Shembulli i inteligjencës dhe urtësisë së fëmijës

625

Imam Ibnul Xhevzi, në veprën e tij Ahbarul-ezkija, ka shënuar transmetimin në të cilin përmendet se halifi abasid El-Mu’tesim, kishte shkuar për ta vizituar vezirin e tij të sëmurë Hakanin. Në shtëpi e kishte takuar Fet’hin, djalin e Hakanit, i cili atëherë ishte djalosh. Në një moment halifi Mu’tesim e pyeti djaloshin:

“O djalosh, më thuaj, a është më e bukur shtëpia e halifit, apo shtëpia e babait tënd?”

Djaloshi u përgjigj:

“O udhëheqësi i besimtarëve, më e bukur është shtëpia e babait tim kur në të gjendet halifi!”

Mu’tesimi u impresionua nga përgjigjeja e urtë dhe inteligjente e djaloshit, andaj deshi ta shpërblejë. Ai e ngriti dorën e tij në të cilën ishte unaza që donte t’ia dhurojë djaloshit, andaj e pyeti:

“A ke parë ndonjë gjë më të bukur se kjo unazë?”

Djaloshi u përgjigj:

“O udhëheqësi i besimtarëve, më e bukur se kjo unazë është vetëm dora në të cilën gjendet unaza!”

Halifi Mu’tesim mbeti i magjepsur. Me admirim e shikonte djaloshin Fet’h bin Hakan, i cili më vonë do të bëhet një nga vezirët më të famshëm të dinastisë abasite.

Përshtati: Miftar Ajdini