Cilët janë faktorët që përcaktojnë se pse një fëmijë do të ngritët mbi mesataren, ndërsa të tjerët nuk e realizojnë potencialin e tyre?
Në këto dhe shumë pyetje të tjera, është përpjekur të përgjigjet Dr. John Holt, në librin e tij të jashtëzakonshëm “How Children Fail” (“Si dështojnë fëmijët”). Duke folur për shumë faktorë që ndikojnë në zhvillimin e fëmijës, Holt në plan të parë e vendos ndikimin e prindërve dhe mësuesve, të cilët duke zgjedhur metodat dhe teknikat edukative e arsimore kanë mundësinë të formojnë tek fëmija një bazë të fortë për sukses jetësor. Për fat të keq, më shpesh zemrat e ndjeshme të fëmijëve ju ekspozohen kritikave, dënimeve dhe qortimeve, si dhe ngufatjes së kreativitetit dhe lirisë së tyre.
Një nga arsyet më të mëdha pse fëmijët dështojnë gjatë shkollimit, pastaj edhe në jetën e mëvonshme është frika. Frika nga kritikat, frika nga moshatarët, frika nga gabimet, frika nga dështimi, dhe kjo listë shkon deri në pambarim. Rrënja e frikave kthehet në metodat e këqija të (mos) edukimit, për shkak të së cilave fëmijët jetojnë në ngërç të vazhdueshëm, i cili i pengon në realizimin e potencialit të tyre. Prindërit dhe mësuesit përpiqen t’i bëjnë fëmijët më të mirë duke i kritikuar, por ky veprim shpesh është kundërproduktiv. Holti thekson se dhurata më e madhe që prindërit dhe mësuesit mund t’u japin fëmijëve është që të tregojnë besim në aftësinë e fëmijës për ta realizuar potencialin e tij. Bindja prindërore në aftësitë e fëmijës pasqyrohet edhe tek fëmija, i cili e kupton se ai vlen dhe mundet t’i përmbushë nevojat e tij dhe të jetë i suksesshëm.
Në vazhdim, nga libri i përmendur i Dr. Holtit, po sjellim një seksion të shkurtër të frikave më të mëdha, për shkak të së cilave fëmijët nuk mund të arrijnë sukses më të madh.
Nga kush frikësohen fëmijët në shkollë?
Së pari, fëmijët kanë frikë mos t’i zhgënjejnë pritjet e të rriturve, në radhë të parë të prindërve dhe mësuesve. Kjo frikë luhatet gjithandej mbi kokat e fëmijëve si një re e errët, dhe i shtynë ata të dështojnë.
Çfarë tjetër i frikëson fëmijët tanë?
Fëmijët frikësohen edhe nga poshtërimi kur nuk janë në gjendje të mësojnë gjithçka që kërkohet prej tyre.
Ata kanë frikë se do të bëhen objekt i moshatarëve të tyre, të cilët do të tallen dhe do t’i vënë në siklet publik.
Fëmijët kanë frikë, gjithashtu, nga krahasimet e dhimbshme.
Ata lëndohen kur prindërit i krahasojnë me vëllezërit dhe motrat e tyre ose me shokët a shoqet e klasës.
(Shembuj: ”Shikoje çfarë është Jasmini, dhe shiko çfarë je ti”, “Pse nuk je edhe ti si filani dhe filani?” “Sa i qetë është ai dhe i dëgjueshëm, e shiko ti çfarë je, turp!”)
Fëmijët shumë frikësohen edhe nga gabimet. Të rriturit kanë shumë pak ose aspak tolerancë për gabimet. Pa marrë parasysh, se a bëhet fjalë për derdhjen e qumështit, për përgjigje të gabuar në matematikë, apo për shqiptim të gabuar të fjalës, fëmijët tanë u ekspozohen kritikave për çdo gabim që bëjnë.
Frika është pengesa më e madhe në procesin e të mësuarit. Madje edhe mendjet gjeniale, nuk mund të mbijetojnë nëse janë të ekspozuara ndaj një frike të vazhdueshme nga dështimi, humbja dhe mos përmbushja e pritjeve të njerëzve të tjerë. Pikërisht për këto arsye, shpikësit si Tomas Edisoni dhe Albert Einsteini, kanë kaluar shumë keq gjatë shkollimit formal. Dhe sapo janë liruar nga presioni, dhe kur janë lejuar që ta shprehin kreativitetin e tyre dhe të bëjnë diçka me vlerë, ata nga mediokritetët janë bërë madhështorë. /Akos.ba/
Përkthim: Miftar Ajdini
(Islampress)