O besimtarë, jepni nga ajo me çka ne u furnizojmë juve!

83

Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Ndërsa bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin a.s. për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.

Vëllezër besimtarë!

Në hutben e sotme, me lejen dhe ndihmën e Allahut, do të flasim në temën: “O besimtarë, jepni nga ajo me çka Ne ju furnizojmë juve!”

Thotë Allahu i Plotfuqishëm në Kuranin famëlartë:

„O besimtarë, para se të vijë një ditë kur nuk do të ketë as shitblerje, as miqësi, e as ndërmjetësi, jepni nga ajo me çka Ne u furnizuam juve. Pabesimtarët janë mizorë (zullumqarë).“ (el-Bekare, 254)

Tregohet se në kohën e Musait (a.s.) jetonte një çift i martuar i cili ishte jashtëzakonisht i varfër. Varfëria e tyre zgjati një kohë të gjatë dhe atë e përballonin vetëm duke bërë sabër. Një natë derisa po qëndronin të shtrirë në shtrat, gruaja e pyeti burrin e saj: “A nuk është Musai (a.s.) i Dërguari i Allahut, dhe a nuk ka folur Allahu me të drejtpërdrejt?”

Burri i tha: “Po!”

Atëherë gruaja i tha: “Pse ne nuk shkojmë tek ai dhe t’i ankohemi për gjendjen tonë të vështirë, dhe ai le ta lus Allahun të na japë nga furnizim nga thesari i Tij, ashtu që pjesën e mbetur të jetës ta jetojmë në pasuri dhe begati?”

Burri u përgjigj: “Shumë qenka ky një propozim i bukur, oj grua!”

Në mëngjes ata shkuan te Musai (a.s.) dhe iu ankuan për gjendjen e tyre dhe i kërkuan që të bëjë lutje tek Allahu për ta, që t’ju jepe atyre pasuri e cila do t’i bëjë të pavarur nga njerëzit.

Musai (a.s.) i dëgjoi dhe iu lut Allahut që asaj familjeje, përkatësisht, atij çifti bashkëshortor t’i jepte pasuri. Allahu i Plotfuqishëm e pranoi lutjen e tij dhe i shpalli:

“O Musa, thuaju atyre se Unë do t’u japë atyre furnizim dhe ata do të bëhen të pasur, por vetëm për një vit. Kur të kalojë një vit, ata përsëri do të kthehet në gjendjen e mëparshme të varfërisë.”

Musai (a.s.) i informoi ata për këtë, kurse ata dy u gëzuan pa masë për pranimin e lutjes.

Dhe me të vërtetë, furnizimi ju erdhi nga të gjitha anët, prej nga ata as nuk kishin shpresuar. Ata u bënë jashtëzakonisht të pasur, kështu që jeta e tyre u ndryshua nga themeli. Mirëpo, sikur që varfëria ata nuk i hodhi në dëshpërim, ashtu as pasuria nuk i bëri mendjemëdhenj.

Gruaja e devotshme njëherë i tha burrit të saj:

“Ne duhet mos të harrojmë se pasuria jonë do të zgjasë vetëm një vit dhe ne përsëri do të kthehemi në varfëri. Prandaj, unë propozoj që ne këtë pasuri ta investojmë, ashtu që njerëzit të na kujtojnë si bamirës, dhe kur të kalojë një vit dhe kur të kthehemi në gjendjen e varfërisë, njerëzit do ta kujtojnë bamirësinë tonë dhe do të na ndihmojnë ashtu siç u kemi ndihmuar ne atyre.”

Burri përsëri u pajtua me mendimin e gruas së tij dhe vendosën që ta ndërtojnë një shtëpi për udhëtarët, dhe atë në pikën ku takohen 7 rrugët. Ata e ndërtuan një ndërtesë si han (karvan saraj), e cila i kishte 7 dyer, ashtu që nga të gjitha 7 drejtimet mund të hyhej direkt në shtëpi.

Ata e pajisën shtëpinë dhe e ndërtuan një kuzhinë të madhe, ashtu që çdo ditë pritnin musafirë dhe udhëtarë nga të gjitha anët, ju përgatitnin ushqim dhe ju siguronin bujtje. Kështu po kalonin ditët e muajt, ndërsa Musai (a.s.) po e ndiqte gjendjen e tyre dhe sjelljen e tyre.

Kaloi një vit që kur ata ishin bërë të pasur, por situata e tyre nuk ndryshoi. Ata dy ende çdo ditë angazhoheshin për tu përgatitur ushqim udhëtarëve ashtu që e kishin harruar edhe kohën kur do të zhduket pasuria e tyre.

Pasiqë kishte hyrë viti i ri, Musai (a.s.) po çuditej me gjendjen e tyre, andaj iu drejtua Allahut, duke i thënë:

“O Zot, Ti e pranove lutjen time për këta dy njerëz dhe premtove se do të jenë të pasur një vit, dhe ja ka hyrë viti tjetër, kurse gjendja e tyre e pasurisë dhe mirëqenies nuk po ndryshon. Pse?”

Allahu i Plotfuqishëm iu përgjigj:

“O Musa, unë atyre ua hapa një derë të furnizimit, kurse ata i hapën 7 dyer për t’i ushqyer robërit e Mi. Mua më vjen turp që robërit e Mi të jenë më fisnikë se Unë.”

Allahu i Plotfuqishëm thotë:

“Kurrsesi nuk do të arrini mirësinë e lartë, përderisa të mos ndani një pjesë nga ajo që e doni. Por çkado që të ndani, Allahu e di atë.” (Alu Imran, 92)

– “… Çkado që të shpenzoni në rrugën e Allahut do t’ju kompensohet dhe nuk do t’ju bëhet padrejtësi.” (el-Enfal, 60)

– “Ata që shpenzojnë pasurinë e vet në rrugë të Allahut, i shëmbëllejnë atij që mbjell (një) kokërr nga e cila dalin 7 kallinj, dhe në çdo kallinj nga 100 kokrra. – Allahu ia shton (shpërblimin) edhe më tepër atij që don; se Allahu është i Gjithëdijshëm dhe mirëbërës i madh.” (el-Bekare, 261)

Të dashur vëllezër!

Ashtu siç është emri i Zotit El-Khalik – Ai që krijon çdo gjë, ashtu është edhe emri i Zotit Er-Rezzak – Ai i cili jep furnizim. Ashtu siç besojmë se Allahu është Krijuesi i gjithçkaje që ekziston, po ashtu duhet të besojmë që Allahu është furnizues i gjithçkaje që ne kemi.

Prandaj, le të ndalemi për një çast dhe të mendojmë për ato me të cilat na ka furnizuar Allahu. Shëndeti, mendja, pasuria, pasardhësit … dhe pas atij momenti të të menduarit, le të vendosim që të bëhemi robër mirënjohës ndaj Allahut, dhe ashtu siç na ka dhënë neve Allahu nga thesari i Tij, le tu japim edhe ne të tjerëve nga ajo që na ka dhënë neve Allahu.

Paratë vijnë dhe shkojnë. Jeta dhe shëndeti çdo sekondë pak e më pak. Fëmijët do të shkojnë rrugëve të tyre. Pra, çka do të mbetët? Do të mbetet vetëm vepra e mirë që e kemi bërë. Njerëzit do të na mbajnë në mend si bamirës ose si “asgjë”.

Nëse do të ishim bamirës, ka shpresë që edhe neve do të na bëjnë bamirësi kur të gjendemi në momente të vështira, por nëse kemi qenë “asgjë”, atëherë çka tjetër mund të presim përveç se “asgjë”.

Nga Ibn Mesudi (r.a.) transmetohet se Pejgamberi (savs) në një rast ai pyeti shokët e tij: “Cili prej jush e do më shumë pasurinë e pasardhësi tij sesa pasurinë e vet?” Ata u përgjigjën: “O i Dërguari i Allahut, nuk ka asnjë prej nesh, që nuk e do më shumë pasurinë e tij.” Pejgamberi (savs) tha: “Vërtetë, pasuri e tij është ajo që e ka dhënë, ndërsa pasuri e pasardhësit të tij është ajo që e ka mbajtur!”

Një njeri i urtë ka thënë: “Islami do të fitojë (e mira do të fitojë) me ose pa ty. Mirëpo, ti pa Islamin (pa të mirën) me siguri do të humbasësh dhe do të shkatërrohesh!”

O Allah, Zoti ynë, të lutemi na jep shëndet, na e ruaj shëndetin dhe na ruaj nga sëmundjet.

O Allah, na jep nafakë të bollshme, nga të gjitha anët, plotë bereqet.

O Ti që furnizon më së miri, na furnizo pa kufi, me furnizim të atillë, që pastaj kurrë mos të kemi frikë nga varfëria.

O Allah, Ti që e lëshon shiun, na furnizo prej nga nuk e shpresojmë, me të vërtetë Ti je Furnizuesi më i mirë. Amin !!!

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress)