Mënyra e ngritjes së duarve gjatë tekbirit fillestar

1109

Hfz. Mehas Alija

“Është sunnet që gjatë shqiptimit të tekbirit fillestar të ngriten duart në atë mënyrë që gishtërinjtë e mëdhenj t‘i prekin të butat e veshëve.”[1]

Kështu thuhet se ka vepruar Pejgamberi a.s. ndërsa transmetimet vijnë nga Enes Ibn Maliku, Vail ibn Huxhër, Bera‘ bin Azib, Malik ibn Huvejrith r.anhum, dhe të tjerë.

Enesi r.a. në sahih hadith thotë: “E kam parë Pejgamberin a.s. duke marr tekbir, ndërsa gishtat e mëdhenj i kishte afër veshëve.“[2]

Disa mendojnë se duart ngriten deri në nivel të shpatullave, e disa të tjerë mbi kokë, sikur që pohon Ibn Hibbani.[3] Hanefinjtë kanë zgjedhur mesin e artë.

Alauddin Es-Semerkandi thotë: „Në lidhje me këtë çështje, qëndrimi më i saktë është ai i dijetarëve hanefi, pasi i përfshijnë të gjitha hadithet. Kjo sepse, kur ngriten duart në nivel të veshëve, rrënjat e shuplakave janë në lartësi të shpatullave, rrënjët e gishtërinjve në nivel të veshëve, kurse majat e gishtrinjeve në nivel të kokës.“ [4]

Nga sahabiu i nderuar, Vail ibn Huxhër r.a. përcillet: „E kam parë Pejgamberin a.s. se si gjatë hyrjes në namaz dhe shqiptimit të tekbirit, i ka ngritur duart në lartësi të veshëve.“[5]

Vail ibn Huxher vazhdon dhe shpjegon: „Kur kam ardhur përsëri në vitin tjetër kam parë se si duart i ngriti deri në nivel të shpatullave, por veshur kishte pelerinën“ ose në një transmetim tjetër „parzmoren.“[6]

Femra i ngrit duart në lartësi të supeve ose të gjoksit të saj. Kjo mbështetet në këtë hadith: „Pejgamberi a.s. i drejtohet Vail ibn Huxhres r.a.: „O i biri i Huxhres, kur të fillosh të falesh, ngriti duart në lartësi të veshëve të tu, kurse gruaja le t‘i vendos duart në lartësi të gjoksit të saj.“[7] Po ashtu, është transmetuar se edhe zonja Ummu Derda i ngritte duart e saja në namaz në drejtim të kraharorit të saj.[8]

Këtë qëndrim e kanë përzgjedh dijetarët e medh’hebit hanefi, ndërsa imam Merginani në El-Hidaje thekson se ky është edhe qëndrimi më i drejtë.[9]

Dallimet midis burrit dhe gruas në namaz ndodhin për arsye se për gruan vlen rregulli i setres (mbulimi), me të cilën do t’i mbrojë ato pjesë të trupit që mund të jenë nxitëse dhe provokative për mashkullin.[10]

(Islampress.ch)


[1] Esh-Shurunbulali, Imdadu-l-fettah sherh Nuri-l-idah ve nexhati-l-ervah, Damask, 2002, fq., 261.

[2] Imam Bejhekiu, Sunen El-Kubra, nr. 2632, fq., 143., ndërsa Imam Hakimi thotë se hadithi është sahih, sipas kushteve të imam Buhariut dhe Imam Muslimit. Me këtë pajtohet edhe imam Dhehebiu.

[3] Hasan Shkapur, Përmbledhje e haditheve të Buhariut, 1/573.

[4] Nasirudin ibn Kasim Muhammed ibn Jusuf El-Haseni Es-Semerkandi, El-Fikhun-nafi’, Rijad 2000, I, fq. 182-183).

[5] Imam Muslim, sahih, nr. 401., dhe imam Davudi në Sunen, nr. 727.

[6] Ebu Davud, Sunen, nr. 727.

[7]Hadithin e shënon imam Imam Taberani, më gjerësisht shih në „I‘laus-sunnen“, 2/182.

[8] Ibrahim El-Halebi, Multeka-l-ebhur, vëll. I, fq. 164.

[9] El-Merginani, El-Hidaje sherh bidaje el-mubtedi, Karaçi, 1417 H., vëll. I, fq. 309.

[10] Imam Bejhekiu, Sunen El-Kubra, vëll., II, fq., 314.