Ne të gjithë kemi ndonjë person që ka shkuar në botën tjetër (në botën më të mirë): babai, nëna, gjyshja, vëllai, motra, miku, etj.
Vetëm kur i kujton njeriu ata, ndjen dhembje, ndjen keqardhje dhe vështirësi për ndarjen prej tyre.
Po i kujtojmë, e si mund t’i harrojmë kur i duam aq shumë?
Por me çka e tregojmë ne gjithë këtë dashuri të cilën e ndjejmë për ta dhe për të cilën po flasim?
Sa shpesh i kujtojmë, a vetëm atëherë kur dëgjojmë se dikush ka vdekur?
Si i kujtojmë ne ata?
Enesi (r.a.) transmeton:
„U transportua një xhenaze dhe njerëzit shpreheshin mirë në lidhje me të, kështu që Pejgamberi (savs), tha: “Vexhebet!”
Pastaj u transportua një tjetër, kurse njerëzit në lidhje me të shpreheshin keq, kurse Pejgamberi (savs) tha përsëri: “Vexhebet!”
Omer b. Hattabi (r.a.) me atë rast e pyeti: „Çka do të thotë: Vexhebet?“
Kurse Pejgamberi (savs) u përgjigj: „Për të parin, ju u shprehet mirë, andaj ai e meriton Xhenetin, kurse për të dytin, ju u shprehet keq, andaj ai e meriton Zjarrin (Xhehenemin). Ju jeni dëshmitarët e Allahut në Tokë.” (Muttefekun alejhi)
Të vdekurit po na thërrasin, por a po ju përgjigjemi?
Le të imagjinojmë se ne jemi në vendin e tyre, çfarë do të na nevojitej dhe çfarë do të kërkonim prej të dashurve tanë?
Të vdekurit po na thërrasin, po kërkojnë të bëjmë lutje për ta, të japim sadaka, të bëjmë ndonjë hajrat.
Allahu i Madhërishëm thotë: „Edhe ata që vijnë pas tyre – thonë: “O Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë, të cilët kanë besuar para nesh dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë të keqe ndaj besimtarëve; O Zoti ynë, Ti je, me të vërtetë, i mirë dhe mëshirues!” (el-Hashr, 10 )
Hz. Aishja (r.a.) transmeton se një burrë i tha Pejgamberit (savs): „Nëna ime ka vdekur papritmas, dhe sikur të fliste, mendoj se ajo do të jepte sadaka, prandaj, a do të ketë ajo shpërblim nëse unë ndaj sadaka për të?” Pejgamberi savs u përgjigj: „Po!“
Transmeton Ebu Hurejre (r.a.) se Pejgamberi (savs) ka thënë: “Kur një njeri vdes, pushojnë të regjistrohen veprat e tij, përveç në tri raste: në qoftë se ka lënë pas vetes një bamirësi të përhershme, një dituri e cila përdoret pas tij dhe një fëmijë të edukuar mirë i cili do të bëjë lutje për atë” (Muslimi)
Të vdekurit kanë nevojë për lutje,
siç ka nevojë bima për ujë
Ebu Abdurrahman Avf bin Malik (r.a.) tregon: “Pejgamberi (savs) ia fali njërit xhenazën, dhe prej lutjes të cilën ia këndoi, kam mbajtur në mend këto fjalë:
„O Zoti ynë, fale atë, mëshiroje, mbroje nga dënimi dhe falja (shlyeja) mëkatet! Jepi atij një vend të bukur në xhenet dhe varrin e tij bëre të gjerë! Pastroje me ujë, me akull dhe me borë (dhuroja mëshirën Tënde të pafund) dhe bëre të pastër nga mëkatet, ashtu siç i pastron rrobat e bardha nga ndyrësira (falja të gjitha mëkatet)! Zëvendësoja shtëpinë me një shtëpi më të mirë, familjen me një familje më të mirë, bashkëshorten me një më të mirë! Shtije në xhenet, dhe shpëtoje nga dënimi i varrit dhe dënimi i Zjarrit!”
Transmetuesi thotë: „Kisha dëshiruar (përshkak të kësaj lutjeje) që unë të isha ai i vdekuri!“
Të vdekurit po na thërrasin:
„Mos më përmend për keq, unë kam shkuar te Zoti im!“
Le t’i kujtojmë të vdekurit tonë në lutje, le t’i kujtojmë ata në çdo namaz, në çdo mëngjes dhe në çdo mbrëmje, le t’i kujtojmë kur ta shohim ndndonjë të varfër, dikënd që ka nevojë për ndihmën tonë, kur ta shohim ndonjë lypës.
Le të mos bëhemi koprac, madje edhe atëherë kur ndajmë sadaka, le ta ndajmë duke menduar për vete, le t’i kujtojmë të dashurit tonë të cilët kanë shkuar, por veprat e tyre kanë mbetur, përveç lutjes dhe sadakasë …
O Allah, Zoti ynë, të lutemi fali të gjithë muslimanët e vdekur, meshkuj dhe femra, dhe vendosi në kopshte të Xhenetit, me të vërtetë Ti je më i Mëshirshmi!
O Allah! Të lutemi na mundëso që t’i kujtojmë të vdekurit tonë, ashtu siç dëshirojmë që nesër neve të na kujtojnë të tjerët!
Përkthim: Miftar Ajdini
(Islampress)