O besimtarë, mos u bëni si ata që e shqetësuan Musain a.s.

1131

Falënderimet janë për Allahun e Madhërishëm, Zotin tonë të Cilin e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë, falje dhe udhëzim kërkojmë.
Atë njeri të cilin e drejton Allahu askush nuk mundet ta humbasë, ndërsa atë njeri që humbët rrugën dhe veten e tij, askush tjetër veç Allahut nuk mundet ta drejtojë.

Dëshmojmë dhe vërtetojmë se nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet me të drejtë përveç Allahut të Madhërishëm, që është Një dhe i pa shoq.
Dëshmojmë dhe vërtetojmë se Muhamedi paqja dhe bekimet e Allahut qofshin gjithmonë me të, është rob i Allahut dhe është i Dërguari i Tij i fundit.

Hutbeja e sotme titullohet: O besimtarë, mos u bëni si ata që e shqetësuan Musain (a.s.)

Vëllezër të dashur,
Muhamedi (savs), ka thënë: “Musai (a.s.), ishte një burrë jashtëzakonisht i turpshëm dhe kurrë nuk e zbuloi trupin e tij. Prandaj, izraelitët filluan ta ofendojnë dhe ta përqeshin, duke thënë: “Ai nuk do ta mbulonte trupin e tij, nëse nuk do të kishte ndonjë të metë, ose është i pjetur, ose ka ndonjë sëmundje tjetër.” Mirëpo, Allahu i Plotfuqishëm, deshi që të dërguarin e Tij ta nxjerr dhe çliroi nga këto akuza të rrezikshme. Një ditë Musai (a.s.), po lahej në lum dhe rrobat i kishte vendosur mbi një gur. Pasi e kreu larjen, doli nga lumi dhe shkoi drejt rrobave, mirëpo në atë moment Allahu bëri që guri të largohej nga ai vend dhe ia mori edhe rrobat. Musai (a.s.), e mori shkopin e tij dhe e kërkoi gurin duke thënë: “O gur, kthemi rrobat, o gur, kthemi rrobat!” Duke i kërkuar rrobat e tij, ai hasi në një grup krerësh hebrenj që e panë të zhveshur dhe u mahnitën me pamjen e tij e përsosur. Kështu Allahu e mbrojti atë nga fyerjet e tyre. Pas kësaj, guri me rrobat e tij ul pranë Musait (a.s.), dhe ai u vesh, pastaj e mori shkopin e tij dhe e goditi gurin disa herë. Kështu që, në gurë mbeti gjurma e goditjeve të tij.”
Në këtë kuptim, Allahu i Plotfuqisëm, ju drejtohet besimtarëve, duke thënë:
“O besimtarë, mos u bëni si ata, që e shqetësuan Musain, e Allahu e pastroi atë nga fjalët që thonin ata, dhe ai te Allahu ishte i graduar.” (el-Ahzab, 69)

Vëllezër të nderuar!
Të gjitha këto tregime për popujt dhe ngjarjet e kaluara, të cilat i gjejmë në Kuran dhe në hadithet e Pejgamberi (savs), të cilat i paraqesim në ligjëratat dhe hutbet tona, nuk janë thënë ashtu, pa qëllim, apo pa lidhje, por janë thënë me qëllim që ne të nxjerrim prej tyre mësim dhe mesazh. Në mënyrë që të mësojnë, dhe atë që e mësojmë ta zbatojmë.

Ky ajet na mëson, se besimtarit nuk i ka hije ta shqetësojë vëllanë e tij musliman. Ne do ta shqetësojmë vëllain tonë musliman, nëse i hedhim mbeturinat aty ku nuk e kanë vendin, nëse gropën septike e hedhim në kanalizim, nëse djegim goma, rroba, stiropor…, nëse e lëshojmë muzikën më shumë se ç’duhet, nëse pa lejen e tij i ndërhyjmë në jetën e tij, nëse i flasim pas shpine, nëse e akuzojmë pa asnjë provë, madje edhe nëse vijmë në shoqëri apo në xhami, duke pasur erë të pakëndshme.

Ky ajet na mëson, se besimtari duhet të kujdeset mirë për sjelljen dhe gjuhën e tij, sepse më së shumti njerëzit do të hyjnë në xhenet për sjellje të mira, ndërsa gjuha më së shumti do t’i çojë njerëzit në xhehenem.
Ky ajet na mëson, se besimtarët të cilët punojnë për të mirën, të cilët punojnë për të mirën e xhematit, për të mirën e komunitetit, dhe për të mirën e atdheut të tyre, do të sprovohen dhe do të sfidohen, në mënyra të ndryshme. Kurse një prej atyre mënyrave është edhe ajo se, gjithmonë do të ketë një grup njerëzish, të cilët do t’i nënçmojnë, mashtrojnë, fyejnë besimtarët dhe përpjekjet e tyre. Sa herë keni dëgjuar nga gojëkëqijtë duke thënë: “Ai nuk do ta bënte këtë po të mos kishte dobi!” Prandaj, Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Mos i dëgjo mohuesit dhe hipokritët! Mos i përfill fyerjet e tyre dhe mbështetu te Allahu, e Allahu të mjafton (ty) për mbrojtës.” (el-Ahzab, 48)

Ky ajet na mëson, se gjëja më e rëndësishme është që të jemi të pastër me Allahun, dhe që Allahu të jetë i kënaqur me ne dhe me veprat tona. Kurse njerëzit? Nëse edhe ata janë të kënaqur, është mirë, e nëse nuk janë, atëherë kush ka lindur për t’i kënaqur të gjithë njerëzit!

Dhe thuaj: “Punoni, Allahu, Pejgamberi i Tij dhe besimtarët do të shohin punën tuaj. Ju do të ktheheni tek Ai, që i di gjërat e padukshme dhe të dukshme, e do t’u lajmërojë për atë që keni punuar.” (et-Tevbe, 105)

O Allah! na ruaj nga gjuhët dhe shikimet e liga, nga shejtanët, xhinët dhe njerëzit e këqij!
O Zot, ndihmoju të gjithë vëllezërve dhe motrave tona në nevojë!
O Zot, na bën prej atyre që vetëm për Ty bëjmë ruku dhe sexhde!
O Zot, na ruaj nga sprovat të cilat nuk mund t’i përballojmë!
O Zot, fali prindërit dhe paraardhësit tonë të vdekur, të cilët te ne e kanë përcjellë dritën e Islamit! Kurse fëmijët tonë bëri prijës të Umetit dhe mbrojtës më të mirë se ne të fesë dhe atdheut!
O Zot, na mëshiro në Ditën e gjykimit, dhe na vendos në xhenet në shoqëri me pejgamberë, me të sinqertë, me shehidë dhe me njerëz të mirë!

Pershtati: Miftar Ajdini

(Islampress)