Falënderimi i qoftë Allahut të Madhërishëm, kurse bekimi dhe paqja qoftë mbi Pejgamberin Muhamed (savs), mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij. Paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë edhe mbi shehidët, mbi të gjithë të vdekurit tonë dhe mbi njerëzit që kërkojnë rrugën e së mirës.
Të dashur vëllezër!
Hutbeja e sotme e mban titullin: “Me çka i ka përfituar Pejgamberi a.s. zemrat e njerëzve?”
Pse Pejgamberi ynë fitoi një pozicion të tillë të lartë tek Allahu, pse ai për vete thotë: “Unë jam mëshirë e dhuruar”? Me çka Pejgamberi a.s. i ka pushtuar zemrat e njerëzve? Pse ka qenë i dashur nga muslimanët, ndërsa i respektuar edhe nga jomuslimanët?
Pejgamberin tonë e kanë stolisur cilësitë më të bukura të moralit, por sot ne do ta veçojmë vetëm njërën prej tyre e cila më së miri na e pasqyron personalitetin e Pejgamberit tonë, si dhe na e shpjegon se si dhe me çka i ka përfituar zemrat e njerëzve Pejgamberi a.s.
Pejgamberin tonë e kanë stolisur drejtësia, ndershmëria, durimi, dhembshuria, dashuria, butësia, por mbi të gjitha mëshira.
Mëshira ka qenë esenca e jetës së tij.
Allahu i Madhërishëm ka bërë që Muhamedin a.s. djepi ta përkundë si jetim. Derisa moshatarët e tij gjenin mbrojtje tek baballarët e tyre, ai kurrë nuk ka thënë “o baba”, sepse ai nuk kishte baba që ta thërriste ashtu, por ai shumë shpesh dhe pothuajse gjithmonë thoshte “o Allahu im”, “o Zoti im”.
Nga ky jetimllëk është zhvilluar një dashuri e madhe për Allahun, kurse nga ajo dashuri ka lindur mëshira ndaj të gjitha qenieve të gjalla dhe jo të gjalla. Mëshira e cila nuk kishte kufij dhe i përfshinte njerëzit dhe xhinët, kafshët dhe bimët, kështu që Allahu i Madhërishëm e e ka quajtur Pejgamberin a.s. mëshirë për të gjitha botët.
Mëshirën e tij më së miri do të na e shpjegojnë fjalët dhe veprat e tij.
Te Pejgamberi a.s., me një rast vjen një njeri me hapa të nxituar, i lumtur që t’i japë besën për të luftuar në rrugën e Allahut nën flamurin e tij. Ndërsa Pejgamberi a.s. e pyeti: “A e ke të gjallë ndonjërin prind?” “Po, janë të dy”, i tha ai. “Kthehu tek prindërit tu, rri me ta dhe bëju mirë atyre”, u përgjigj Pejgamberi a.s.
Kur i vjen një djalosh i ri duke i thënë: “O i Dërguari i Allahut, unë kam ardhur për të dhënë besën për të emigruar (hixhret), kurse prindërit i kam lënë duke qarë.” Pejgamberi a.s. i thotë: “Kthehu te ata dhe bëri që të buzëqeshin ashtu siç i ke bërë që të qajnë!”
Pejgamberi a.s. nuk dëshironte që askush të qaj, të jetë i pikëlluar dhe i pakënaqur, ai dëshironte që të sjellë gëzim në zemrat e të gjithë njerëzve, dëshironte që ajo mëshirë të cilën e fsheh në vetvete t’i mbulojë, në mënyrë që edhe ata të gjejnë qetësi për shpirtin e tyre, prandaj e kthen djaloshin te prindërit e tij, sepse ai e di se sa të vështira dhe të dhimbshme janë lotët që prindërit derdhin për fëmijët e tyre. Këtë mëshirë e gjejmë në forma të ndryshme, në aksione të dobishme dhe në bashkëpunim të ndërsjellë.
Në lidhje me këtë, Ebu Dherri r.a. na transmeton një bisedë të tij me Pejgamberin a.s.:
“Çka do ta shpëtojë njeriun nga zjarri?” “Besimi në Allahun.” “Mirëpo, o Dërguari i Allahut, me besimin shkon edhe vepra e mirë?” “Po, të japësh atë me çka të ka furnizuar Allahut.” “Po në qoftë se ai është i varfër dhe nuk ka asgjë për të ndarë?” “Do të urdhërojë për të mirë dhe do të ndalojë nga e keqja.” “Por në qoftë se nuk mund të urdhërojë për të mirë dhe të ndalojë nga e keqja?” “Lë ta ndihmojë të marrin.” “Por në qoftë se ai nuk mund ta bëjë as këtë?” “Le ta ndihmojë atë të cilit i është bërë një padrejtësi.” “Por nëse është i dobët dhe i pafuqishëm e nuk mund ta ndihmojë atë që i është bërë padrejtësi?” “Dhe çfarë do të lësh ti për mikun tënd?” Le t’i shmanget ofendimit të tjerëve!” “Dhe a do të hyjë në Xhenet nëse ai e bën këtë?” “Nuk ka asnjë besimtar i cili e bën ndonjërën nga këto vepra, e që ajo vepër të mos e merr për dore dhe e fut në Xhenet.”
Ky hadith na referohet të gjithë neve. Të gjithë ne jemi në gjendje të bëjmë të paktën njërën nga të numëruarat. Nëse nuk je në gjendje t’u japësh të tjerëve, mund të urdhërosh për të mirë dhe të ndalosh nga e keqja. Nëse nuk je në gjendje ta ndihmosh personin të cilit i është bërë padrejtësi, atëherë mund të shmangesh nga ofendimi i të tjerëve. Cilën do që e bën nga veprimet e theksuara do të futesh në Xhenet. Lum ai, i cili i ka në vetvete të gjitha këto cilësi.
Le të shikojmë një rast tjetër që lidhet me një beduin i cili vjen tek Pejgamberi a.s. dhe e pyeti në lidhje me veprimet të cilat do ta afrojnë me Xhenetin dhe do ta largojnë nga Xhehenemi, ndërsa Pejgamberi a.s. i thotë:
“Fole të vërtetën dhe bëj vepra të mira.” “Pasha Allahun, unë nuk jam në gjendje që në çdo moment për ta flasë të vërtetën e as të bëj vepra të mira.” “Atëherë ushqe ata që kanë nevojë për ndihmë dhe përhape selamin.” “Edhe kjo është e vështirë.” “Po a ke deve?” “Po.” “Atëherë ngarkoji devetë me thasë (prej lëkure) për ujë dhe furnizoji me ujë ato familje që rrallë pinë ujë, sepse devetë nuk do të shkatërrohen e as thasët nuk do të shqyhen, ndërsa ti do ta sigurosh Xhenetin.“
Të gjitha këto të përmendurat e inkurajojnë njeriun që të shqyrtojë moralin e tij, sjelljen e tij dhe të shohë se a ka në zemrën e tij mëshirë për të tjerët, apo aty mëshira është zëvendësuar me vrazhdësi dhe arrogancë.
Në një rast Pejgamberi a.s. u drejtohet shokëve të vet duke thënë: “A doni të ju informoj se kujt i ndalohet Zjarri?” Çdo njeriu të qetë, të butë dhe dashamirës…” Kështu Pejgamberi ynë u foli shokëve të tij, pastaj vazhdoi të thotë: “Kur Allahu do t’i tubojë krijesat, tellalli (lajmëtari) do të bërtasë: ‘Ku janë ata meritorët?’ Do të ngrihet një grup i vogël dhe me shpejtësi do të shkojnë drejt Xhenetit. Melekët do t’i takojnë dhe do t’i pyesin:
– Po ju shohim se po shpejtoni drejt Xhenetit, kush jeni ju?
Ne jemi meritorët – do të përgjigjen.
– Po ku qëndron merita e juaj? Përsëri do t’i pyesin.
– Ne kemi qenë të durueshëm kur na është shkaktuar padrejtësi, kemi qenë zemërbutë kur jemi fyer. Atyre do tu thuhet:
Hyni në Xhenet, sa shpërblim i mrekullueshëm është për punëtorët.
Nga mëshira e tij e pakufizuar të cilën e mbart në zemrën e tij, Pejgamberi a.s. dëshiron që mëshira të mbretërojë edhe mes nesh, në mënyrë që ne të bëhemi të mëshirshëm ndaj njëri-tjetrit siç thotë Allahu i Gjithmëshirshëm:
“Muhamedi është i dërguar i Allahut, e ata që janë me të (sahabët) janë të ashpër kundër jobesimtarëve, janë të mëshirshëm ndërmjet vete …“ (El-Feth, 29).
Vëllezër të nderuar!
Le të bëhemi pasues të vërtetë të sunetit të Pejgamberit (savs), dhe le të garojmë në të mirë!
E lusim Allahun e Madhërishëm që të na forcojë në rrugën e Islamit,
– që të gjithë vëllezërve tanë muslimanë, kudo në botë që janë duke vuajtur t’ju japë fitore të shpejtë dhe t’i çlirojë nga zullumqari,
– që neve mos të na sprovojë me dhunën e sundimtarëve të dhunshëm dhe me atë që ne nuk mund ta përballojmë,
– që neve të na bëjë prej atyre që me të vërtetë e duam Pejgamberin (savs) dhe e ndjekim sunnetin e tij,
– që fëmijët tanë t’i bëjë gëzimi i syve dhe zemrave tona dhe liderë të umetit,
– që të na i mëshirojë prindërit tanë dhe të parët tanë të mirë,
– që të na mëshirojë neve në Ditën e gjykimit,
– që të na i falë mëkatet, të na i mbulojë turpet, të na i pranojë veprat e mira dhe të na nderojë në Xhenet në shoqëri me pejgamberët, me të sinqertët, me shehidtë dhe me njerëzit të mirë. Amin!
Përshtati: Miftar Ajdini
(Islampress.ch)