Izet ef. Čamdžić
Falënderimi i qoftë Allahut të Madhërishëm, kurse bekimi dhe paqja qoftë mbi Pejgamberin Muhamed (savs), mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij. Paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë edhe mbi shehidët, mbi të gjithë të vdekurit tonë dhe mbi njerëzit që kërkojnë rrugën e së mirës.
Të dashur vëllezër!
Hutbeja e sotme e mban titullin: “Ne, në fakt, nuk ekzistojmë!!”
Do të ndodh kjo në Ditën e Gjykimit, po, atëherë dhe atje do të pyetet vajza e varrosur për së gjalli, për çfarë mëkati është mbytur. Është e qartë se kjo pyetje do t’u drejtohet atyre që e kanë kryer mbytjen. Është e qartë se kjo pyetje shërben si paralajmërim, si paralajmërim i fortë për njeriun që të mendojë, dhe që të rishqyrtojë, se pse e bën një akt kaq të urryer dhe kush ia jep atij të drejtën të vrasë njeriun e pamëkat dhe të pafajshëm.
Ishte xhahilijeti, po, ishte një kohë kur njerëzit nuk e jetonin fjalën e Allahut, andaj ata silleshin aq egërsisht dhe aq mizorisht. Xhahilijati nuk është sinonim i analfabetizmit, sepse ata që jetuan në atë kohë dinin të lexonin dhe të shkruanin; shkruanin poezi dhe prozë, por vlerat që jetuan dhe promovuan ishin larg atyre që e bëjnë njeriun dhe njerëzimin të lumtur.
Sot po jetojmë në epokën dixhitale. Njeriu ka arritur deri atje, sa të mbajë konferenca dhe konsultime ndërkombëtare se si ta frenojë inteligjencën artificiale nga frika për të tijën, për të ardhmen e planetit, universit… Njerëzimi sot është i shkolluar, lexon dhe shkruan, prodhon ushqim të modifikuar gjenetikisht, udhëton në hapësirë, përdor energjinë e erës, diellit…, ka telefona inteligjentë, ka kush e di çfarë, por edhe sot njësoj është aktuale ajo pyetja, e cila do t’i bëhet foshnjes së pafajshme të varrosur për së gjalli: për çfarë mëkati është mbytur!
Tashmë është bërë e mundimshme për njeriun normal, po nënvizoj fjalën njeri, është bërë shqetësuese të shikosh lajmet dhe të ndjekësh atë çfarë po ndodh me një njeri, i cili – me caktimin e Allahut – është i ndryshëm, i një kombi tjetër, i një ngjyre tjetër të lëkurës, i një feje tjetër; atë çfarë po ndodh me një fëmijë i cili nuk ka mundur – si askush tjetër – të zgjidhte as prindërit, as vendlindjen, as përkatësinë e kombit; atë çfarë po ndodh me një fëmijë i cili ende nuk është në gjendje të zgjedhë fenë, dhe për këtë arsye të gjithë fëmijët që vdesin para se të jenë në gjendje të vendosin dhe të dallojnë, ata do të jenë në Xhenet.
Në këto lajme, të cilat janë bërë të pamundura për t’u parë, thuhet se në çdo pesëmbëdhjetë minuta vritet një fëmijë në Gaza. Deri më tani, mbi katër mijë janë vrarë, dhe mbi dy mijë raportohet të jenë zhdukur, të varrosur të gjallë (deri më datën 17.11.2023). Ata do të jenë, dhe atëherë kur të jetë Dita e Gjykimit, do të pyeten se për çfarë mëkati janë vrarë. Kjo pyetje, në fakt, na bëhet neve, neve të rriturve, neve që mund të dallojmë dhe të vendosim, neve që e dimë se të shpëtosh një jetë është e barabartë me shpëtimin e mbarë njerëzimit dhe, se të vrasësh një fëmijë të pafajshëm, një njeri të pafajshëm, është sikur t’i vrasësh të gjithë njerëzit.
Kjo pyetje po na drejtohet neve, kjo, për çfarë mëkati është vrarë ai fëmijë palestinez, por mund të jetë edhe cilido fëmijë tjetër, neve që votojmë, neve që kemi arsye dhe udhëzim dhe dimë se çfarë është e drejtë dhe çfarë jo. Kjo pyetje, o umet, duhet të kumbojë në veshët tuaj dhe duhet, o vëlla musliman, që të dridhesh nga frika para kësaj pyetjeje, kurse ti po hesht, nuk po bën asgjë, dhe ti e di, se një orë luftë për drejtësi është më e vlefshme tek Allahu i Plotfuqishëm sesa shtatëdhjetë vite ibadet, dhe, ti e di gjithashtu, se lufta më madhështore është ta thuash të vërtetën para sundimtarit tiran dhe zullumqar.
Imam Ahmedi në Musnedin e tij shënon se Pejgamberi (savs) ka thënë: “Kur e shihni umetin tim, se nga frika nuk guxon t’i thotë të padrejtit se është i padrejtë, atëherë nuk ka rëndësi nëse ekziston apo jo!” O mbretër! O presidentë të umetit! O një miliard e tetëqind milionë muslimanë! A guxon dikush të pyes se pse vrasja e një fëmije është krim, kurse vrasja një fëmije palestinez nuk është asgjë!? Për neve që lexojmë Kuran, për neve që lexojmë salavat për Muhamedin (savs), është i njëjtë edhe njëri edhe tjetri fëmijë; krimi është i njëjtë edhe ai kur arabi paraislamik e varrosi vajzën e tij të porsalindur në tokë, por edhe ky kur predha e zullumqarit ka gropos nën rrënojat e ndërtesave një numër që ende nuk dihet të fëmijëve.
Një thënie e urtë thotë: “Loti i parë i çdo fëmije është kërkesë, kurse çdo lot i mëpasshëm është urdhëresë!” Sa lot fëmijësh janë derdhur, sa lot të nënave janë terur në fytyrat e tyre, sa pikëllim prindëror është akumuluar për shkak të xhahilijetit të sotëm, për shkak të sistemit të rrënuar të vlerave?
A nuk i solli Musai (a.s.) dhjetë urdhëra nga mali Sina’, e ndër to edhe urdhrin: “mos vrit”! Kjo ndalesë ka karakter të përgjithshëm, nuk thotë, mos e vrit një pjesëtar të popullit tënd, kurse me të tjerët bëj çfarë të duash!
A nuk na ka mësuar Jezusi (Isai a.s.), na ka mësuar të gjithëve, që të duam, që ta duam të afërmin si veten tonë. I afërm është ai që është pranë teje, ai që jeton pranë teje. Isai (a.s.) nuk ka thënë se si quhej ai i afërm, as çfarë ngjyrë të lëkurës ka, as nëse beson apo çfarë beson. Duaje, ndihmoje dhe mbroje të afërmin tënd! Këtë na e mësoi ai.
A nuk e ka sjellë Muhamedi (a.s.) nga Allahu i Plotfuqishëm ajetin në të cilin thuhet se: „Kushdo që vret dikë që nuk ka vrarë askënd dhe që nuk ka bërë çrregullim në Tokë, është sikur t’i ketë vrarë të gjithë njerëzit.“ Çfarë lloj çrregullimi kanë bërë gjithë ata fëmijë të vrarë?
Ata do t’i pyes Zoti, Zoti i përbashkët për të gjithë ne, i njëjti Zot: Për çfarë mëkati u vranë – dhe atëherë mjerë për atë që i ka vrarë, dhe për atë që ka qëndruar indiferent ndaj atij krimi. Atëherë, mjerë për të gjithë neve, që po qëndrojmë memec dhe të pafuqishëm duke shikuar krimin dhe çrregullimin në Tokë! Atëherë, mjerë për ata që nuk janë në gjendje t’i thonë të padrejtit se është i padrejtë. Umeti i Pejgamberit nuk është në gjendje sot të thotë me zë që të dëgjohet, nuk është i fortë që t’i thotë të padrejtit ndale padrejtësinë! Andaj, nuk ka rëndësi sa jemi, ne në fakt, nuk ekzistojmë.
O Zoti ynë, me përulësi të lutemi t’i shpëtoshë vëllezërit dhe motrat tona në Palestinë.
O Zoti i mëshirshëm, bëj që të marrin fund vuajtjet e tyre, të cilat po zgjasin me dekada.
O Allah, bëj që fëmijët e Palestinës të jenë vetëm fëmijë dhe jo viktima të terrorit. Bëj që nënat t’i rrisin fëmijët e tyre të lumtur dhe jo t’i numërojnë plumbat në trupin e tyre.
O Allahu i Plotfuqishëm, bëj që hipokritët të cilët janë në gjendje të ndihmojnë, që më në fund t’i hapin sytë dhe ta bëjnë këtë.
O Sundimtar i drejtë, bëje Palestinën një oazë paqeje dhe xhenet në këtë botë. Amin!
Përshtati në shqip:
Miftar Ajdini
(Islampress)