Tregohet se një pulë qëndroi para një skifteri që zbriti në tokë dhe i tha: “Pse po fluturon kaq lart dhe po jeton në vende të larta, a nuk e sheh që ju skifterët jeni pak? Por, eja hyr me mua në kafaz ku të tjerët na ushqejnë dhe, as nuk lodhemi duke fluturuar, as nuk ka ujk që të na kërcënojë.”
Skifteri qeshi me të madhe dhe tha: “Kur fluturon lart ndjen ngazëllim krenarie, dinjiteti dhe lartësimi; kur jeton në lartësi të gjithë ta kanë zili, dhe kur e ha atë që e fiton me mundin tënd, në të e gjen kuptimin e jetës. A nuk e sheh se ai që të ushqen me mbetjet e ushqimit të tij i ther fëmijët e tu, të merr vezët dhe të mbyll gjithë kohën me justifikimin se do të të mbysë ujku?!”
Pula qeshi dhe tha: “Po flet fjalë të pakuptimta siç janë ngazëllimi – krenaria – dinjiteti – fisnikëria – jeta, ti pa dyshim je i çmendur.”
Skifteri i tha: “Unë po e kuptoj plotësisht atë që po thua, sepse ti ke lindur në kafaz dhe po jeton në kafaz, dhe ti, nuk mund ta kuptosh atë që po them unë. Ai që është rritur me krenari dhe dinjitet që në fëmijëri nuk mund të krahasohet me atë që është rritur me poshtërim në rini, dhe ai e konsideron poshtërimin kënaqësi edhe kur të rritet.”
Krenaria, vetërespekti dhe ndjenja e nderit janë cilësi të jashtëzakonshme që i posedojnë personalitetet e mëdha, besimtarët e sinqertë, pronarët e vlerave të vërteta dhe parimeve të forta.
Vetërespekti është e kundërta e poshtërimit dhe përulësisë, kurse i poshtëruar dhe i përçmuar është ai njeri që pranon të poshtërohet dhe të nënçmohet nga çdo gjë dhe në çfarëdo lloj mënyre, sepse kjo është veçori e njerëzve të dobët dhe të pavlerë, të pa krenari dhe pa dinjitet.
Vetërespekti i sjell pronarit të tij reputacion dhe respekt në shpirtrat dhe zemrat e njerëzve të tjerë dhe i jep atij imunitet psikologjik dhe ndjenjë nderi, dhe e pengon që ta sjellë veten në situata që janë fyese dhe poshtëruese për të ose të tjerët.
Krenaria, dinjiteti dhe burrëria janë fortesa të rezistencës kundër padrejtësisë, tiranisë dhe shtypjes, si dhe fortesa të luftës për liri dhe pavarësi.
Fatkeqësisht, sot popujt muslimanë janë të kënaqur me statusin poshtërues, për të mos thënë skllavërues, dhe u pëlqen që dikush t’i kontrollojë dhe të sundojë mbi ta, sikur nuk u lejohet të jetojnë përveçse nën kontroll, poshtërim dhe shtypje.
Është gjithashtu e gabuar të thuhet se sundimtarët tiranë të sotëm i kontrollojnë popujt muslimanë vetëm me forcën e kamxhikut, hekurit dhe zjarrit. Një pohim dhe mendim i tillë demantohet nga realiteti ynë që na tregon se popujt muslimanë sot janë mësuar me shtypje dhe poshtërim, dhe se ata i duartrokasin dhe i shprehin mirëseardhje çdo sundimtari, pavarësisht tiranisë së tij, shtrirjes së korrupsionit, zullumit dhe padrejtësisë në shoqëri.
Poshtërimi thjesht është ngulitur në mendjet e tyre, kështu që është jashtëzakonisht e vështirë që dikush t’i çlirojë nga ajo që ata vullnetarisht pranojnë dhe nga ajo që shpirtrat e tyre dëshirojnë, sepse ata kanë zgjedhur poshtërimin dhe shtypjen në vend të krenarisë, lirisë dhe dinjitetit.
Nëse populli nuk e konsideron sundimtarin përgjegjës për padrejtësinë e kryer, nëse nuk e pengon në zullumin e tij dhe nuk qëndron me guxim dhe vendosmëri në rrugën e devijimeve, trazirave dhe korrupsionit të tij, kjo do ta inkurajojë atë që të vazhdojë në padrejtësinë, dhunën dhe tiraninë e tij, dhe do t’ia zgjasë jetën regjimit të tij të korruptuar.
Sa herë që populli e duartroket sundimtarin përkundër padrejtësisë, korrupsionit dhe rrëmujës që ai bën, ai bëhet edhe më arrogant dhe vazhdon me padrejtësinë, shtypjen dhe tiraninë e tij.
Prandaj, një nga shenjat e vitalitetit të një populli është që ta pengojë sundimtarin tiran në zullumin dhe tiraninë e tij. Dhe nëse nuk e bën këtë, mund t’i thotë lamtumirë drejtësisë, lirisë, paqes dhe një jete të begatë, dhe përveç kësaj, do të jetë bashkëpunëtor në zullumin dhe tiraninë e tij dhe, do t’i bartë pasojat e bashkëpunimit të tij në këtë mëkat të madh, edhe në këtë botë edhe në botën tjetër.
Transmetohet se Ebu Bekri (r.a.) ka thënë: “O ju njerëz, ju po e lexoni këtë ajet: “O besimtarë! Ju keni përgjegjësi vetëm për veten tuaj! Ai që është i humbur nuk mund t’ju dëmtojë, nëse jeni në rrugë të drejtë. Tek Allahu do të ktheheni të gjithë e do t’ju lajmërojë për atë që keni punuar.” (el-Mâ’ide, 105.), kurse unë e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (savs) duke thënë: “Nëse njerëzit e shohin një dhunues (tiran) dhe nuk e pengojnë në zullumin e tij me forcë, kam frikë se dënimi i Allahut do t’i përfshijë të gjithë.” (Ebu Davudi dhe Tirmidhiu) Në një transmetim tjetër thuhet: “Nëse umeti im sheh një zullumqar dhe nuk vepron kundër tij (nuk e ndalon atë nga shtypja dhe tirania e tij), dënimi i Allahut do t’i përfshijë të gjithë ata.“
Allahu i Plotfuqishëm e jep shembullin e Faraonit, i cili ishte tirani më i madh i kohës së tij, i cili i shtypte njerëzit dhe u bënte padrejtësi atyre dhe pretendonte se ishte zot, siç thuhet në ajetet: “A e ke dëgjuar (o Muhamed) historinë e Musait? – Zoti i tij e thirri në luginën e shenjtë të Tuvas dhe i tha: – “Shko te Faraoni, se ai, me të vërtetë, ka kaluar çdo kufi; – dhe thuaji: “A do ta pastrosh veten, – dhe të të udhëzoj te Zoti yt, që t’i frikësohesh?” – Musai ia tregoi mrekullinë më të madhe, – por ai (Faraoni) e mohoi dhe e kundërshtoi. – Pastaj i ktheu shpinën, duke u përpjekur (kundër së vërtetës) – dhe tuboi njerëzit e u deklaroi: – “Unë jam zoti juaj më i lartë!” (En-Nazi’at, 15-24)
Ai i ka dhënë vetes autoritet për të ndërhyrë në mendimet dhe mendjet e njerëzve dhe e ka bërë veten qendër të gjithësisë, në mënyrë që pa lejen e tij të mos ketë asnjë vepër, as fjalë, madje as mendim. Prandaj, kur magjistarët besuan në Allahun, ai thirri: “Ju guxoni ta besoni Atë pa lejen time…?!” (El-A’raf, 123)
Faraoni ishte tiranë dhe të dhunshëm në Tokë, por problemi është se populli i tij i duartrokiste me frikë dhe shpresë në afërsinë dhe mëshirën e tij. Ata pajtoheshin me të në veprimet e tij, i tregonin besnikëri dhe i bindeshin pavarësisht korrupsionit dhe tiranisë së tij, duke pritur që të merrnin grimca të dynjasë dhe të ishin të sigurt nga e keqja e tij.
Mirëpo, këto shfaqje të nënshtrimit e shtynë Faraonin që t’i përçmonte dhe t’i përqeshte ata njerëz që i ishin nënshtruar atij në padrejtësi dhe zullum, kështu që ai nuk u dha atyre asnjë rëndësi, as nuk u kushtoi vëmendje, por vetëm e shtot tiraninë, dhunën dhe shtypjen e tij.
Heshtja e popullit të Faraonit për padrejtësinë, tiraninë dhe mosbesimin e tij i bëri ata mëkatarë, sipas fjalëve të Allahut: “Kështu, ai e mashtroi popullin e vet. Ata iu nënshtruan atij, sepse ishin vërtet një popull i pabindur. – E, kur na zemëruan, Ne u hakmorëm ndaj tyre dhe i fundosëm të gjithë. – Ne i bëmë ata shembull dhe mësim për popujt e mëvonshëm.” (Ez-Zuhruf, 54-56)
Çështja nuk u ndal me konfirmimin e fajësisë dhe bashkëpunimit të tyre në dhunën faraonike, por edhe njerëzit e thjeshtë, së bashku me Faraonin dhe parinë e tij, u ndëshkuan duke u mbytur në valët e detit, sepse heshtën për dhunën dhe padrejtësinë.
Prandaj, popujt muslimanë duhet të marrin një vendim përfundimtar nëse duan të jenë shqiponja apo do të vazhdojnë të jenë “pula“. Nëse duan të jenë shqiponja, dhe kjo është aspiratë natyrale e besimtarëve të sinqertë, atëherë ata duhet ta shkundin pluhurin nga krahët e tyre dhe të fluturojnë lart për të përqafuar lartësitë qiellore dhe, duhet të lëvizin për të shkulur rrënjësisht padrejtësinë dhe tiraninë në shoqëritë muslimane, sepse është e ndaluar të heshtet ndaj devijimit të qartë nga rruga e Islamit nga sundimtarët muslimanë dhe ndaj tiranisë dhe padrejtësisë së tyre dhe, sepse heshtja nuk do ta ndryshojë realitetin tonë të hidhur, por vetëm do ta rrisë guximin dhe vendosmërinë e shtypësve për të këmbëngulur në tiraninë dhe padrejtësinë e tyre. https://saff.ba//…
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini
(Islampress)