Hfz. Mehas Alija
Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin a.s. për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.
***
“Kur të hyni në ndonjë shtëpi përshëndetni (ata që janë në to) me një përshëndetje të caktuar nga All-llahu (me selamun alejkum) që është e bekuar dhe e këndshme. Kështu All-llahu ua sqaron argumentet që t’i kuptoni.” (Nur, 61)
Tregon Ebu Hurejre r.a.s se i Dërguari i Allahu xh.sh. ka thënë: “A t’ju tregoj për një gjë që nëse e veproni do të duheni në mes veti? Përhapeni selamin mes jush.” (Imam Muslimi).
Sa herë të hyni apo të dilni nga shtëpia, përshëndetni me selam njerëzit e shtëpisë, burra dhe gra, pleq e fëmijë, me përshëndetjen e muslimanëve dhe simbolin e islamit: “Esselamu alejkum ve rahmetullahi ve berakatuhu!”
Këtë përshëndetje e ka vulosur dhe lartësuar me fjalët e tij, vetë Muhammedi a.s., i cili i tha Enes ibn Malikut, sherbëtorit të tij: “O biri im, kur të hysh në shtëpi, përshëndeti me selam familjen tënde, që të kesh bekim ti dhe familja jote.” (Tirmidhiu)
Një kolos dhe dijetar nga gjenerata e dyte e tabiinëve, Katade r.a., thotë: “Kur të hysh në shtëpi, jepi selam familjes tënde, sepse ata e meritojnë më se çdokush tjetër selamin.”
Selami është lutje, bekim, paqe, siguri dhe përshëndetje. Selami është edhe identitet në dynja dhe përshëndetje e banorëve të xhennetit në ahiret.
Nga format e sakta të selamit është edhe “Esselamu alejkum ose Selamun alejkum – Paqja dhe selami qofshin mbi ju! Nga ana tjetër duhet të shmangemi nga përdorimi jo i drejtë i selamit, sikur që shpesh dëgjojmë të thuhet “Selam alekim apo selam aleqim”, etj.
(17.12.2021, e xhuma, hutbeja e xhumasë në xhaminë El-Hidaje St.Gallen)