“Kadri” nuk do të thotë nafile, por libër

363

Haris el-Hamedani ka thënë: “Hyra vetëm në xhami dhe pashë disa njerëz duke diskutuar me vrull për disa çështje, prandaj shkova tek Aliu (r.a.) dhe i thashë: ‘A nuk po e sheh që disa njerëz po diskutojnë në xhami?’ Ai ma ktheu: ‘A po e bëjnë këtë?’ I thashë: ‘Po, po e bëjnë.’ Atëherë Aliu (r.a.) tha: ‘E kam dëgjuar të Dërguarin (savs) duke thënë: ‘Do të ketë një sprovë të madhe dhe vështirësi.’ Unë e pyeta: ‘Cila është rruga e shpëtimit prej saj?’ Ai m’u përgjigj: ‘Libri i Allahut. Në të ka lajme për atë që do të vijë, tregime për atë që ka kaluar dhe gjykime për atë çfarë ndodh mes jush. Ai është i saktë, nuk ka konfuzitet, andaj duhet t’i qasemi në atë mënyrë. Kush e braktis atë, bie në zemërimin e Allahut. Kush kërkon udhëzim në diçka tjetër, Allahu atë e çon në humbje. Ai është litari i fortë i Allahut, këshilla e urtë dhe rruga e drejtë. Gjuhët e liga nuk mund ta dëmtojnë, dijetarët nuk ngopen prej tij, kurse kritikat e shumta nuk ia humbasin forcën. Mrekullia dhe admirimi i Kuranit nuk mund të shterojnë. Kur xhinët e dëgjuan atë, nuk u mbeti gjë tjetër veçse të thonë: ‘Ne dëgjuam një fjalë të mrekullueshme dhe magjepsëse.’ Ai është i tillë, kush flet sipas Kuranit, e thotë të vërtetën; kush gjykon sipas tij, gjykon me drejtësi; kush vepron sipas tij, do të shpërblehet; ndërsa kush thërret për tek ai, udhëzon në rrugën e drejtë.” (Tirmidhiu)

Jemi në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit. Në të është nata e Kadrit, nata e begatisë së pafundme, në të cilën filloi shpallja e Kuranit për njerëzimin. “Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit.” (el-Kadr, 01) Ajo natë është më e vlefshme se një mijë muaj për shkak të asaj që ka ndodhur në të. Në atë natë, u zbrit në qiellin më të afërt me Tokën, dhe prej atëherë, për 23 vite me radhë Kurani iu dorëzua njeriut. Në atë natë filloi të vijë Fjala e Pashtershme e Allahut, e cila lexohet çdo ditë dhe është e freskët për çdo gjeneratë, sepse edhe nëse të gjitha detet do të ishin bojë dhe të gjithë drunjtë të ishin lapsa, nuk do të mjaftonin për ta shkruar Fjalën e Allahut, sepse ajo është gjithëpërfshirëse – “Tibjanen li kul-li shej’in.”

Emri i këtij Libri është Kuran, që do të thotë lexim, dhe kjo tregon se mesazhi i tij është i përjetshëm. Allahu i Lartësuar në Kuran, këtë Libër e ka quajtur atë edhe me emra të tjerë. Ai na ka thënë se Kurani është NurDritë, drita që ia ndriçon rrugët e njerëzimit. Çdo rrugë tjetër përveç asaj të ndriçuar nga drita e Kuranit, është rrugë gabimi dhe humbjeje.

Pse Allahu i Lartësuar thotë se nata e Kadrit është më e vlefshme se një mijë muaj në të cilët ajo nuk është? Sigurisht për shkak të vlerës së asaj që filloi të na vijë në të. Vlera e saj nuk arrihet vetëm duke adhuruar dhe duke falur një numër të madh rekatesh nafile, por duke e forcuar dritën e rrugës që ndjekim. Kjo dritë forcohet duke i ndriçuar të tjerët me sjelljen tonë të mirë dhe me Fjalën e Allahut, dhe duke u zbukuruar me sinqeritet, drejtësi dhe përulësi…, me moral të bukur.

Libri që në natën e Kadrit filloi të rrjedhë drejt nesh është Burhan dhe Bejjan. Ai është dëshmi e qartë dhe argument i pamohueshëm. Ai na tregon qartë dhe argumenton pa kompromis se vetëm një rrugë është e drejtë, është ajo për të cilën i lutemi të Gjithëfuqishmit që të na udhëzojë, kur çdo ditë lexojmë Ihdines-siratal-mustekim.

Të ecësh në Rrugën e Drejtë, do të thotë, të bësh një të mirë të madhe për vetveten dhe jo vetëm për vetveten, por edhe të lësh pas vetes gjurmë të thellë. Ai është argument i pamohueshëm dhe i qartë në histori se, përderisa paraardhësit tanë ecnin në shtegun e së vërtetës dhe ishin të përkushtuar ndaj Allahut, për shekuj me radhë ata ishin bartës të proceseve civilizuese.

Pse i Gjithëfuqishmi ka thënë se nata e Kadrit është më e vlefshme se një mijë muaj ku ajo nuk është? Pa dyshim, për shkak të vlerës së asaj që njeriut dhe të gjitha botëve filloi t’u vinte në atë natë. Sa vlerë ka ajo? Ne e dimë që ka një vlerë të pallogaritshme kur dikush na tregon se ku është lumturia dhe shpëtimi. Ja, këtë na ka thënë i Gjithëfuqishmi në atë natë të Kadrit, prandaj ne këtë e kërkojmë në të. Kjo nuk kërkohet dhe nuk arrihet vetëm me disa rekate namaz nafile dhe me një dua, por në atë mënyrë që ta lexojmë sërish Kuranin, t’i kuptojmë mesazhet e tij, t’i pranojmë ato dhe të kthehemi në skenën botërore. Në atë skenë mund të ngjiten vetëm të shkëlqyerit, të aftët, ata që kanë diçka për t’i ofruar botës.

Libri që në natën e Kadrit filloi të rrjedhë drejt nesh është Huda – Udhëzim, është edhe Dhikër – Përkujtim. Ne vijmë në këtë botë duke mos ditur asgjë, por e kemi dëgjimin dhe shikimin, nuk dimë nga t’ia mbajmë dhe qëndrojmë të hutuar përballë sfidave, derisa dikush na thotë: ‘Ec në këtë rrugë drejt lumturisë, ec në këtë shteg drejt shpëtimit.’ Ai që na e thotë këtë është Krijuesi ynë, kurse ajo që thotë Ai është në Librin, që filloi të na vijë në atë natë të Kadrit – më të vlefshme se një mijë muaj. E nëse në atë rrugë, në të cilën na udhëzon Huda, gabojmë, harrojmë apo biem në mashtrim për një çast, ai Libër është edhe Dhikër – Përkujtim, dhe përkujtimi u bën dobi besimtarëve.

Pse nata e Kadrit është më e vlefshme se një mijë muaj ku ajo nuk është? Ka prej nesh që në atë natë do të bëjmë ibadet me përulësi, do të falim namaz nafile, do të bëjmë dhikër me zë të ulët, por prapë nesër do të jemi të prirur për mëkate, vese dhe telashe. Nuk do ta arrijmë shpërblimin e asaj nate, nuk do t’i arrijmë ata një mijë muaj, vetëm me ibadet të përulur. Kjo natë na vjen që në të, të mendojmë thellë për vetveten dhe ta pyesim vetveten: A po e ndjekim Udhëzimin dhe a po e dëgjojmë Përkujtimin?

Ai Libri që në natën e Kadrit filloi të vijë tek ne është Furkan – Ai që e ndan të vërtetën nga gënjeshtra. Allahu i Lartësuar thotë se me të, me atë Libër, erdhi e vërteta dhe u zhduk gënjeshtra, dhe me të vërtetë, gënjeshtra zhduket para tij. Para fuqisë së Fjalës së Allahut u zhduk idhujtaria, u zhdukën përçarjet dhe konfliktet midis fiseve. Ai Libër është Fjalë e Allahut, dhe asgjë tjetër nuk do të mund ta bënte këtë; ajo i bashkoi njerëzit anembanë botës dhe e krijoi një bashkësi unike – ummet-in. Ky ummet sot numëron pothuajse dy miliardë njerëz, por për fat të keq, mendon gabimisht se vlera e natës së Kadrit arrihet vetëm duke bërë ibadet dhe duke bërë dua që Allahu të na ndihmojë kundër armiqve tanë. Ibadetetet nuk na e kanë zgjidhur as konfliktin e Jemenit, as të Sirisë, as shumë të tjerë. Prandaj, në natën e Kadrit duhet të reflektojmë, sepse edhe reflektimi në të është ibadet, dhe të mendojmë se çfarë do të ndodhte sikur të ishim të bashkuar, të tubuar rreth vlerave të përbashkëta. Me siguri nuk do të ishim një gjah i lehtë për askënd, por do të ishim shembull i një shoqërie të lumtur dhe të qëndrueshme.

Në këtë natë të Kadrit na erdhi Furkani, për të na treguar se çfarë është gënjeshtra dhe çfarë është e vërteta. Ai na thotë se nuk është e vërtetë që ju, o ummet, mund të keni mbrojtës tek dikush tjetër; na thotë, o ummet, ju për vetën tuaj jeni mbrojtje e mjaftueshme, nëse jetoni sipas asaj që erdhi në natën e Kadrit.

Kurani është Rahmet, ai është ShifaIlaç. Ai e shëron individin dhe e shëron shoqërinë nga çdo sëmundje dhe nga çdo shtrembërim. Që njeriu të shërohet, që shoqëria të shërohet, që ummeti të forcohet, duhet ta marrë ilaçin. Duhet ta marrë atë sipas udhëzimit të Mjekut. Allahu i Lartësuar na thotë: “Dhe, kur ta lexojmë atë, ti përcille leximin e tij!” (el-Kijame, 18), sepse: “Në të vërtetë, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e mira dhe u jep lajmin e gëzuar besimtarëve, që bëjnë vepra të mira, se ata do të kenë shpërblim të madh.” (el-Isra’, 9).

Për veprën e mirë vjen shpërblimi, pa ato vepra, pa e jetuar fenë, sado nafile që të falim në natën e Kadrit, nuk do ta arrijmë qëllimin e dëshiruar, kurse qëllimi ynë është dinjiteti dhe lumturia këtu në këtë botë, dhe rahmeti dhe shpëtimi i Allahut në botën tjetër.

O Allahu i Plotfuqishëm, të lutemi na ndihmo! Amin.

Hatib: Izet ef. Čamdžić

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)