Pajtimi i njerëzve të hidhëruar

687

Falënderimi qoftë për Allahun e Plotfuqishëm, i Cili na ka dhënë dhe na jep begati të panumërta. Salavatet, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi më të dashurin e Allahut dhe të dërguarin e Tij të fundit Muhamedin a.s. mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që kanë jetuar me të vërtetën në zemrat e tyre.

Vëllezër besimtarë!

Në hutben e sotme do të flasim në temën: “Pajtimi i njerëzve të hidhëruar-hasmuar, është vepër më e vlefshme se sadakaja”

Nëse njerëzit do t’u përmbaheshin rregullave të Kuranit dhe udhëzimeve të Pejgamberit (savs), shejtani nuk do të mund të gërmonte në mes tyre dhe nuk do të kishte kaq shumë grindje dhe ndërprerje të lidhjeve familjare.

Shejtani e ka humbur shpresën se do adhurohet nga namazfalësit, por ai nuk e ka humbur shpresën se do të ketë sukses në përçarjen e besimtarëve, duke përhapur armiqësi në mesin e tyre. Secilës palë shejtani ia zbukuron veprimet, i jep mbështetje në atë që vepron, e inkurajon që të vazhdojë dhe ta mbrojë pozicionin e vet, madje edhe kur është gabim. Si rezultat i kësaj është përhapja e mosdurimit dhe përçarjes mes tyre, e cila më vonë shndërrohet në armiqësi, e nganjëherë në grindje dhe konflikt.

Për shkak të dëmit të madh të kësaj gjendjeje në shoqëri, Islami ka përcaktuar detyrën e pajtimit të palëve të hidhëruara (hasmuara). Këtë Allahu i Madhërishëm e ka urdhëruar në Kuran, duke thënë:

– Dhe rregulloni marrëdhëniet në mes jush… (el-Enfal, 1)

– Nëse dy grupe muslimanësh luftojnë në mes vete, pajtoni ata… (el-Huxhurat, 9)

– Me të vërtetë, muslimanët janë vëllezër, andaj pajtoni vëllezërit tuaj në mes vete… (el-Huxhurat, 10)

Specifika dhe rëndësia e misionit të pajtimit të palëve të hidhëruara është se, në atë situatë lejohet edhe gënjeshtra, për t’ia arritur qëllimit, edhe pse dihet se gënjeshtra është një nga mëkatet e mëdha.

Çfarë shpërblimi premtohet për atë që i pajton të hidhëruarit, mjaftueshëm flet fakti se kjo vepër është më e mirë se namazi nafile (vullnetar), apo ndarja e sadakasë, për shkak të qëllimeve të mëdha që arrihen me rivendosjen e marrëdhënieve të mira, me pastrimin e zemrave nga zilia dhe intoleranca, me vizitat reciproke dhe me mbajtjen e lidhjeve familjare. E gjithë kjo e bën bashkësinë dhe shoqërinë më të fortë dhe më të lumtur.

Ebu Derda (r.a.) transmeton se Pejgamberi savs ka thënë: “A doni t’ju tregoj për veprën që është më e mirë dhe më e vlefshme se agjërimi vullnetar, se namazi dhe sadakaja? Sahabët i thanë: Po, duam! Pejgamberi savs tha: “Pajtimi i të hidhëruarve, sepse grindjet e shkatërrojnë fenë!” (Ebu Davud dhe Ibn Hibban)

Pajtimi i të hidhëruarve konsiderohet lloj i sadakasë, sepse Pejgamberi (savs) ka thënë: “Për çdo asht njeriu është i detyruar çdo ditë të japë sadaka, edhe pajtimi mes dy të hidhëruarve është sadaka!” (Muttefekun alejhi)

Ummu Kulthum bint Ukbe (r.a.) transmeton se Pejgamberi (savs) ka thënë: “Nuk është gënjeshtar ai që dëshiron t’i pajtojë të hidhëruarit, me çka dëshiron të bëjë mirë, ose e thotë vetëm atë që është e mirë!” (Muttefekun alejhi)

Për më tepër, personi që përpiqet t’i pajtojë dy të hidhëruar e ka të ndaluar ta thotë të vërtetën, nëse ajo e përkeqëson më tepër situatën dhe e rritë çarjen mes tyre. Ai i cili i bartë fjalët e njerëzve dhe me to shkakton shqetësim quhet nemmam, madje edhe nëse me atë rast e thotë të vërtetën, sepse bartja e fjalëve të huaja është një nga mëkatet e mëdha, dhe i tilli nuk do të hyjë në Xhenet, siç është theksuar në hadith. Në lidhje me këtë, Ibn Babevejh thotë:

“Allahu e do gënjeshtrën gjatë pajtimit të të hidhëruarve, kurse nuk e do të vërtetën e cila përhap grindje dhe përçarje në mesin e njerëzve!”

Ai që angazhohet t’i pajtojë njerëzit e hidhëruar, në punën e tij duhet të jetë plotësisht i sinqertë dhe të punojë për hir të Allahut, e të mos pres që njerëzit ta lëvdërojnë apo të admirohen me punën e tij. Në këtë situatë, shejtani mund të ndërhyjë në nijetin e tij dhe t’ia prishë veprën. Për ndershmëri në këtë punë, Allahu premton shpërblim të madh, duke thënë:

“S’ka kurrfarë të mire në bisedimet e tyre të fshehta, përveç nëse ndokush kërkon që të jepet sadaka, ose të kryhet vepër e mirë ose paqe në mes njerëzve. E, ai, që bën këtë për të fituar kënaqësinë e Allahut, Na do t’i japim një shpërblim të madh.” (Nisa, 114)

Kush dëshiron që t’i pajtojë të hidhëruarit, duhet ta zgjedh kohën dhe rastin e përshtatshëm, kur të hidhëruarit janë të qetë dhe ekziston mundësia optimale që ta kontrollojnë veten, ta shohim gabimin e tyre dhe t’i kthehen rrugës së drejtë.

Sehl ibn Sad tregon se banorët e fshatit Kuba ishin grindur aq shumë sa që kishin filluar të gjuheshin me gurë. Kur Pejgamberi (savs) ishte informuar në lidhje me këtë, shokëve të tij u kishte thënë: “Ejani të shkojmë atje dhe t’i pajtojmë!” (Buhariu)

Pejgamberi (savs) ka thënë: “Njeriu nuk mund të bëjë vepër më të mirë se namazi, pajtimi i të hidhëruarve dhe sjellja e mirë!” (Sahih)

Ai që i pajton të hidhëruarit, duhet t’i përdorë fjalët më të bukura në komunikim me ta, duhet t’ua kujtojë atyre përkohshmërinë e kësaj bote dhe pavlefshmërinë e shkakut të hidhërimit. Gjithashtu duhet t’ua kujtojë atyre se veprat e tyre të mira nuk do të pranohen tek Allahu i Plotfuqishëm derisa të pajtohen!

Këtë e konfirmon hadithi i transmetuar nga Ebu Hurejre (r.a.) ku i Dërguari (savs) ka thënë:

“Dyert e Xhenetit hapen të hënave dhe të enjteve dhe i falën mëkatet çdonjërit që Allahut nuk i bën shok, përveç njeriut që është i hidhëruar me vëllain e tij musliman. Allahu thotë: “Lërini këta dy derisa të pajtohen, lërini këta dy derisa të pajtohen, lërini këta dy derisa të pajtohen!” (Muslimi)

Situata e të hidhëruarve është edhe më e keqe, nëse ata janë të afërm mes vete dhe për këtë arsye i ndërpresin edhe lidhjet familjare, sepse ai që i ndërpret lidhjet familjare nuk do të hyjë në Xhenet, ka thënë Pejgamberi savs.

Nëse njëri nga të hidhëruarit arsyetohet me faktin se është betuar se nuk do të komunikojë me një person, duhet t’ia kujtojmë se Pejgamberi (savs) ka thënë: “Kush betohet, por pastaj e kupton se nëse bën diçka ndryshe është më mirë, le të tërhiqet nga betimi i tij dhe le të shpaguaj për betimin e tij!” (Muslimi)

Enesi (r.a.) ka thënë: “Kush i pajton dy të hidhëruar, Allahu i Madhërishëm për çdo fjalë do t’i japë shpërblimin e lirimit të një robi.”

Evzaiu thotë: “Për Allahun nuk ka hap më të dashur se sa hapi i atij i cili shkon t’i pajtojë dy të hidhëruar. Kush i pajton dy të hidhëruar Allahu do ta mbrojë atë nga zjarri i Xhehenemit.”

Do të ishte mirë dhe e dobishme që në xhematët tona të organizohen grupe individësh me reputacion, të ndershëm dhe njerëz me autoritet të cilët do t’i vizitonin dhe pajtonin njerëzit që janë të hidhëruar. Allahu na ndihmoftë në këto përpjekje!

– O Zot na i prano veprat tona të mira dhe na i fal mëkatet dhe gabimet!

– O Zot, ndihmoju të gjithë vëllezërve dhe motrave tona në nevojë!

– Na bën prej atyre që vetëm për Ty bëjmë ruku dhe sexhde!

– Na ruaj nga sprovat të cilat nuk mund t’i përballojmë!

– O Zot, fali prindërit dhe paraardhësit tonë të vdekur, të cilët te ne e përcjellën dritën e Islamit, kurse fëmijët tonë bëri prijës të Umetit dhe mbrojtës më të mirë se ne të fesë dhe atdheut!

O Zot, na mëshiro në Ditën e gjykimit, dhe na vendos në Xhenet në shoqëri me pejgamberët, me të sinqertët, me shehidët dhe me njerëzit e mirë! Amin.

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress)