Mësoni fëmijët tuaj si të ecin dhe mos i mbani vazhdimisht në krahë

142

Në një fshat jetonin dy fqinj, njëri ishte mësues në pension, kurse tjetri agjent sigurimesh me interes të madh për teknologjinë moderne. Të dy kishin mbjellë të njëjtat bimë në kopshtet e tyre. Mësuesi i pensionuar u jepte pak ujë bimëve të tij dhe nuk u kushtonte vëmendje të plotë, ndërsa fqinj i tij u jepte bimëve të tij shumë ujë dhe kujdesej mirë për to.

Bimët e mësuesit të pensionuar ishin të thjeshta, por dukeshin mirë dhe të qëndrueshme, ndërsa bimët e agjentit të sigurimeve ishin më të plota, më të gjelbra dhe më të freskëta. Një natë erdhi një stuhi, binte shi i fortë dhe frynte një erë e fortë.

Në mëngjesin tjetër, dy fqinjët dolën të shikonin dëmet që kishte shkaktuar stuhia në kopshtet e tyre. Agjenti i sigurimeve pa se bimët e tij ishin shkulur dhe tërësisht të shkatërruara, ndërsa bimët e mësuesit të pensionuar nuk ishin dëmtuar fare dhe ishin të qëndrueshme dhe të forta!

Agjenti i sigurimeve u habit nga ajo që ndodhi, kështu që shkoi te fqinj i tij dhe i tha: “Të dy kemi mbjellë të njëjtat bimë në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin vend. Për më tepër, unë u kujdesa për bimët e mia më mirë se ti, kështu që bimët e mia u bënë më të gjelbra, më të plota dhe më të bukura se të tuat. Por pas stuhisë, kur shikova kopshtin tim dhe bimët në të, pashë se ishin tërësisht të shkatërruara, ndërsa bimët e tua kishin mbetur të drejta dhe të qëndrueshme. A ka ndonjë kuptim kjo, si ndodhi kjo dhe pse?”

Mësuesi i pensionuar buzëqeshi dhe tha: “Mik i dashur, ti u dhurove bimëve të tua vëmendje dhe ujë “të tepërt”, dhe atë në një kohë kur ato nuk kishin nevojë për kaq shumë kujdes dhe vëmendje. Ti ua bëre jetën shumë të lehtë bimëve të tua, ndërsa unë bimëve të mia u dhashë sasi të arsyeshme uji. Megjithatë, kjo ishte pak më pak se sa kishin nevojë, kështu që bimët e mia u detyruan t’i zgjerojnë rrënjët e tyre në tokë gjithnjë e më thellë në kërkim të më shumë uji për t’i plotësuar nevojat e tyre.

Për këtë arsye rrënjët e bimëve të mia ishin më të thella, më të gjata dhe më të forta, gjë që bëri që bimët e mia të ishin më të qëndrueshme dhe më të forta. Pra, bimët e mia i mbijetuan stuhisë, ndërsa bimët e tua “të llastuara” nuk e bënë, sepse rrënjët e tyre mbetën të shkurtra dhe të dobëta. Ato kishin nevojë për mbështetje, sepse nuk mund të mbështeteshin në vetvete si bimët e mia.”

Ky në fakt, është një tregim rreth edukimit prindëror të fëmijëve që na zbulon se fëmijët janë si bimët. Nëse u jepet gjithçka, ata nuk do ta kuptojnë vlerën e asaj që kanë, nuk do të përpiqen të fitojnë vetë atë që u nevojitet, do të mbeten të varur nga të tjerët dhe nuk do të jenë në gjendje të përballen me jetën dhe sfidat e saj. Për më tepër, ata vetë nuk do të mësojnë ta respektojnë dhe ta vlerësojnë punën.

Prandaj, është shumë më mirë që t’i drejtoni, t’i edukoni dhe t’i udhëzoni fëmijët sesa t’u jepni dhe t’u siguroni atyre gjithçka gati si në një pjatë. Mësojini fëmijët tuaj si të ecin dhe mos i mbani me vete dhe mos i bëni invalidë kur mund të ecin. Por mos i lejoni ata të enden apo të ndjekin ndonjë rrugë, por ecni përpara tyre në rrugën e drejtë të jetës dhe lërini fëmijët tuaj t’ju ndjekin.

Autor: Abdusamed Nasuf Bušatlić

Përshtati në shqip: Miftar AJDINI

(Islampress)