“Bëhu më i mirë, dhe do të jetë më mirë”

1551

Falënderimi i qoftë Allahut të Madhërishëm, kurse bekimi dhe paqja qoftë mbi Pejgamberin Muhamed (savs), mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij. Paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë edhe mbi shehidët, mbi të gjithë të vdekurit tonë dhe mbi njerëzit që kërkojnë rrugën e së mirës.

Të dashur vëllezër!

Hutbeja e sotme e mban titullin: Bëhu më i mirë, dhe do të jetë më mirë

Që njeriu të bashkohet me shoqërinë e të zgjedhurve dhe të mirëve, është e nevojshme që të stoliset me cilësitë e atyre njerëzve. Fekihu thotë se këto cilësi janë dhjetë, kurse Semerkandi në veprën e tij Tenbihu-l-gafilin i ka renditur në këtë mënyrë.

Të ndahet sadaka brenda kufijve të mundësive. Kur themi brenda kufijve të mundësive, do të thotë, që njeriu e jep atë që edhe vetë e pëlqen. Nuk ka bamirësi në sadaka derisa përmbajtja e saj të jetë ajo pjesë e pasurisë sonë që gjithashtu është e vlefshme edhe për ne. Muhamed bin Fudajli transmeton se një beduin kishte një tufë delesh, por pak jepte si sadaka. Kur ndante, i jepte ato dele që ishin më të dobëta. Një herë ai pa në ëndërr se delet e tufës së tij e sulmuan, kurse delet e sëmura dhe të dobëta e mbronin. Kur u zgjua, tha: Pasha Allahun, unë do ta shtoj dhe do ta forcoj shoqërinë tuaj, kështu që pas kësaj ai i jepte nga kopeja ato dele që edhe vetë i donte.

Leximi i Kuranit është cilësi e të zgjedhurve. Xhinët erdhën për ta dëgjuar dhe u magjepsën nga Kurani. Leximi i Kuranit është ibadet, madje edhe nëse nuk kupton asgjë nga ajo që ke lexuar, sepse Kurani është fjalim i Allahut dhe për çdo shkronjë të lexuar shkruhen dhjetë sevape. Edhe dëgjimi i leximit të Kuranit gjithashtu shpërblehet. Pejgamberi (a.s.) na ka paralajmëruar që të mos lejojmë të jetojmë në kohën kur njerëzit do të garojnë kush e lexon Kuranin më bukur, por do t’i injorojnë dispozitat e tij. Prandaj, nën konceptin e leximit të Kuranit si një cilësi që na çon në shoqërinë e të zgjedhurve, duhet patjetër ta kuptojmë edhe jetësimin e asaj që kemi lexuar.

Kushdo që hyn në shoqërinë e të zgjedhurve, shoqërohet me ata që do t’ia kujtojnë botën tjetër dhe do ta paralajmërojnë për kalueshmërinë e kësaj bote. Është shumë e rëndësishme se me kë shoqërohet njeriu, sepse shokët (miqtë) e tij, në fakt, janë imazhi i tij. Njeriu shoqërohet me ata që janë të ngjashëm me të, me ata që kanë prirje dhe interesa të njëjta. Është privilegj i madh që të keni shoqëri që ju paralajmëron kur gaboni dhe përgatitet së bashku me ju për jetën e përtejme. Është gabim të mendoni se njeriu duhet t’i përkushtohet vetëm botës tjetër dhe ta injorojë këtë botë. Dijetari i madh Sha’ravi kur e shpjegon hadithin kudsijj në të cilin thuhet se njeriu nuk duhet të lodhet rreth nafakës, ai thotë se kjo do të thotë, se nuk duhet ta lodhë zemrën, por duhet ta lodhë trupin.

Në rrugën në të cilën ecin të zgjedhurit, mbahen lidhjet farefisnore. Transmetohet se lidhja farefisnore është e lidhur me Arshin (fronin) e Allahut dhe ajo prej andej thërret: “O Zot, ruaje atë që më ruan mua për hatrin Tënd dhe neglizhoje atë që më ka neglizhuar mua.“ Mejmun bin Mihrani ka shpjeguar: “Tri obligime janë të përbashkëta edhe për besimtarin edhe për jobesimtarin. Nëse i ke premtuar dhe garantuar dikujt diçka, atëherë respektoje atë, pavarësisht nëse ai dikushi është musliman apo jomusliman. Nëse ke lidhje familjare, ruaje atë, pavarësisht nëse ai i afërmi yt është musliman apo jomusliman. Kushdo që të beson diçka, respektoje atë që të është besuar, pavarësisht nëse ai është musliman apo jo.”

Vizita e të sëmurëve është cilësi me të cilin stolisen të zgjedhurit. Muslimani është i obliguar që vëllait të tij musliman t’i dalë në ndihmë, sepse Pejgamberi (a.s.) thotë: “Kush ia largon një telashe tjetrit në këtë botë, Allahu i Lartësuar do t’ia largojë atij në botën tjetër. Lutja e vëllait për vëllanë i pranohet. Kur njeriu lutet për vëllanë e tij, melekët luten për të, kështu që lutja për të sëmurin është veçanërisht e dëshirueshme. Le të mos harrojmë këtë detyrim fetar dhe këtë traditë tonën të mrekullueshme të vizitës së të sëmurëve. Gjatë vizitës le të jemi të matur dhe të mos e rëndojmë të sëmurin me vizitën tonë, le të qëndrojmë tek ai një kohë të shkurtër.

Ai që dëshiron të jetë në shoqërinë e të zgjedhurve, rrallë shoqërohet me njerëz që e kanë lënë pas dore botën tjetër. Ahireti është qëllimi i besimtarit, prandaj ai ia nënshtron çdo gjë këtij qëllimi. Njerëzit të cilët e shpërfillin Ahiretin kanë lejuar që pasionet dhe epshet e tyre t’i udhëheqin ata në jetë. Alllahu i Lartësuar thotë se ata që u nënshtrohen pasioneve janë si bagëtia, madje edhe më keq. Njeriu, i pajisur me mendje dhe i krijuar në formën më të bukur, nuk duhet ta lejojë veten që të bjerë kaq poshtë.

Në rrugën nëpër të cilën ecin të zgjedhurit, mendohet shumë për atë se çka e pret njeriun nesër. Duke pasur parasysh se njeriu nuk mund ta dijë se çfarë e pret nesër, ai nuk e shtyn atë që e pret dhe gjithmonë e kujton këshillën e Pejgamberit (a.s.), që ta shfrytëzojë rininë para pleqërisë, shëndetin para sëmundjes, kohën e lirë para preokupimit, pasurinë para varfërisë dhe jetën para vdekjes.

Të zgjedhurit shpesh e kujtojnë vdekjen. Pejgamberi (a.s.) thotë se ekzistojnë dy këshillues, paralajmërues, të cilët vazhdimisht na paralajmërojnë. Njëri paralajmërues është i cili flet, ai është Kurani. I dyti është i heshtur dhe nuk flet, por megjithatë të gjithë e dëgjojnë mirë. Ajo është vdekja. Vdekja është e pashmangshme. Kjo është e vërtetë për të cilën nuk dyshon askush. Megjithatë, përgatitjet për vdekjen nuk janë ato që duhet të jenë. Muslimani duhet të përgatitet për vdekjen çdo ditë, sepse ai vazhdimisht e pyet veten se çfarë do të ndodhë nesër. Pejgamberi (a.s.) është el – Emin. Të gjithë në Mekë e dinin se ai kurrë nuk ka gënjyer. Një herë i pyeti ata që i thërriste në fe, se a do t’i besonin nëse do t’i informonte se armiku ishte afruar në Mekë? Ne do të besonim ty – i thanë ata. Atëherë ai u tha atyre: “Unë po ju paralajmëroj me dënim, me Xhehenem, kurse ju po më përgënjeshtroni.”

​ Pejgamberi (a.s.) thotë: “Kush beson Allahun dhe Ditën e Gjykimit, le të thotë të vërtetën ose le të heshtë.”

Një nga karakteristikat e të zgjedhurve është se ata nuk thonë asgjë që nuk është e mirë dhe e dobishme. Pejgamberi na ka mësuar se besimtari nuk mund të jetë gënjeshtar. Besimtarit nuk i kanë hije fjalët e këqija dhe fyerjet. Besimtarëve nuk u ka hije që ta thërrasin njëri-tjetrin me pseudonime të shëmtuara. Besimtari kudo dhe gjithmonë përhap aromë dhe lë gjurmë të bukura, pra, edhe me fjalë, dhe është i vetëdijshëm se fjala e bukur është si një pemë me rrënjë të forta që vazhdimisht jep fryte.

Ai që hyn në shoqërinë e të zgjedhurve është i përulur dhe modest, i kujdesshëm ndaj të varfërve, i dhembshur ndaj jetimit dhe nevojtarit dhe e di, se edhe nëse nuk mund t’i ofrojë asgjë jetimit, të paktën mund ta ledhatojë për kokën e tij.

Secili prej nesh e kemi rrugën të hapur në të cilën mund të zbukurohemi me këto cilësi dhe kështu të bashkohemi në shoqërinë e njerëzve të zgjedhur dhe të mirë, dhe ata njerëzit e zgjedhur dhe të mirë, në Ditën e Gjykimit do të jenë në shoqërinë e pejgamberëve dhe shehidëve.

Vëllezër të dashur!

Për t’u bërë gjendja jonë më e mirë, duhet që ne të jemi më të mirë. Nuk është e mundur që të bëhet më mirë vetvetiu. Nëse duam që të jetë më mirë, dhe pa dyshim që ne këtë e dëshirojmë, atëherë le të shkojmë drejt më të mirës, ​​le ta ndryshojmë veten dhe le të ecim rrugës për në shoqërinë e më të mirëve, kurse më të mirët prej nesh janë ata që janë më të devotshëm ndaj Allahut. Devotshmëria dëshmohet dhe vërtetohet me vepra, pra me vepra të mira.

O Allahu i Plotfuqishëm, na i forco hapat tonë në rrugën drejt shoqërisë së të zgjedhurve. Amin.

Hatib: Izet ef. Čamdžić

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)