“Xhamitë plot, por zemrat bosh”

710

Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Ndërsa bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin a.s. për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.

Vëllezër besimtarë!

Në hutben e sotme, me lejen e Allahut, do të flasim në temën: “Xhamitë plot, por zemrat bosh, le t’i kthehemi thelbit të Islamit!”

Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Një njeri që pastrohet në ditën e xhuma, e pastron veten e tij me sa të mundet, i lyen flokët me vaj ose parfumohet nga parfumet e shtëpisë së tij, shkon në xhami dhe nuk shkakton ndarje mes dy vetave (që janë ulur), falet ashtu siç e ka urdhëruar Allahu dhe pastaj dëgjon me vëmendje atë që thotë imami, do t’i falen të gjitha mëkatet nga e xhumaja deri në xhumanë tjetër, përveç nëse bën ndonjë nga mëkatet e mëdha.”

Të nderuar vëllezër!

Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Do të vijnë kohëra kur prej Islamit do të mbetet vetëm emri, e prej Kuranit vetëm shkronjat. Xhamitë do t’i ndërtojnë, por udhëzimi në to do të mungojë…”

Pejgamberi (a.s.), gjithashtu ka thënë:

“Musliman është ai, nga gjuha dhe dora e të cilit janë të sigurt (selime) muslimanët e tjerë.”

“Nuk është musliman ai që fle i ngopur derisa fqinji i tij është i uritur.”

“Nuk ka besim ai që nuk i përmbush premtimet e dhëna.”

“Nuk ka besim ai që nuk dëshiron për vëllanë e tij atë që dëshiron për veten e tij.”

 “Nuk ka besim ai që nuk ka besnikëri, nuk ka Islam dhe ai që nuk e përmbush marrëveshjen.”

“Kush na mashtron neve, ai nuk është nga ne!”

“Nuk ka besim ai që nuk e do vëllanë e tij si veten e tij.”

“Nuk ka besim ai që nuk ka mëshirë ndaj njerëzve.”

“Nuk ka besim ai që nuk i do veprat e mira.”

“Nuk ka besim ai që nuk i fal të tjerët.”

“Nuk ka besim ai që u frikësohet njerëzve më shumë se Allahut.”

“Nuk është prej nesh ai që thërret në nacionalizëm (asabijjeh – paragjykim fisnor).”

“Nuk është prej nesh ai që nuk e merr fëmijën që i takon.”

“Nuk është prej nesh ai që nuk i respekton të moshuarit tanë, nuk i mëshiron fëmijët tanë dhe nuk i njeh të drejtat e dijetarëve tanë.“ 

“Nuk është prej nesh ai që i shqetëson fqinjët.”

“Nuk është prej nesh ai që e lë në vështirësi vëllanë e tij musliman.”

Vëllezër të dashur!

Pasi që i dëgjuam të gjitha këto hadithe, secili prej nesh le t’ia bëjë vetvetes dhe le t’i  përgjigjet kësaj pyetjeje: A jemi vërtet muslimanë në veprimet, mendimet dhe fjalët tona, apo jemi vetëm formalisht dhe me emër?

Allahu i Plotfuqishëm thotë:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اتَّقُوا اللَّهَ حَقَّ تُقَاتِهِ وَلَا تَمُوتُنَّ إِلَّا وَأَنتُم مُّسْلِمُونَ

“O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!” (Alu-Imaran, 102)

Hutben e sotme do ta përfundoj me vargjet e kolosit islam Muhamed Ikbal, i cili thotë:

“Xhamitë janë plot, por zemrat janë bosh,

adhurimi është në formë, por shpirti nuk është i pranishëm.

Zgjohu o musliman, kërkoje Allahun brenda vetes,

sepse besimi i vërtetë nuk qëndron në atë që thuhet, por në zemër.”

Xhamitë janë plot, por zemrat bosh. Le t’i kthehemi thelbit të Islamit!”

O Allah, na forco në besim. Na udhëzo në rrugën e drejtë. Na ndihmo që të jemi muslimanë të vërtetë; në vepra, në mendime dhe në fjalë.

O Allah, na i falë mëkatet tona. Na mbo nga mashtrimet dhe na rretho me njerëz të mirë. Amin!!!

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress)