Ai viti i largët, viti 610, ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm për njerëzimin. Në të filloi ndryshimi, dhe ky ndryshim ishte i vërtetë, i thellë, sepse ishte individual. E di që e dini se në atë vit filloi shpallja e Kuranit. Ishte Ramazan, muaji i bekuar në të cilin edhe më herët shpalljet fillonin të rridhnin drejt zemrave të njerëzve.
Ajo që Pejgamberi filloi të pranonte në natën e bekuar të Kadrit, i ndryshoi njerëzit. Njerëzit që ishin larg së vërtetës, larg vlerave njerëzore dhe universale, u ndryshuan. Omeri (r.a.) u bë ndryshe, u bë musliman. Halid bin Velidi u bë ndryshe, u bë musliman. Amr bin Asi u bë ndryshe, u bë musliman. Edhe Ebu Sufjani u ndryshua, po ashtu edhe bashkëshortja e tij, Hinda. U ndryshuan shumë njerëz. Ata ishin aq shumë, saqë Pejgamberi (s.a.v.s.) në Haxhin Lamtumirës, foli para më shumë se njëqind mijë njerëzve, të cilët Shpallja i kishte ndryshuar dhe edukuar.
Ajo që erdhi në atë vit vendimtar, kur drita e ndriçoi shpellën Hira, i ndryshoi popujt. Aty ku adhuroheshin idhujt, erdhi tevhidi. Aty ku adhurohej zjarri, erdhi tevhidi.
O vëllezër, neve na ka ardhur Ramazani. Ai na vjen çdo vit për të na kujtuar madhështinë e ngjarjes në shpellën Hira dhe fuqinë e Fjalës së Allahut, e cila gjithmonë fillonte të rridhte te njeriu në Ramazan. Edhe Ibrahimi (a.s.) i pranoi Suhufët në Ramazan. Edhe Musai (a.s.) e pranoi Tevratin, edhe Davudi (a.s.) e pranoi Zeburin, edhe Isai (a.s.) e pranoi Inxhilin, edhe Muhammedi (a.s.) e pranoi Kuranin në Ramazan.
Ramazani është i veçantë. Pejgamberi (savs) thotë se ai është muaj bekimi, lumturie dhe përparimi; thotë se në të veprat e mira shtohen dhe shumohen; thotë se kur ai fillon, ndriçohet Arshi i Allahut. I Dërguari (savs) thotë se Ramazani është një nder i jashtëzakonshëm për njeriun, madje edhe më i madh se ai që e përjetoi Musai (a.s.), kur bisedoi me Allahun e Plotfuqishëm.
Pejgamberi (savs) thotë: “Kush e agjëron Ramazanin me besim të sinqertë dhe duke bërë llogari me veten e tij, do të dalë nga Ramazani i pastër nga mëkatet.” /Muttefekun alejhi/
Ky hadith na mëson se Ramazani është muaj i ndryshimit. Në të duhet të ndodhë një ndryshim i vërtetë dhe i sinqertë, dhe i tillë do të jetë kur ti e ndryshon veten tënde. Nuk mjafton në Ramazan vetëm të agjërosh dhe të përkushtohesh në adhurime që të lirohesh nga mëkatet. Është e domosdoshme që të bësh llogari me veten, që të reflektosh dhe të ndryshosh tek vetja atë që nuk është e drejtë, që të hedhësh gjithçka që nuk përputhet me fjalën e Allahut, e cila në Ramazan rrjedh drejt zemrës tënde.
Po, është e vërtetë, në Ramazan unë i përkushtohem namazit. Nuk do ta lija asnjë namaz, sepse ky është një muaj i veçantë.
Duke agjëruar dhe falur namaz në këtë muaj të bekuar, mendoj dhe e pyes veten: pse nuk falem rregullisht në çdo ditë të vitit? Më është e qartë, kjo është një detyrë e pashmangshme. Lënia e namazit nuk mund të justifikohet me asgjë, nuk mund të zëvendësohet me asgjë. Namazi patjetër duhet të falet, kështu është shkruar në Shpalljen, që në Ramazan filloi të rrjedhë drejt zemrave tona.
Adhurimet e Ramazanit, bekimi dhe begatia e tij, e zbutën zemrën time, e hapën atë dhe fjala e Allahut më preku, ajo fjalë që në Kuran përsëritet 130 (njëqind e tridhjetë) herë duke urdhëruar namazin. Dua të lirohem nga mëkatet. Prandaj, tani në Ramazan, po bëj llogari me veten dhe po i them vetes: shumë namaze më kanë kaluar, duhet të ndryshoj dhe këtë praktikë të faljes së rregullt në Ramazan do ta zbatoj në përditshmërinë time. Çfarë është Ramazani dhe unë në të, nëse nuk ndryshoj asgjë? Vetëm ata që bëjnë llogari me veten gjatë Ramazanit do të çlirohen nga mëkatet.
Pendohu, vëlla, për atë që ke lëshuar, fjala e Shpalljes së dërguar njeriut në Ramazan dhe le të të prekë dhe, le të të ndryshojë!
Po, është e vërtetë, gjatë Ramazanit përmbahem nga mëkatet. U shmangem atyre. Jam i vetëdijshëm për veçantinë e këtij muaji dhe bekimet e tij të pafundme. Njerëzit ndalojnë së piri alkool para Ramazanit dhe gjatë Ramazanit këmbëngulin duke hequr dorë nga ky haram i madh. Shumë njerëz ndalojnë së shkuari në bastore dhe së luajturi kumar, sepse Ramazani është muaj i veçantë. Si mund të bëj mëkate kaq të rënda gjatë Ramazanit, pyet njeriu? Kur dikush fillon të përgojojë, të flasë keq ose të përdorë fjalë të pista gjatë Ramazanit, e paralajmërojmë: kujdes, se është Ramazan!
Ajo që Pejgamberi (savs) filloi ta pranonte në shpellën e Hira në atë vit fatlum për njeriun dhe në natën e Kadrit të bekuar, i ndryshoi njerëzit. Ne admirohemi me gatishmërinë e shokëve (sahabëve) të Pejgamberit për t’u ndryshuar. Kur erdhi ajeti që alkooli është haram, ata derdhen gjithçka që kishin nga ky mëkat në shtëpitë e tyre.
Për të dalë i pastër nga mëkatet pas Ramazanit, duhet të bësh llogari me veten tënde. Bëhu musliman i vërtetë dhe thuaj: unë, me shembullin e vëllezërve të mi: Omerit, Osmanit, Aliut, Halidit, Amrit, Bilalit dhe shumë të tjerëve me të cilët Allahu është i kënaqur, po e hedh mëkatin. Ramazani po më ndryshon dhe unë nuk do të kthehem tek alkooli pas tij. Në këto ditë, te zemra ime arrin fjala e Allahut, e cila thotë: “Në qoftë se ju u shmangeni gjynaheve të mëdha, që ju janë ndaluar, Ne do t’jua falim gabimet tuaja të vogla dhe do t’ju shpiem në një vend të nderuar.” /En-Nisa,31./
Unë po vendosi me vendosmëri në këtë muaj të bekuar, në të cilin edhe meleku Xhibril zbret në Tokë, në atë Natë kur filloi ndryshimi i vërtetë i njeriut, se do t’i largohem bixhozit, do t’i lë bastoret, dhe do t’i përkushtohem një jete të ndershme; do të punoj dhe do të përpiqem me zell për ta ushqyer me hallall vetveten dhe familjen time. E di që Pejgamberi (savs) ka paralajmëruar se trupi që ushqehet me haram, do të jetë lëndë djegëse për zjarrin.
Përsëritma, o i Dërguar, kush do të dalë nga Ramazani i pastër nga mëkatet? Ai që bën llogari me vetveten dhe ndryshon atë. Ai që sheh qartë se çfarë ka të keqe tek vetvetja dhe e hedh atë. Çfarë do të më vlente Ramazani nëse në të vetëm do të agjëroja dhe do të bëja ibadet dhe vetëm në të do të ruhesha nga mëkatet, ndërsa pas Bajramit, përsëri do t’i hidhesha në krahë shejtanit? Çfarë do të vlente Ramazani nëse pas tij përsëri do të lejoja alkoolin të më helmonte, dhe nëse përsëri do t’ia mundësoja haramit që të më përgatiste për zjarr!
Ajo që në Ramazanin e atij viti të rëndësishëm u nis drejt zemrave të njerëzve, bëri që shpata e Halidit, që i shërbente mosbesimit, të bëhej Sejfullah (shpata e Allahut); bëri që elokuenca dhe dija e Amrit t’i shërbejnë Islamit. Çfarë nëse dal nga Ramazani i njëjtë? Kjo do të thotë se kam jetuar sipas traditës, por fjala e Allahut nuk më ka prekur.
O Allahu i Lartësuar, na ndihmo që fjala Jote të na zgjojë nga gjumi dhe të na udhëheqë drejt ndryshimit të vërtetë. Amin!
Hatib: Izet ef. Čamdžić
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini
(Islampress)