Njerëzve u është afruar koha e llogarisë së tyre…

650

Vëllezër të dashur! Tema e ligjëratës së sotme është: Njerëzve u është afruar koha e ‎llogarisë së tyre, e ata të hutuar në pakujdesi nuk përgatiten fare për të.

‎Këtë temë e zgjodha, për arsye se në këtë kohë, ekziston një numër i madh i njerëzve, e në ‎mesin e tyre edhe i muslimanëve, të cilët pohojnë se i përkasin umetit islam dhe janë pasues ‎të sunetit të Pejgamberit Muhamed (savs), ndërsa me veprat e tyre këtë nuk e konfirmojnë.

‎Njerëzit janë bërë neglizhentë: ndaj ibadeteve, ndaj detyrimeve karshi bashkësisë së gjerë ‎dhe të ngushtë, (pastaj janë bërë neglizhentë edhe) ndaj prindërve, ndaj bashkëshortëve, ‎ndaj fëmijëve, ndaj fqinjëve, ndaj të afërmve dhe miqve, madje edhe ndaj vetvetes.‎

Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Njerëzve u është afruar koha e llogarisë së tyre, e ata të hutuar në pakujdesi nuk përgatiten fare për të.” (el-Enbija, 1)‎

Nëse mendojnë pak më mirë për këtë ajet, do të shohim se gjendja e jonë pasqyrohet aty, ‎sepse nxitimi i njerëzve, duke na përfshirë edhe neve, është më se i qartë.

‎Njerëzit po argëtohen me gjërat dhe çështjet kalimtare të kësaj bote dhe gjithnjë e më pak po ‎kanë kohë për Allahun e Plotfuqishëm, për fenë e tyre dhe për botën tjetër. Në këtë ‎vrapim të përditshëm, njerëzit duket sikur janë krijuar për shkak të kësaj bote, ose sikur do të ‎qëndrojnë në të përgjithmonë. ‎

Kur bëjnë diçka, e bëjnë kryesisht për këtë botë. ‎

Kur mendojnë diçka, përsëri këtë më shpesh e bëjnë për këtë botë. ‎

Kur duan diçka, ata e duan për shkak të kësaj bote. ‎

Për shkak të kësaj bote ata grinden, luftojnë dhe gjykohen, kështu që shumë prej tyre janë të ‎gatshëm, ta lënë edhe namazin për shkak të ndonjë gjëje të kësaj bote, siç është: mbledhja, ‎loja, seriali, ndeja, e kështu me radhë.

Po a bën që obligimi ndaj Allahut të Plotfuqishëm, të neglizhohet për shkak të diçkaje tjetër?‎

Allahu i Plotfuqishëm, duke folur për ata që janë të pakujdesshëm, thotë:‎

“Ata dinë vetëm anën sipërfaqësore të kësaj jete, ndërsa për jetën tjetër janë të pakujdesshëm (indiferent).” (err-Rrum, 7)‎

Allahu i Plotfuqishëm ua kujton njerëzve se ata nuk janë krijuar kot, dhe se kthimi tek Ai ‎është i pashmangshëm. Për këtë flasin ajetet në vazhdim të sures el-Muminun:

‎‎“Mos vallë, keni menduar ju, që Ne ju kemi krijuar juve kot dhe që nuk do të ktheheni te Ne?” – I lartësuar është Allahu, sundimtari i Vërtetë! S’ka zot tjetër përpos Tij, Zotit të Arshit (Kozmosit) madhështor! – Ai që pos Allahut, adhuron zot tjetër, duke mos pasur kurrfarë dokumenti për këtë, me siguri – llogaria është vetëm te Zoti tij. Me të vërtetë, nuk ka shpëtim për mohuesit. – Dhe, thuaj (o Muhamed!): “O Zoti im, fal dhe mëshiro, e Ti je më i miri mëshirues!” (15-118)‎

Sipas ajeteve të cituara, njerëzit nuk janë krijuar kot, dhe për sjelljen e tyre pason shpërblimi ‎ose dënimi. Prandaj, ata në esencë ndryshojnë nga kafshët, të cilat nuk kanë përgjegjësi për ‎atë që bëjnë. Njerëzit i pret kthimi te Zoti i tyre, para të Cilit, ata do të japin llogari, për të gjitha ‎veprat e tyre që i kanë bërë në këtë jetë.‎

Transmeton Ebu Nu’ajm nga Ibrahim bin Harithi: „Na dërgoi Pejgamberi (savs), në një ‎marshim ushtarak dhe na urdhëroi që të lexojmë kur të ngrysemi dhe kur të gdhihemi:‎ “Mos vallë, keni menduar ju, që Ne ju kemi krijuar juve kot, dhe që nuk do të ktheheni te Ne?” (el-Muminune, 115) Dhe ne e lexuam atë, pastaj e fituam prenë e luftës, dhe u kthyem të ‎sigurt dhe shëndoshë e mirë.“‎

Ky sahabij i shquar na mëson neve, se në qoftë se secili prej nesh, në mëngjes dhe në ‎mbrëmje, do ta lexonte ajetin e cituar, ne të gjitha punët tona do t’i kryenim me ndërgjegje dhe ‎me përgjegjësi, dhe Allahu i Plotfuqishëm, do të na jepte bereqet në to, dhe kjo do të ishte ‎shkak i radhitjes së sukseseve tona dhe i arritjes së shpërblimit përfundimtar të ahiretit.‎

Allahu i Plotfuqishëm, në ajetin 36, të sures el-Kijameh, thotë: “Vallë, a mendon njeriu se do të mbetet pa obligime (pa përgjegjësi)?”

Allahu i Plotfuqishëm, i shtron pyetje njeriut, kësaj qenjeje të vogël, e cila e ka pranuar ‎emanetin e mëkëmbësit (halifit) në Tokë, a mendon ai se do të lihet dhe do të lirohet pa ‎asnjë përgjegjësi. ‎

Kjo njëherit është përkujtim për njeriun, që të ketë kujdes për veprimet e tij, dhe që në çdo ‎moment ta ketë parasysh se për çdo veprim, lëvizje dhe fjalë, do të pyetet, pastaj në bazë të ‎saj, do të shpërblehet ose dënohet. ‎

Pse njerëzit edhe përkundër kësaj, janë neglizhentë dhe të papërgjegjshëm në jetën e tyre?‎

Në Ditën e Gjykimit, secili person do t’i gjejë veprat e tij të mira dhe të këqija, siç konfirmohet ‎nga ajeti i 30-të i sures Alu Imran:‎

“(Kujtoje) Ditën, kur çdokush gjen atë që ka punuar mirë dhe atë që ka punuar keq; e dëshiron ai që në mes tij dhe të keqes së tij, të ketë distancë të madhe. Allahu u bënë vërejtje për pezmin e Tij, se Allahu është fort i dhimbshëm për robërit e Tij.”

Allahu i Plotfuqishëm, i informon robërit e Tij, se Ai e di atë që ata bëjnë fshehtas dhe ‎publikisht, dhe se Atij nuk mund t’i fshihet asgjë. Dituria e Tij përfshin çdo situatë dhe kohë, ‎qiejt dhe Tokën, dhe gjithçka që është në to, dhe nuk mund t’i fshihet Atij as sa një grimcë, as ‎më pak se ajo. ‎

Ky është paralajmërim për robërit e Tij që t’i frikësohen Atij, të kenë frikë ndaj Tij, dhe të mos i ‎veprojnë ato gjëra, që Ai i ka ndaluar dhe të cilat e shkaktojnë zemërimin e Tij.‎

Në Ditën e Gjykimit para njeriut do të paraqitet çdo vepër e tij, qoftë e mirë ose e keqe, dhe ‎nëse është e mirë, do të gëzohet për të, kurse nëse është e keqe, do të pikëllohet, andaj ai do ‎të dëshirojë të jetë larg saj. ‎

Allahu i Plotfuqishëm i paralajmëron njerëzit për ndëshkimin e Tij, dhe i inkurajon robërit e Tij ‎që mos ta humbin shpresën në mëshirën e Allahut. Ai është i mëshirshëm ndaj krijesave të ‎Tij, dhe dëshiron që ata të jenë në rrugën e Tij dhe ta ndjekin Pejgamberin (savs).‎

Imam ibn Maxhe e ka regjistruar këtë hadith:‎

Xhabir ibn Abdullahu (r.a.) thotë: „Na ka folur Pejgamberi (savs), duke thënë: „O njerëz, pendohuni tek Allahu, para se të vdisni, dhe nxitoni me vepra të mira, para se të jeni të zënë! Lidheni atë që është mes jush dhe Zotit tuaj, duke e përmendur shumë Atë! Jepni shumë sadaka fshehurazi dhe publikisht, pastaj do të furnizoheni, ndihmoheni dhe forcoheni!“ (Ibn Maxhe) (…)‎

Vëllezër të dashur!

Le të bëhemi prej atyre që janë përgjegjës në jetën e tyre, mos të bëhemi neglizhentë në ‎kryerjen e urdhrave të Allahut të Plotfuqishëm, dhe le të përgatitemi për Ditën e ‎llogaridhënies!‎

O Allahu i Plotfuqishëm, na ndihmo ta ruajmë fenë islame,

‎- ndihmoji vëllezërit dhe motrat tona që kanë nevojë për ndihmën Tënde, kudo qofshin,

‎- na mbro neve nga sprovat që nuk mund t’i përballojmë,

‎- na i mëshiro prindërit dhe paraardhësit tanë të vdekur,

‎- na i bëj fëmijët dhe pasardhësit tanë dritë të syve dhe zemrave dhe udhëheqës të umetit,

‎- na mëshiro neve në Ditën e Gjykimit, dhe

‎- na ndero në Xhenet me shoqëri të pejgamberëve, të sinqertëve, të shehidëve dhe të ‎njerëzve të mirë! Amin!‎

Përshtati:‎ ‎ Miftar Ajdini

(Islampress)