Mëkati është burim i fatkeqësisë

231

Allahu i Lartësuar thotë: “Çdo e mirë që të gjen ty o njeri, prej Allahut është, kurse e keqja që të godet, është prej vetes sate…” (en-Nisa’, 79).

Nga Ebu Hurejre (r.a.) transmetohet se i Dërguari i Allahut (savs) ka thënë: “Allahu i Lartësuar është i mirë dhe nuk pranon veçse të mirën. Allahu i ka urdhëruar besimtarët për atë që u ka urdhëruar edhe të dërguarve: O të dërguar, ushqehuni me ushqim të lejuar dhe bëni vepra të mira.” (Transmeton Muslimi).

Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaju: “Nuk barazohet e keqja me të mirën, edhe sikur të të habisë bollëku i së keqes…” (el-Ma’ide, 100).

Imam Gazaliu në librin e tij “Mekashefetul-kulub” transmeton nga Ka’b el-Ahbar (r.a.) se Benu Israilët i kapi një thatësirë e madhe. Musai (a.s.) iu lut Allahut të Lartësuar për shi disa herë, por shiu nuk binte. Atëherë Allahu i Lartësuar i shpalli: “Unë nuk do të ju përgjigjem në lutje, as ty dhe as atyre që janë me ty, sepse mes jush është një person që përgojon shumë.” Musai (a.s.) iu lut Mëshirëplotit: “O Zoti im, më trego kush është ai, që ta largojmë.” Zoti i botëve i tha: “O Musa, Unë ua kam ndaluar përgojimin, ndërsa ti po më kërkon Mua që të përgojoj?” Pas këtyre fjalëve, të gjithë u penduan dhe Allahu i mëshiroi duke u dhuruar shi.

Mëkatet janë shkaku pse Allahu i Lartësuar ua ndalon njerëzve begatitë. Këtë e vërteton hadithi që e transmetojnë Ahmedi dhe Ibn Maxhe: “I lutëm Allahut për mbrojtje nga pesë gjëra me të cilat njerëzit do të sprovohen, e që ju të mos i përjetoni: 1. Kurrë nuk do të paraqitet imoraliteti në mesin e njerëzve të cilët do ta bëjnë publikisht, e që Allahu të mos dërgojë që në mesin e tyre të shfaqen sëmundje ngjitëse të cilat nuk kanë qenë të njohura për brezat e tyre të mëparshme; 2. Nuk do të fillojnë njerëzit të heqin dhe mashtrojnë në peshë dhe masë, e të mos i godas uria, skamja, krizat dhe padrejtësia e sunduesve të tyre; 3. Nuk do të ndalojnë njerëzit dhënien e zekatit në pronën e tyre, e të mos u privohet shiu nga qielli, dhe po të mos ishin kafshët, shiu kurrsesi nuk do të binte; 4. Nuk do ta ndërpresin njerëzit lidhjen me Allahun dhe të dërguarin e Tij, e që Allahu të mos bëjë që mbi ta të sundojë armiku, i cili do t’ua rrëmbejë pasuritë që i kanë në posedim; 5. Dhe kur udhëheqësit e tyre nuk do të gjykojnë sipas Librit i Allahut, dhe do të zgjedhin vetëm diçka nga ajo që ka shpallur Allahu, Allahu do të bëjë që mes tyre të futet përçarja dhe grindjet.”

Lufta kundër mëkatit

Imoraliteti, mashtrimi, neglizhenca ndaj shpalljes dhe shumë mëkate të tjera janë bërë pjesë e përditshmërisë sonë. Si besimtarë, jemi të detyruar të kundërshtojmë mëkatin për të mirën e përbashkët. Hudhejfe (r.a.) transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, ose do të urdhëroni për të mirë dhe të ndaloni të keqen, ose Allahu i Plotfuqishëm do të bëjë që t’ju udhëheqin më të këqijtë prej jush, pastaj më të mirët prej jush do të bëjnë lutje, por lutjet nuk do të pranohen.” (Transmeton Tirmidhiu).

Një njeri, siç përmend Gazali në një nga veprat e tij, kishte udhëtuar 700 (shtatëqind) ditë për të arritur tek një njeri i ditur dhe i urtë, dhe e kishte pyetur:

– “Çfarë është më e rëndë se qiejt?” Ai ishte përgjigjur: “Papdrejtësia është më e rëndë se qiejt!”

E mira që na ndodh është nga Allahu. Ai, i Lartësuari, ka vendosur rend dhe ekuilibër në natyrë dhe në kozmos, dhe na ka urdhëruar që të vendosim rend edhe në shoqëri. Ky rend nuk ekziston pa drejtësi, pa respektim të ligjit dhe të të drejtave të secilit. Nëse dëshirojmë të jetojmë në një shoqëri të organizuar, në një shoqëri me njerëz të lumtur e të kënaqur, rruga drejt kësaj është që të angazhohemi të gjithë, të luftojmë për drejtësi. Shoqëri të drejta kanë ekzistuar, ekzistojnë edhe tani, ato nuk janë iluzion, nuk janë as utopike. A do të jetë e lumtur edhe shoqëria jonë, kjo varet nga ne.

– “Çfarë është më e gjerë se Toka?”, e kishte pyetur ai. Ai ishte përgjigjur: “E vërteta është më e gjerë se Toka!”

Besimtarët e thonë të vërtetën. Allahu i do ata që e duan të vërtetën. Që të mund ta ndryshojmë veten dhe mjedisin, duhet ta njohim të vërtetën dhe t’ia themi vetes të vërtetën. Askush prej nesh të mos hezitojë ta thotë të vërtetën kudo dhe kurdo. Vetëm e vërteta për ne, mund të jetë shkak i ndryshimit tonë dhe i shoqërisë sonë. Askush prej nesh të mos i ikë të vërtetës për veten, ajo do t’i shërbejë, dhe do ta nxisë që të ndryshojë. Të mos i ikim të vërtetës për veten dhe të mos e zbukurojmë gjendjen tonë për t’i justifikuar veprimet tona të pasakta.

– “Çfarë është më e pajetë se shkretëtira?”, e kishte pyetur ai. Ai ishte përgjigjur: “Zemra e jobesimtarit është më e pajetë se shkretëtira!”

Ne besojmë se do të shkojmë në atë kohë dhe në atë ambient ku njerëzit do të ndahen në besimtarë dhe jobesimtarë, në bamirës dhe mëkatarë. Besimtarët dhe bamirësit do të shpëtojnë, do të kenë jetë të mirë, ndërsa të tjerët do të qëndrojnë në ambient të Xhehenemit, ku nuk ka jetë. Atje është vuajtja.

– “Çfarë është më e nxehtë se zjarri?”, e kishte pyetur ai. Ai ishte përgjigjur: “Këmbëngulja në mëkat dhe në varësi është më e nxehtë se zjarri!”

Zjarri shkatërron gjithçka përpara vetes. Pas tij mbetet shkretëtirë. Kur në atë tokë ku zjarri ka bërë dëm bie shi, ajo ringjallet, përsëri zbukurohet me bimë të ndryshme dhe me ngjyra të ndryshme. Për dallim nga zjarri, atë që e shkatërron zilia ajo nuk rinovohet, nuk kthehet. Në hadith është thënë: “Zilia i shkatërron veprat e mira…”

“Çfarë është më e ftohtë se uji i burimit?”, e kishte pyetur ai. Ai ishte përgjigjur: “Të refuzosh ndihmën për të nevojshmin, është më e ftohtë se uji i ftohtë i burimit!”

Zemrat e besimtarëve janë të pushtuara nga nxehtësia e dashurisë për vëllanë, për njeriun. Është e vërtetë se sot në to ka hyrë dhe i ka pushtuar gjithnjë e më shumë të ftohtët, sepse po largohemi gjithnjë e më shumë nga njëri-tjetri dhe jemi gjithnjë e më pak të gatshëm t’i japim njëri-tjetrit mbështetje, të jemi shtyllë, të ofrojmë ndihmë.

– “Çfarë është më e pasur se deti?”, e kishte pyetur ai. Ai ishte përgjigjur: “Zemra besimtare është më e pasur se deti!”

Me çfarë pasurie të madhe janë të mbushura detët dhe oqeanet! Por shiko, zemra e besimtarit në të cilën ka vend për vuajtjet e të tjerëve, për nevojën e të tjerëve, në të cilën banon motivi për t’u sakrifikuar për të mirën e të tjerëve, e cila për shkak të besimit që banon në të, e nxit njeriun të jetë i pashoq, të bëjë të mirë pa u pyetur se kush do ta paguajë, sepse besimtari e di se shpërblimi më i mirë është tek Allahu, i Cili zotëron gjithçka që ka në qiej dhe në Tokë. A nuk ka thënë i Dërguari (savs) se pasuria nuk është në sasinë e pasurisë, por pasuria është në kënaqësinë e shpirtit!

– “E çfarë është më e poshtëruar se jetimi?”, e kishte pyetur ai. Ai ishte përgjigjur: “Ai që shpif, ai do të jetë më i poshtëruar se jetimi!”

Për shkak të këtij mëkati, nuk u binte shiu Benu Israilëve. Të gjithë u poshtëruan sepse lutjet e tyre u refuzuan. Ata u penduan dhe u çliruan nga poshtërimi. A është e pamundur që edhe ne të çlirohemi nga të gjitha llojet e poshtërimit dhe ta bëjmë këtë vend, që e quajmë Atdhe, vend të lumturisë për fëmijët dhe nipat tanë? Nuk është e pamundur. Duhet të duam dhe na është më lehtë të duam nëse e dimë që e mira që e shijojmë është nga Allahu, ndërsa fatkeqësitë që na godasin janë nga vetvetja.

O Allahu i Lartësuar, na ndihmo që t’i shmangim mëkatet dhe të punojmë për të mirën! Amin.

Hatib: Izet ef. Čamdžić

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)