i njerëzve me probleme, me kriza e që janë në kërkim e sipër. Te të rinjtë dhe adoleshentët, kjo edhe ashtu është pjesë e procesit të zhvillimit të tyre. Sektet atyre u premtojnë ngrohtësi dhe afërsi familjare, miqësore, pra pikërisht atë që atyre u mungon në jetën e përditshme. Prandaj edhe futja apo inkuadrimi në një sekt thuajse përherë është i pavërejtshëm, i padiktueshëm, ngase sekti vepron në mënyrë profesionalisht të kamufluar. Siç thamë më lart, sekti përdor standarde të dyfishta: ndryshe shfaqet jashtë për publikun, si diçka e padëmshme, qëllimmirë, humanitare, e ndryshe vepron përbrenda. Në fazat fillestare anëtarit të ri nuk ia tregojnë të gjitha marifetet e brendshme, atë e joshin me fjalë përkëdhelëse, me komplimente dhe përçojnë tek ai afërsi emocionale, si kompensim për atë që atij i mungon përjashta. 

Si mund ta vërejmë se një anëtar i familjes sonë ose një miku apo mikesha jonë është futur tanimë në një sekt? Faza fillestare është vështirë të identifikohet, sepse në këtë situatë një sekt nuk duket se dallon nga një organizatë apo bashkësi që nuk ka prirje dhe tipare sektare. Sapo të fillojë anëtari i ri të mendojë ndryshe nga deri në atë kohë, të vishet ndryshe, të ushqehet ndryshe, të fillojë të largohet e të ftohet nga shoqëria dhe miqësia e mëparshme duke krijuar rreth të ri shokësh e miqësh, sapo të fillojë të lexojë libra apo fletushka të tjera nga ato parapraket, literaturë fetare apo ritualesh që nuk janë të njohura për masën e gjerë, të ndjekë ligjërata, muzikë e hobi të tjera nga ato parapraket, të përdorë fraza e shprehje të ndryshme e të veçanta, karakteristike për sektet etj., të gjithë këta janë indikatorë se këtu kemi të bëjmë me një indoktrinim, me një njeri që po e gjen veten mirë në një sekt. Këto janë indiciet e jashtme, mirëpo më thelbësoret janë ato të mendimeve, të ideve dhe të botëkuptimit të ri që po e fiton anëtari i ri. Ai fillon të mendojë krejt ndryshe për botën, për vetveten, për ambientin që e rrethon, për grupet e tjera etj. dhe me këtë rast ai e ndjek vijën e përshkallëzuar të radikalizimit, siç e pamë më lart te termometri i sektarizmit. Për ta kuptuar më qartë nëse një i afërm i yni është futur në një sekt ose sa thellë ka hyrë ai tanimë, parashtrojini atij me qetësi disa pyetje kritike lidhur me mjeshtrin, liderin apo udhëheqësin e grupit si dhe për vetë grupin që po e frekuenton. Për shembull pyete atë nëse ai mund të mendojë ndryshe për diçka nga seç mendon lideri apo grupi, ose nëse ai është i gatshëm të bëjë diçka të kundërt nga ajo që e bën lideri a grupi i tij. Nëse reagon negativisht, ai tanimë kuptohet se është pjesë e një sekti. Nëse reagon negativisht plus me emocione, ai është zhytur thellë tanimë në sekt.

Por, çfarë të bëjmë? Si ta nxjerrim atë prej aty? Këtu me rëndësi është të konstatohet se në cilën fazë apo shkallë të ngjitjes në sekt ka arritur personi në fjalë. Në fazën fillestare mund të ndihmojnë pyetjet kritike të parashtruara me qetësi dhe në mënyrë krejt racionale. Më pas të nxitet ai vetë t’ia parashtrojë vetes këto pyetje kritike lidhur me grupin, liderin dhe mësimet e grupit sektar, në mënyrë që ai të mos e humbasë aftësinë e arsyetimit kritik, të mos e humbasë lirinë dhe autonominë individuale në vendimmarrje. Në fazat e mëvonshme kritika nga jashtë drejtuar liderit, grupit apo mësimeve të tyre mund të jetë shpeshherë kontraproduktive, në këtë situatë këto kritika nga ana e tyre interpretohen si vërtetim i saktësisë së mësimeve dhe i rrugës së tyre, duke thënë se ne na kritikojnë sepse jemi të vetmit në të vërtetën absolute dhe të vetmit që do të shpëtojmë. Pra, këtu kritika nuk bën punë të mirë, ajo i largon ata akoma më shumë. Në të gjitha fazat e angazhimit në sekt, me rëndësi është të ruhet kontakti i gjallë dhe i drejtpërdrejtë me të. Të bisedohet me ekspertë të kësaj fushe si dhe me shokë e miq, se si mund t’i ndihmohet atij të dalë nga sekti. Këtu shpeshherë ndihmon të identifikohet arsyeja që e çoi atë të inkuadrohet në sekt: i mungonte afërsia dhe ngrohtësia familjare, i mungonte suksesi në shkollë, i mungonte suksesi në punë a në karrierë, i mungonin mjetet financiare etj., pra ku e ndiente ai veten të dështuar, prej aty duhet nisur t’i rikthehet vetëbesimi dhe vlerësimi nga të tjerët. Shumë me rëndësi është, po e përsërisim, që në asnjë mënyrë të mos shkëputet kontakti me të, nga arsyeja se një kontakt i mbajtur gjallë me të ia lehtëson atij që herëdo kurdo të dalë apo të zbresë nga sekti. Shumica e njerëzve mbeten brenda sektit me vite të tëra, nga arsyeja se s’kanë askënd të afërm e për zemre jashtë sektit, aty ata e ndiejnë veten mirë. 

Fatmirësisht, një numër i konsiderueshëm i largimit nga një sekt, ndodh vullnetarisht. Personi që i vari shpresat e mëdha te sekti, me kalimin e kohës kupton se sekti brendapërbrenda nuk e ofron atë që e premtonte në fillim, prandaj dhe i zhgënjyer tej mase, ai e braktis sektin. Kjo është më e mira që mund të ndodhë. Te sektet më radikale, për fat të keq, nuk ka braktisje të sektit për së gjalli. Aty vlen parimi i pashkruar: ose në sekt ose i vdekur. Kjo sidomos vlen për një anëtar që ka arritur të ngjitet lart në hierarkinë e sektit dhe që ka arritur t’i mësojë e t’i kuptojë marifetet dhe mashtrimet e sektit.
 
 

Literatura e konsultuar:

– Andrea Haefely, “Beitritt erfolgt stetes aus einer Krise heraus”, intervistë me ekspertin e sekteve Georg Otto Schmid, revista Beobachter (www.beobachter.ch), publikuar më 05.01.2010.

– www.relinfo.ch, artikujt lidhur me këtë temë: “Sekte – Definition und Merkmale”, “Sektenbeitritt – Gründe und Merkmale”, “Wege aus der Sekte”…

– www.infosekta.ch, artikujt “Was ist eine Sekte?”, “Sektenmerkmale” dhe “Infos zu Gruppen und Themen”…

(El-Hikmeh.net)