A e largon dhikri shejtanin nga ne?

1014

Shejtani i pengon njerëzit në rrugën e tyre në mënyra të ndryshme. Së pari, i dekurajon nga Islami duke i tërhequr me gjëra të ndryshme për t’i larguar nga rruga e drejtë. Nëse kjo i dështon, atëherë i ndalon nga bërja e veprave të mira, dhe pastaj i pengon në rrugën për në xhenet, duke u përpjekur për t’i drejtuar në rrugën e xhehenemit dhe shkatërrimit.

Nëse në këtë luftë njeriu i drejtohet Allahut të Plotfuqishëm me zemër të pakujdesshme, në kuptimin që këtë nuk e bën me zemër të zgjuar, atëherë ibadeti i tij, dhikri dhe adresimi nuk kanë efekt të vërtetë.

Imam Gazaliu (r.h.), në veprën e tij “Ihjau ulumi’d-din” thekson si vijon:

“Nëse e pyet veten:

– Çka është ajo që e largon shejtanin nga ne?

– A është i mjaftueshëm vetëm dhikrullahi (përmendja e Allahut)?

– A është e mjaftueshme vetëm të shqiptohet: “La havle ve la kuvvete il-la bil-lah?”

Dije se e vetmja mënyrë për ta ruajtur zemrën nga kjo është mbyllja e rrugëve të hyrjes së shejtanit. Kjo është e mundur vetëm duke e pastruar zemrën nga vetitë e këqija. Dhikrin e mirëfilltë besimtari e arrin vetëm atëherë kur zemra e tij shërohet me devotshmëri dhe pastrohet nga vetitë e shëmtuara. Kur një personi të tillë përpiqet t’i qaset shejtani, ai është i aftë për ta përzënë atë, ashtu siç thotë Allahu i Plotfuqishëm:

“Me të vërtetë, ata që besojnë – kur i gjen ndonjë e keqe nga shejtani, i kujtojnë (urdhrat e Allahut), e atëherë e shohin rrugën e drejtë.” (el-A’raf, 201) //Akos.ba//

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress.ch)