Nga sunetet e namazit është edhe lidhja e duarve gjersa qëndrojmë në kijam, respektivisht në këmbë. Kjo arrihet duke e vendosur shuplakën e dorës së djathtë mbi shpinën e dorës së majtë, duke i rrethuar nyjet e dorës me gishtin e madh dhe të vogël. Të këtij mendimi janë të gjitha shkollat juridike, ndërsa përjashtim bënë shkolla juridike malikite. Lidhja e duarve bëhet edhe atëherë kur kemi arsye sheriatike për ta falë namazin ulur. Sa i përket gruas, ajo e vendos dorën e djathtë mbi të majtën në gjoks, ngase kështu është më e mbuluar ajo.
Duart mbahen të lëshuara, pra nuk qëndrojnë të lidhura, kur kthehemi nga rukuja dhe gjatë marrjes së tekbireve në namazin bajrameve.[1]
Këtë mendim nga sahabët e përfaqësojnë Ali ibn Ebi Talibi, Ebu Hurejre, Abdullah ibn Mes’ud, ndërsa imam Tirmidhiu thotë së të këtij mendimi janë shumica e dijetarëve nga sahabët, tabiinët dhe ata të mëvonshmit[2], Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë këta.
Në lidhje me këtë çështje të parë, sa i përket lidhjes së duarve, janë përcjell disa hadithe, por ne do të mjaftohemi me dy-tre prej tyre.
Transhmetohet nga Xhabiri r.a. se Pejgamberi a.s., një ditë kaloi pranë një njeriu i cili ishte duke u falur dhe dorën e majtë e kishte vendosur mbi të djathtën. Atëherë Pejgamberi a.s. ia zgjidhi duart dhe ia vendosi të djathtën mbi të majtën.[3] Vail ibn Huxhër, r.a., thotë se: “E kam parë të Dërguarin e Allahut xh.sh., duke e vënë dorën e djathtë mbi të majtën afër zogut (nyjes) së dorës.”[4]
Në një hadith tjetër që e transmeton imam Muslimi, thuhet: “E kam parë Pejgamberin a.s. duke i ngritur duart kur hyri në namaz dhe tha tekbirin, pastaj u mbulua me rrobën e tij dhe e vendosi dorën e djathtë mbi të majtën.”[5]
Si dhe ku duhet të vendosen duart?
Në bazë të ajetit të Kur’anit “… dhe para All-llahut qëndroni me frikërespekt”[6], imam Merginani pohon se është sunet dhe më afër frikërespektit kur burri gjatë namazit i ka duart e lidhura ndër kërthizë.[7] Vail ibn Huxhër r.a., në hadithin sahih, thotë: “E kam parë Pejgamberin a.s. duke e vënë dorën e djathtë mbi të majtën në namaz nën kërthizë.”[8]
Ebu Davudi, Ed-Darekutni, El-Bejhekiu, Ibn ebi Shejbe, Et-Tehanevi dhe të tjerë, përcjellin një transmetim hasen nga hazreti Aliu r.a. se ka thënë: “Lidhja e duarve nën kërthizë në namaz është sunet.”[9]
Ebu Milxhes, dijetari i mirënjohur i Basrës, ishte pyetur njëherë se si duhet të lidhen duart në namaz, dhe ai ishte përgjigjur: “Falësi do t’i lidh duart në atë mënyrë që brendësinë e shuplakës së djathtë e vendos mbi shpinën e dorës së majtë dhe i vë ato poshtë kërthizës.”[10]
Ibn Kajjimi ka thënë: “E kanë lënë sunetin e vërtetë, të qartë, të cilin e transmeton grupi (xhemaah) nga Sufjan Eth-Theuriu, ky nga Asim ibn Kulejbi, ky nga babai i tij, e ky nga Vail Ibn Huxhër, i cili thotë: “Jam falur me Pejgamberin a.s. dhe e ka vendosur dorën e djathtë mbi të majtën”, dhe nuk ka thënë “mbi kërthizë”, përveç se Muemil ibn Ismailit.[11] Për më tepër, Ibn Kajjimi thekson se transmetimi që vjen nga hazreti Aliu është version i besueshëm dhe ky hadith është autentik në të cilin nuk ka dyshim.[12]
Në bazë të këtyre transmetimeve dhe të atyre që nuk i kemi përmendur, themi se hanefitët kanë përzgjedhur si qëndrim lidhjen e duarve nën kërthizë gjatë qëndrimit në kijam. Muhamed Esh-Shejbani thotë: “Falësi do të falet në atë mënyrë që shuplakën e dorës së djathtë do ta vendos sipër kyçit të dorës së majtë, nën kërthizë. Kyçi do të qëndrojë në mes të shuplakës së dorës së djathtë.”[13]
Sa i përket lidhjes së duarve nga ana e gruas, ajo i lidh duart në atë mënyrë që shuplakën e dorës së djathtë e vendos mbi shpinën e dorës së majtë në gjoks.[14] Ky dallim në namaz midis mashkullit dhe femrës bazohet në principin e setres që nënkupton mbulimin e sa më shumë të femrës dhe mos ekspozimin e trupit të saj.
Imam Bejhekiu në Sunenin e tij përcjell fjalët e Esh-Shejhut i cili ka thënë: “Të gjitha dispozitat e namazit me të cilat dallohet femra nga mashkulli bazohen te principi i setres – mbulimit. Kjo do të thotë se femra në namaz duhet sa më pak të ekspozojë trupin e saj.”[15]
Medh’hebet e tjera, maliki, shafi dhe hanbeli, te këta përcillen disa forma dhe atë për secilin medh’heb nga tri forma të lidhjes së duarve në namaz: se duart duhet mbajtur lëshuar, pa i lidhur, se duhet lidhur nën gjoks e mbi kërthizë, se duhet vendosur mbi gjoks, se duhet lidhur nën kërthizë dhe se falësi mund të vendos vet se ku dëshiron t’i mbajë duart gjatë qëndrimit në kijam.[16]
Përgatiti:
Hfz. Mehas Alija
(Islampress)
[1] Ibrahim El-Halebi, Multeka-l-ebhur, vëll. I, fq. 167.
[2] Shih: Përmbledhja e haditheve të Tirmidhiut, 2/3, përkthim dhe komenti nga Prof. Mahmut Karaliç, Travink, 2000.
[3] Multeka-l-ebhur, vëll. I, fq. 156. Hadithin e shënon imam Ahmedi dhe Imam Taberani, ndërsa transmetuesit janë saktë.
[4] Sunen ed-Daremi, nr. 52, 22/25; Imam Ahmedi, nr. 18873, 31/166; Shejh Shuajbi thotë se hadithi është sahih, ndonëse në senedin e tij ka shkëputje.
[5] Muslimi, nr. 411, 1/301; Ahmedi, 18866, 3/157.
[6] El-Bekare, 238.
[7] El-Merginani, El-Hidaje, 1, 314.
[8] Ibn ebi Shejhbe, Musannef, 3, nr. 3959. Muhammed Avamme thotë se ky hadith është sahih.
[9] Ebu Davud, Sunen, nr. 756; Ed-Darekutni, Sunen, nr. 1102; Imam Bejhekiu, Sunen El-Kubra, nr. 2342; Ibn ebi Shejhbe, Musannef, nr. 3966; Et-Tehanevi, I’laus-sunen, 2, fq. 192-193 dhe thotë se pas një hulumtime te transmetuesve të këtij hadithi, ky hadith ka gradën e hadithit hasen.
[10] Ibn ebi Shejhbe, Musannef, nr. 3963; Imam En-Nimavi thotë se ky hadith është sahih. Shih: Athar Es-Sunen, nr. 331.
[11] I’lamu El-Muvekiin, 2/289. Për Muemil Ibn Ismailin kanë thënë se është i dobët dhe i papranueshëm ndër dijetarët e hadithit. Buhariu thotë: “Hadithi i tij është i papranueshëm”. Shih: I’laus-sunen, 2/195.
[12] Ibid, 2/400-402.
[13] Esh-Shejbani, Kitab el-Athar, vëll. 1, transmetimi nr. 121 dhe 323.
[14] El-Fetava El-Hidije, vëll., 1, fq. 81.
[15] Sunen El-Kubra, vëll., 2, fq. 314.
[16] Më gjërësisht shih: Dr. Shefik Kurdiç, Ebu Hanife dhe namazi në medh’hebin hanefi, Shkup 2008., fq. 139-140.