“Jo, nuk duhet të faleni ashtu!”

1197

Falënderimi i qoftë Allahut të Madhërishëm, kurse bekimi dhe paqja qoftë mbi Pejgamberin Muhamed (savs), mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij. Paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë edhe mbi shehidët, mbi të gjithë të vdekurit tanë dhe mbi njerëzit që kërkojnë rrugën e së mirës.

Të dashur vëllezër!

Hutbeja e sotme e mban titullin: Jo, nuk duhet të faleni ashtu!

Dikur ishte një hoxhë që mbante vazhdimisht të njëjtat vaze dhe ligjërata. Kjo gjë e shqetësoi xhematin, kështu që, një ditë, ata iu ankuan dhe i thanë: “O hoxhë, ti vazhdimisht po bën të njëjtën gjë, deri kur kështu?” Kurse hoxha u përgjigj: “Përderisa ju e veproni vazhdimisht të njëjtën gjë, edhe unë do të vazhdoj ta them të njëjtën gjë!“

Edhe unë sot, fatkeqesisht, do të jem si ky hoxha, sepse do t’i theksoj gjërat qe i kam theksuar shumë herë, por mesa duket ende nuk kanë arritur te disa, andaj shpresoj se kjo sot do të shkojë në veshët dhe në zemrat tona, dhe, në dashtë Allahu, do ta zbatojmë në jetën tonë, në mënyrë që të mos e përsërisim më.

Allahu i Plotfuqishë thotë: „Por këshillo, se vërtet këshilla u bën dobi besimtarëve.“ (edh-Dharijat, 55)

Namazi është një prej obligimeve më të mëdha me të cilin Allahu i Plotfuqishëm i ka obliguar robërit e Tij. Namazi është shtyllë e fesë. Ai është lidhja ndërmjet Allahut dhe robit. Ai është gjëja e parë për të cilën do të pyetet robi në Ditën e Gjykimit, kështu që nëse ai është i rregullt, edhe pjesa tjetër e veprave të tij do të jenë të rregullta, e nëse ai është i parregullt, atëherë edhe veprat e tjera të tij do të jenë të parregullta. Ai është dallimi në mes muslimanëve dhe jomuslimanëve. Ai që fal namaz ka besim, e ai që nuk fal namaz nuk ka besim.

Si edhe për çdo çështje tjetër serioze, ashtu edhe për namaz kërkohen përgatitje fizike dhe mendore.

Pejgamberi (savs) na thotë: “Kush pastrohet në ditën e xhumasë, parfumoset nëse ka parfum, veshë rrobat më të mira dhe del me qetësi derisa të arrijë te xhamia, e pastaj falet nëse do, pa e brengosur asnjërin, e pastaj kur imami të ngjitet në minber do të heshtë derisa të mos fillojë namazi, do t’i falen mëkatet midis dy xhumave.” (Ahmedi)

Dhe ne, në vend që të rregullohemi, të parfumosemi, për të fituar faljen e Allahut për mëkatet tona, të cilat i kemi mjaft, ne vijmë në xhami me erë të keqe të hudhres, djersës, duhanit etj. si dhe sjellim me vete edhe ndonjë mbeturinë, të cilën e lëmë në xhami. Jo, nuk bën ashtu!

Në hadithin e mëposhtëm, Pejgamberi (savs) thotë: “Kushdo që pastrohet në ditën e xhuma ashtu siç lahet për shkak të papastërtisë intime dhe më pas shkon në xhami, do të jetë për të sikur të ketë bërë kurban një deve. Nëse shkon në orën e dytë, do të jetë për të sikur të ketë bërë kurban një lopë. Nëse shkon në orën e tretë, do të jetë për të sikur të ketë bërë kurban një dash me brirë. Nëse shkon në orën e katërt, do të jetë për të sikur të ketë bërë kurban një pulë. Dhe nëse shkon në orën e pestë, do të jetë për të sikur të ketë bërë kurban (diçka të ngjashme me) vezën. Kur vjen imami, melekët mblidhen dhe dëgjojnë hutben.”

Falë Zotit, në xhematin tonë ka shumë njerëz që vijnë në xhami mjaft herët të premteve. Por, disa prej tyre, përveç që nuk i fitojnë këto shpërblime të përmendura në hadith, ata fitojnë mëkate, sepse sapo hyjnë në derën e xhamisë, fillojnë me biseda të kota. Dhe në vend që xhamia të jetë xhami, vendi ku njerëzit bëjnë ibadet, lexojnë Kuran, bëjnë dhikër, meditojnë për dhuratat e Allahut… ata xhaminë e shndërrojnë në treg. Jo, nuk bën ashtu!

Disa dijetarë kanë thënë se nga namazi ne marrim aq sa jemi në namaz, pra aq sa mendojmë për namazin. Tani, nëse vërtet është kështu, dhe vërtet është kështu, çka mendoni, sa kanë prej namazit të tyre ata që e falin, siç thotë populli ynë, si vetëtima!! Sa kanë prej namazit të tyre ata që edhe pse janë në namaz, i përcjellin me shikim të gjithë ata që vijnë në xhami pasi që të kemi filluar të falemi? Sa kanë prej namazit të tyre ata që as nuk e dinë se cilën sure e kanë lexuar, e lëre më se çka ka lexuar imami? Sa kanë prej namazit të tyre ata që mezi presin të mbarojë namazi që të dalin nga xhamia, jo për punë, por për t’u ulur përballë, për të ndezur cigare dhe për të biseduar?

Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi nga Ebu Hurejre (r.a.) i cili thotë: “Hyri një njeri në xhami, ndërsa i Dërguari i Allahut (savs) ishte ulur aty. Ky njeri u fal dhe erdhi e përshëndeti me selam të Dërguarin (savs). Ai ia ktheu selamin dhe i tha: “Kthehu e falu, se ti nuk u fale.” Ai shkoi u falë si herën e parë. Pastaj erdhi dhe e përshëndeti me selam të Dërguarin (savs). Ai ia ktheu selamin dhe i tha: “Kthehu e falu, se ti nuk u fale.” Kjo ndodhi tri herë. E kur erdhi për të tretën herë, pasiqë i Dërguari i Allahut (savs) e urdhëroi që prapë ta përsëriste namazin, ky burri tha: “Pasha Atë i Cili të dërgoi me të vërtetën, unë nuk di më mirë se kjo, andaj më mëso!” I Dërguari i Allahut (savs) tha: “Kur të fillosh namazin, thuaj ‘Allahu ekber’, pastaj lexo çfarë të vjen më lehtë prej Kuranit, e kur të biesh në ruku, qetësohu mirë, pastaj ngrihu derisa të të drejtohet kurrizi! Kur të biesh në sexhde, qetësohu mirë në atë pozitë, pastaj ulu mes dy sexhdeve dhe qetësohu mirë e kur të biesh prapë në sexhde qetësohu mirë edhe në atë pozitë! Kështu le të jetë i tërë namazi yt!”

Në një hadith tjetër, i Dërguari i Allahut (savs) thotë: “Njeriu mund të falet 60 (gjashtëdhjetë) vjet pa iu pranua asnjë namaz, sepse ndoshta e plotëson rukunë e jo sexhden, ose e plotëson sexhden por jo rukunë.”

Pastaj i Dërguari i Allahut (savs) thotë: “Vjedhësit më të këqij janë vjedhësit (të cilët vjedhin) nga namazi (i tyre).”  Sahabët e pyetën: “Si mund të vjedhë njeriu nga namazi i tij, o i Dërguari i Allahut?” Ai tha: “Kur nuk e plotëson rukunë dhe sexhden.”

E kush nuk e plotëson rukunë dhe sexhden? Ata që përkulen njësoj sikur kur godet zogu. Në vend që të thonë ngadalë në ruku: Subhane rabbiel ‘adhim, dhe në sexhde Subhane rabbiel e’ala, ata e murmuritin këtë sa që as vetë nuk e dinë se çfarë thanë dhe si e thanë, pastaj thonë se në ilmihal shkruan se ato duhet të thuhen nga tri herë! Thuhet tri herë, por ky është minimumi, kurse më mirë është 103 herë!!

Ndërmjet dy sexhdeve, duhet të ulemi bukur, duhet të ndalemi, e jo lart e poshtë, së paku sa të themi tri herë estagfirullah ose ta lexojmë lutjen për të cilën dijetarët islamë besojnë se përmban gjithçka që i nevojitet njeriut në këtë botë dhe në botën tjetër: “Allahumegfirli, verhamni, ve ‘afini, vehdini, verzukni.”

Vëllezër të dashur!

Namazi fillon me tekbir dhe mbaron me selam, por transmetimet na thonë se sevapet na shkruhen sikur të ishim në namaz derisa të largohemi nga vendi i faljes dhe të fillojmë të merremi me gjëra të tjera. Prandaj po ju lus që të mos ngriteni menjëherë pas selamit, nëse nuk keni ndonjë nevojë. Qëndroni dhe bëni dhikër, sepse në dhikrin pas namazit vërtet ka dobi të madhe.

Muhamedi a.s. thotë: “Më shumë preferoj të them: Subhanallahi vel hamdu lil-lahi ve la ilahe il-lallahu vallahu ekber, se sa çdo gjë që e ndriçon Dielli.”

“Kush e lexon Ajetul Kursinë pas çdo namazi të obliguar, vetëm vdekja e ndan atë nga hyrja në Xhenet.”

“Kush lexon në vend publik apo tubim: „La ilahe il-lallahu vahdehu la sherike leh, lehul mulku ve lehul hamdu ve huve ‘ala kul-li shej’in kadir“, Allahu i Madhëruar do t’ia shkruajë një mijë të mira, do t’ia fshijë një mijë të këqija dhe do t’ia ndërtojë një shtëpi në Xhenet.”

Ebu Hurejre (r.a.) thotë se muhaxhirët e varfër iu ankuan të Dërguarit të Allahut (savs), duke thënë: “Të pasurit na kanë tejkaluar me grada të larta dhe me kënaqësi të përjetshme”. Muhamedi a.s. i pyeti: “Si është e mundur kjo?” Ata i thanë: “Ata falin namaz sikurse ne, agjërojnë sikurse ne, por ata japin sadaka dhe lirojnë robër, kurse ne nuk i lirojmë.” Muhamedi a. s. tha: “A doni t’ju mësoj diçka me të cilën do t’i arrini ata që ju kanë tejkaluar, dhe t’i tejkaloni ata që janë pas jush, dhe askush nuk do të jetë më i mirë se ju, përveç atij që bën të njëjtën gjë si ju?” Ata thanë: “Po, duam, o i Dërguar i Allahut!” Atëherë ai u tha atyre: “Pas çdo namazi lexoni 33 herë subhanallah, 33 herë elhamdulil-lah dhe 33 herë Allahu ekber.”

Siç mund të shihni këtu, Pejgamberi (savs) nuk ka thënë se ka sevap ai që i fluturon tesbihët, por ai që në fakt thotë 33 herë subhanallah, elhamdulil-lah, Allahu ekber. Edhe për një gjë dua të tërheq vëmendjen, dhe ajo është se, kur muezini lexon dhikër, edhe ju duhet të lexoni në vetvete të njëjtën gjë, sepse muezini nuk është aty për të lexuar për neve, por për të na kujtuar, sidomos ata që nuk dinë se çfarë duhet të lexojnë.

Dallimi midis një namazi të kryer siç duhet dhe një namaz të nxituar është 2-3 minuta, kështu që a do të rrezikojmë vite të namazit tonë për shkak të atyre pak minutave? Vëllezër, kini mendjen!

E lus Allahun e Plotfuqishëm që të na udhëzojë në rrugën e drejtë!

O Zoti ynë, me përulësi të lutemi t’i shpëtoshë vëllezërit dhe motrat tona në Palestinë.

O Zoti i mëshirshëm, bëj që të marrin fund vuajtjet e tyre, të cilat po zgjasin me dekada.

O Allah, bëj që fëmijët e Palestinës të jenë vetëm fëmijë dhe jo viktima të terrorit. Bëj që nënat t’i rrisin fëmijët e tyre të lumtur dhe jo t’i numërojnë plumbat në trupin e tyre.

O Allahu i Plotfuqishëm, bëj që hipokritët të cilët janë në gjendje të ndihmojnë, që më në fund t’i hapin sytë dhe ta bëjnë këtë.

O Sundimtar i drejtë, bëje Palestinën një oazë paqeje dhe xhenet në këtë botë. Amin!

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress)