Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Ndërsa bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin (a.s.) për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.
Vëllezër besimtarë!
Në hutben e sotme, me lejen e Allahut, do të flasim në temën: „Pse shpërndarja e momenteve të lumtura në facebook mund t’ju sjellë pakënaqësi?“
Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Një njeri që pastrohet në ditën e xhuma, e pastron veten e tij me sa të mundet, i lyen flokët me vaj ose parfumohet nga parfumet e shtëpisë së tij, shkon në xhami dhe nuk shkakton ndarje mes dy vetave (që janë ulur), falet ashtu siç e ka urdhëruar Allahu dhe pastaj dëgjon me vëmendje atë që thotë imami, do t’i falen të gjitha mëkatet nga e xhumaja deri në xhumanë tjetër, përveç nëse bën ndonjë nga mëkatet e mëdha.”
Të nderuar vëllezër!
Facebooku është nisur më 4 shkurt 2004. Atë e themeloi Mark Zuckerberg dhe kolegët e tij nga Harvardi. Fillimisht ishte dedikuar për studentët e Harvardit si një mënyrë për t’u lidhur dhe komunikuar brenda universitetit. Me kalimin e kohës, Facebooku u zgjerua edhe në universitete të tjera, dhe më në fund në publikun e gjerë, duke u bërë një rrjet social global që sot ka miliarda përdorues.
Kështu Facebooku erdhi edhe te ne (në Kosovë,…). Dhe, në vend se të ndajmë përmbajtje të dobishme në të dhe për të promovuar të mirën, ne e përdorim atë, përafërsisht, për diskutime, grindje, thashetheme ose vetëlavdërime të panevojshme. Falë Facebookut, pavarësisht se prej vitesh nuk kemi hyrë në shtëpinë e fqinjit dhe nuk pimë kafe me të, ne mund të shohim çdo detaj të jetës së tij private, sepse ai, ose gruaja, ose fëmija i tij kanë postuar foto të dasmes së bukur, të makinës së re, të suksesit në punë apo në shkollë, në udhëtime, madje shpesh shohim edhe se çfarë kanë ngrënë, si janë në dhomën e gjumit dhe sa shumë e duan njëri-tjetrin.
Kjo nuk është në rregull! Me të vërtetë, kjo nuk është në rregull, sepse Pejgamberi (savs) ka thënë: “Mësyshi është i vërtetë dhe ai mund ta rrëzojë njeriun nga lartësia.” Se mësyshi mund ta kthejë diçka të bukur në fatkeqësi, ose siç ka thënë Pejgamberi ynë (a.s.) “mund ta rrëzojë njeriun nga lartësia”, këtë e ka ditur edhe Jakubi (a.s.), kur e ka këshilluar djalin e tij Jusufin (a.s.) duke i thënë: “O biri im! Mos ua trego ëndrrën tënde vëllezërve të tu, që të mos kurdisin ndonjë gjë kundër teje, sepse, vërtet, shejtani është armik i hapët i njeriut.” (Jusuf, 05).
Kjo këshillë, ky ajet, na jep një mesazh të fortë se; jo gjithmonë duhet të ndajmë gjithçka që na ndodh, madje edhe me më të afërmit, e lëre më me të gjithë botën, siç bëjmë shpesh, sepse ka njerëz që, me dije apo pa dije, mund të na shkaktojnë dëm edhe neve dhe familjes tonë.
Se sa i rrezikshme është mësyshi (edhe magjia) dhe sa shumë dëm mund të shkaktojë, tregon më së miri hadithi i mëposhtëm i Muhamedit (a.s.) në të cilën thuhet: “Vdekshmëria më e madhe në umetin tim, pas caktimit të Allahut, është nga ndikimi i marrjes mësysh.”
Dijetari i famshëm islam Ibni Kajjimi thotë: “Mësyshi është i vërtetë dhe efekti i tij është i vërtetë. Ai mund ta prekë njeriun, kafshën, pasurinë, shëndetin ose diçka tjetër. Kjo ndodh kur njeriu shikon atë që e do, ose atë që e ka zili pa e përmendur emrin e Allahut. Energjia e tillë mund të shkaktojë dëm, por në të njëjtën kohë, vullneti dhe mbrojtja e Allahut është mbi këtë.”
Nuk është problemi i postimit të fotove tona në rrjetet sociale dhe në vende publike vetëm në mësysh, ai mund të jetë edhe i natyrës tjetër.
Në fakt, inteligjenca artificiale gjithnjë e më shumë po merr hov në jetën e përditshme, saqë edhe ata që nuk dinë ta përdorin shumë mirë teknologjinë sot mund t’i përdorin aplikacionet (e IA) për të krijuar përmbajtje të ndryshme. Pikërisht ky fakt e ka nxitur edhe reklamën e publikuar pak muaj më parë, në kuadër të fushatës „Ndani me kujdes“ (ShareWithCare). Në video shfaqet një vajzë e vogël që shndërrohet në një grua të rritur falë inteligjencës artificiale. Fushata ka për qëllim t’i paralajmërojë dhe t’i ftojë prindërit që të mos postojnë foto dhe video të fëmijëve të tyre në rrjetet sociale. Përmes fushatës theksohet se këto postime mund të çojnë në abuzim, gjegjësisht në vjedhje të identitetit, në pornografi të fëmijëve, e deri në të ashtuquajturat „mashtrimet e thella“ (deepfake), që do të thotë, se fotot, videot dhe regjistrimet audio mund të manipulohen falë softuerit të inteligjencës artificiale. Hulumtimet tregojnë se deri në vitin 2030, shumica e rasteve të mashtrimit përmes vjedhjes së identitetit të fëmijëve mund të shkaktohen nga “shpërndarja” (shareting), do të thotë, nga postimi i fotove dhe videove të fëmijëve nga prindërit e tyre.
Pejgamberi (a.s.) na ka treguar se si të mbrohemi nga mësyshi. Kështu, në një hadith transmetohet se Amir bin Rebi’a e kishte marrë mësysh Sehl bin Hunejfin, edhe pse ata e donin njëri-tjetrin dhe ishin sahabë të Pejgamberit (a.s.). Sehli ishte jashtëzakonisht i bardhë dhe me lëkurë të bardhë, që tek arabët është simbol i bukurisë. Ebu Umame thotë: “Babai im, Sehli, po lahej në Harre (një nga luginat e Medinës). Ai e hoqi veshjen (mantelin) e tij, ndërsa Amir bin Rebia po e shikonte. Amiri i tha: “Deri më sot, nuk kam parë lëkurë kaq të bukur as edhe te një virgjëreshë e fshehur.” Në atë moment Sehlin e kapi një dhimbje e fortë. Ata e njoftuan Pejgamberin (a.s.) dhe i thanë se Sehli kishte aq shumë dhimbje saqë nuk mund të ngrinte kokën. Pejgamberi (a.s.) i pyeti: “A dyshoni për dikë?” Ata u përgjigjen: „Po, dyshojmë në Amir bin Rebian!“ Pejgamberi (a.s.) e thirri Amirin dhe iu drejtua me një ton të ashpër: “Pse po i vrisni vëllezërit tuaj? Pse nuk e bekove?“
Ky hadith na mëson se kur të shohim një fëmijë të bukur, kur të shohim diçka të mirë tek fqinji, tek një vëlla musliman, nëse ia dëshirojmë të mirën, atëherë nuk duhet të themi: “Ah, sa i bukur apo sa i mirë qenka!“ Por duhet të themi: “Mashallah sa i bukur qenka!” ose duhet të bëjmë ndonjë lutje tjetër.
Gjithashtu, për t’u mbrojtur nga mësyshi, duhet të lexojmë nga tri herë në mëngjes dhe në mbrëmje: Ajetul-Kursinë, suret: el-Ihlas, el-Felek, en-Nas. Pastaj edhe këtë lutje: “Eudhu bi kelimatil-lahit-taammati min sherri ma haleka.”
Përveç kësaj mbrojtjeje shpirtërore të cilën na e ka mësuar i Dërguari i Allahut (a.s.), ekziston edhe mbrojtja dixhitale, të cilën na e rekomandojnë ekspertët e fushës së informatikës dhe të shkencave të ngjashme, të cilët i japin këto udhëzime:
• Para se ta publikojmë një foto apo një informacion, le të mendojmë mirë dhe le të pyesim veten: A është, me të vërtetë, e nevojshme të publikohet kjo foto? Çfarë dëshiroj të arrij me publikimin e saj? Këto pyetje të thjeshta mund të na kujtojnë se nuk kemi pse të ndajmë gjithçka që po ndodh në jetën tonë, sepse jo të gjithë janë të lumtur që kemi blerë një makinë të re, ose që fëmija ynë po shkon mirë në shkollë. Kujt i intereson se çfarë përgatiti gruaja juaj për darkë ose si ishte udhëtimi juaj?
• Prania jonë në internet duhet të jetë e dobishme dhe frymëzuese. Duhet të ndajmë përmbajtje të cilat sjellin dobi, të cilat i frymëzojnë të tjerët dhe i nxisin për të menduar. Le të jenë postimet tona mjet për përhapjen e mesazheve pozitive, dhe jo për ta ekspozuar privatësinë, për t’i ekspozuar diskutimet, thashethemet dhe “rrobat a palara”.
• Nëse, pavarësisht nga të gjitha këto, ende vendosim të ndajmë gjëra private, foto të fëmijëve tanë, atëherë, le të vendosim kufij të qartë. Le t’i përdorim opsionet e cilësimeve private në rrjetet sociale për ta ndarë përmbajtjen vetëm me më të afërmit. Në këtë mënyrë, ne e zvogëlojmë rrezikun që lumturia jonë të ekspozohet ndaj syve të këqij dhe që përmbajtja jonë të keqpërdoret.
Të dashur vëllezër!
Siç mund ta shihni, ne po jetojmë në një kohë ku është e lehtë të humbët kuptimi i kufirit midis asaj që është private dhe asaj publike.
Le të marrim mësim nga tregimi për Jusufin (a.s.) dhe le të jemi të kujdesshëm në ndarjen e begative tona.
Le të mendojmë dy herë para se ta publikojmë një foto apo një informacion dhe, le ta pyesim veten se a është kjo, me të vërtetë, e nevojshme.
Le të jetë pozitive gjurma jonë dixhitale, dhe jeta jonë le të jetë e mbrojtur me lutje dhe me modesti.
O Allah, na ruaj nga çdo smirë dhe mësysh (e magji) dhe na jep mençuri që teknologjinë ta përdorim në një mënyrë që do të sjellë të mira. Amin!!!
Përshtati: Miftar Ajdini
(Islampress.ch)