Anëtarësia e xhamisë

435

Oqeani është një pikë e madhe, ndërsa pika është një oqean i vogël. Në të vërtetë, oqeani është një grumbull pikash, dhe kjo e bën të fuqishëm dhe të papërballueshëm. Në të jeton një numër krijesash të ndryshme, të njohura vetëm nga Allahu, dhe ai përëri është i fortë sepse uji është i përbashkët për të gjitha, ai i bashkon ato; kurse pa të, ato nuk mund të ekzistojnë. Në oqean lundrojnë anije të mëdha me ngarkesa të ndryshme, por shpatullat e tij të mëdha as nuk i ndiejnë ato. Forca e tij e papërballueshme vjen nga mbledhja e panumërt e pikave.

Edhe pse pika ka të njëjtën përbërje kimike si oqeani, ajo nuk mund të strehojë atë larmi të madhe të jetës. Ajo nuk i krijon valët mbi të cilat lundrojnë anijet. Ajo nuk e ka vëllimin nga i cili në procesin e ciklit të ujit në natyrë avullojnë kubikë uji për të ujitur tokën e thatë dhe për t’u dhënë jetë krijesave. Një pikë mund të fshihet me një lëvizje të thjeshtë. Vetëm kur pika bashkohet me motrat e saj në oqean, ajo fiton forcë.

Ummeti është një oqean, nga Maroku deri në Indonezi, dhe brenda tij ekziston një larmi e madhe zakonesh, kulturash, gjuhësh dhe ngjyrash. Të gjithë e kanë të përbashkët ujin që buron nga shpella Hira, të gjithë e kanë të përbashkët Islamin. Kur ajo që është e përbashkët ka mbizotëruar mbi atë që është individuale dhe është ngritur mbi nacionalizmin, valët e oqeanit kanë lëvizur brigjet e tij, oqeani është zgjeruar dhe brenda tij ka garantuar siguri për të gjitha dallimet.

Kushdo që ka menduar se duke u bërë një pikë e shkëputur nga oqeani do të kishte më shumë hapësirë për vete, e ka humbur hapësirën dhe është zhdukur. Muslimanët në Spanjë nuk jetojnë më, të ndarë nga oqeani, nga ummeti, janë fshirë me një lëvizje të thjeshtë, siç fshihet një pikë. Muslimanët në Rumani, Bullgari, Hungari, Sicili nuk jetojnë më, sepse, për shkak të rrethanave historike, u bënë pika të ndara. Muslimanët në Palestinë, Kashmir, Filipine, Mianmar… përpiqen të derdhen në oqean, duke i thirrur valët e tij për t’u bashkuar me të dhe për ta shmangur zhdukjen.

Muslimanët e Bosnjës u shkëputën nga oqeani në Berlin në vitin 1878. Nuk janë aq të mëdhenj sa të bëhen një det, as aq të vegjël sa toka t’i përthithë; ata janë një liqen. Nga oqeani janë larg, valët e tij vështirë se mund t’i prekin, pasi shkëmbi i ngritur në Kongresin e Berlinit është shumë i lartë. Kur është kështu, le ta quajmë liqenin tonë oqean dhe të sillemi si të tillë. Le t’i bashkojmë të gjitha pikat, sepse për të gjitha dallimet ka vend në gjirin e Islamit boshnjak. Vetëm atëherë shpatullat tona do të bëhen të fuqishme dhe anijet e historisë dhe rendit të ri botëror do të mund të kalojnë pa na dëmtuar. Le të quhemi oqean, dhe le të sillemi si të tillë, në mënyrë që të mos zhdukemi.

Uji është i përbashkët për të gjithë në oqean, edhe Islami është i vetmi i përbashkët për të gjithë në liqenin boshnjak. Dalja nga uji dhe ndarja nga oqeani, çon në fshirje dhe zhdukje. Në hapësirën e liqenit tonë ka vend për të gjithë, dhe liqeni ynë është Bashkësia Islame. Për të treguar se liqeni është plot jetë dhe valët e tij godasin fuqishëm, pikat – pra njerëzit, pra ne – duhet të bashkohemi me motrat tona pika, me vëllezërit muslimanë, intelektualët dhe punëtorët, të rinjtë dhe të moshuarit, burrat dhe gratë.

Valët e liqenit tonë janë shehadeti. Shehadeti është burimi i fuqisë sonë, ai është themeli i unitetit tonë. Me të, Allahu i Plotfuqishëm i bashkoi fiset e ndara arabe. Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Ai i bashkon zemrat e tyre (si një zemër e vetme). Sikur të shpenzoje tërë pasurinë që gjendet në Tokë, nuk do të mund t’i bashkoje zemrat e tyre, por Allahu i bashkon ato. Ai është vërtet i Plotfuqishëm dhe i Urtë.” (el-Enfal, 63). Kur shehadeti është në ne, atëherë edhe uniteti është mes nesh, sepse nëse zemra është e shëndoshë, i gjithë trupi është i shëndoshë.

Valët e liqenit tonë janë namazi. Namazi nuk lejon që liqeni të ndotet. Kur namazi është me ne, pastërtia e trupit, veshjes dhe vendit është gjithashtu me ne dhe përreth nesh, sepse namazi i largon veprat e shëmtuara dhe të pamoralshme. Uji i pastër është burimi i jetës, kurse namazi është themeli i fesë sonë.

Valët e liqenit tonë janë bamirësia, sadakaja dhe zekati. Kur dora është e hapur dhe i jep të varfrit dhe nevojtarit, pasuria jonë është e pastër dhe nuk ka gojë të uritura në liqen. Dhënia në rrugën e Allahut është detyrë e çdo muslimani sipas mundësive të tij.

Valët e liqenit tonë janë fëmijët tanë të mençur, të cilët i mbushin shkollat dhe mejtepet me zhurmën e tyre, duke u shkrirë si pika në liqen dhe duke dhënë forcë të re për veten dhe për ne. Çdo bari do të jetë përgjegjës për kopenë e tij; edukimi i fëmijëve është detyrë e bariut.

Valët e liqenit tonë janë xhemati dhe xhamitë. Mëshira e Allahut është mbi xhematin, kurse xhamitë janë vendet më të dashura të Allahut në Tokë.

Bartësit e shehadetit janë njerëzit. Një urtësi thotë: “Asgjë nuk mund të ndërtoni pa njeriun dhe asgjë nuk mund të ruani pa institucionin.” Ruajtësi i shehadetit është Bashkësia Islame, e cila është institucion dhe ka nevoja që disa prej tyre mund t’i plotësosh ti duke paguar anëtarësinë.

Ezani ka lindur në ëndërr, ai na zgjon nga gjumi, si nga gjumi fizik, ashtu edhe nga gjumi i harresës. Në mëngjes na zgjon duke thënë se namazi është më i mirë se gjumi, kurse në drekë, në ikindi, në aksham dhe në jací na kujton që t’i përgjigjemi shpëtimit, sepse bota tjetër është më e mirë se kjo botë (dynjaja). Me pagesën e anëtarësisë, ti zgjohesh nga gjumi dhe e largon harresën. Prandaj, paguaje antarësinë

Ku do të mësojnë fëmijët tanë të mençur për veten e tyre, si të kujdesen për prindërit, cilat janë detyrimet e tyre ndaj nënës dhe atdheut? Ku do të mësojnë fëmijët tanë të luftojnë kundër harresës? Programet shkollore të përbashkëta kanë shtyrë anash tregimet për agresionin, për krimet dhe për gjenocidin. Ku do të mësojnë ata, nëse nuk e paguan anëtarësinë? Mos u bëj pikë, bashkoju liqenit, sepse një pikë mund të fshihet me një lëvizje të thjeshtë. Mejtepi është burimi kryesor i ushqimit të liqenit, dhe nëse ky burim ndërpritet, toka do ta përthithë liqenin. Me anëtarësinë tënde, ky burim bëhet më i fortë, prandaj paguaje anëtarësinë.

Po jetojmë në kohë dhe hapësirë, ku orientimi ynë për kohën janë Dielli dhe Hëna, yjet dhe pozicioni i tyre që na tregojnë se cili moment i ditës është. Ezani ndjek pozicionin e tyre, andaj minarja është orientimi ynë për kohën. Malet dhe kodrat janë mbjellë mbi Tokë dhe lumenjtë rrjedhin mes tyre, por jo gjithmonë e dimë se ku të çon rruga, dhe cila është rruga e drejtë deri në destinacion. Xhamitë janë orientimi ynë në hapësirë; ato na tregojnë se si të arrijmë më së miri te kibla përmes maleve tona.

Pa orientim, ne jemi të humbur. Nëse bëhesh një pikë, do të humbasësh hapësirën dhe do të zhdukesh. Bashkohu me motrat e tua pika, me vëllezërit muslimanë, bëhu pjesë e Bashkësisë Islame dhe paguaje anëtarësinë. Ajo është kontributi yt për botën tjetër.

Pa të, shehadeti do të zhduket dhe me të edhe fuqia jonë; pa të, ezani do të pushojë, dhe do të na mbulojë gjumi i harresës;

pa të, mejtepet do t’i mbyllin dyert dhe fëmijët tanë do të jenë të hapur ndaj të këqijave;

pa të, kush do t’ua mësojë fëmijëve fatihanë, abdesin, namazin dhe vlerat e fesë sonë të lartë?

Pa të, nuk do të ketë Bashkësi Islame, dhe kur ajo nuk ekziston, ekziston rreziku që toka të na përthithë.

O Allahu i Plotfuqishëm, na ndihmo! Amin.

Hatib: Izet-ef. Čamdžić

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)