Shkruan: Shejh Muhamed el-Gazali
Kujt do t’i pranohet agjërimi? Baza e të gjitha veprimeve dhe punëve të besimtarit është që t’i bëjë ato vetëm për hir të Allahut, duke shpresuar shpërblimin e Tij në Ahiret. Çfarë nënkuptojnë fjalët e Allahut në hadithin kudsij: „Agjërimi është i Imi dhe Unë do të shpërblej për të?“
Dijetarët islamë kanë thënë se agjërimi është përmbajtje dhe abstenim nga disa dëshira dhe pasione të caktuara. Përmbajtja mund të nënkuptojë përgjigje ndaj urdhrit të Allahut, ose mund të jetë thjesht imitim i asaj çfarë bëjnë njerëzit, ose mund të shoqërohet me sarkazëm, me sjellje të keqe dhe argumentim që e anulon shpërblimin e agjërimit. Për disa vetmitarë dhe asketikë, agjërimi mund të nënkuptojë forcimin e vullnetit dhe ushtrim për forcimin e vendosmërisë dhe zbutjen e dëshirave trupore.
Agjërimi i vërtetë që do të pranohet tek Allahu është që besimtari t’i frenojë dëshirat dhe epshet e tij, duke kërkuar kënaqësinë e Allahut dhe të jetë i lumtur në bindje ndaj Allahut dhe vullnetit të Tij. Prandaj, në një hadith kudsij të transmetuar nga imami Buhari, në vazhdimin e hadithit, thuhet: „Ai (agjëruesi) e lë ushqimin, pijen dhe dëshirat e tij për hatrin Tim.“
Agjërimi këtu është praktikisht kujtim dhe madhërim i Allahut, luftë e shpirtit për të qenë pranë Allahut, dhënie përparësi dëshirave të shpirtit mbi kërkesat e trupit, synim drejt qiellit në kohën kur shumë njerëz janë të lidhur me Tokën dhe të ngulitur në të. Është edhe disfatë e logjikës së materies e cila është tipar i civilizimit modern që i shtyn masat drejt vetëadhurimit dhe kënaqësive.
Kuptimi i kësaj është që agjërimi nuk është vetëm përmbajtje nga ushqimi dhe pija. Përkundrazi, në një hadith të saktë thuhet se i Dërguari i Allahut (savs), ka thënë: “Kush nuk heq dorë nga gënjeshtra dhe veprimi sipas saj, Allahut nuk i nevojitet lënia e ushqimit dhe pijes së tij.” (Buhariu)
I Dërguari i Allahut (savs), ka thënë: “Agjërimi është mburojë! Kur ndonjëri prej jush të agjërojë, le të mos flasë fjalë të këqija as të mos e ngritë zërin. Nëse dikush e ofendon ose grindet me të, le të thotë: ‘Unë jam agjërueshëm!’” (Buhariu)
Dëshira për hakmarrje dhe ndëshkim ndaj atij që i ka bërë padrejtësi mund të jetë e fuqishme, veçanërisht tek ata që kanë dinjitet dhe respekt, prandaj le ta përmbajë besimtari zemërimin e tij dhe t’i japë përparësi Zotit të tij dhe Ahiretit. Nëse ka arritur ta mposhtë dëshirën për ushqim, le ta mposhtë edhe dëshirën për hakmarrje.
Sipas mendimit tim, gënjeshtra dhe përgojimi e anulojnë agjërimin. Megjithatë, shtrohet pyetja: “A duhet që gënjeshtari ta kompensojë ditën e agjërimit në të cilën ka gënjyer, ashtu si edhe ai që ka përgojuar dhe shpifur kundër muslimanëve të tjerë?” Dijetarët islamë (fekihët) thonë se shpërblimi i tij është i humbur, por nuk është i detyruar ta kompensojë atë ditë.
Do të doja që ta kishim ashpërsuar qortimin tonë ndaj atyre që shpifin dhe sulmojnë nderin e muslimanëve, në mënyrë që të ndalej guximi i tyre ndaj këtij muaji të bekuar dhe të përmirësohej respekti i tyre. Sepse, Ramazani ka vend të veçantë në jetën dhe historinë e umetit islam që duhet vlerësuar dhe respektuar. Ai është lidhja shpirtërore e mbetur midis Allahut dhe robërve të Tij. Në të është shpallur Kurani Famëlartë, i cili vazhdimisht lexohet dhe studiohet, dhe netët e tij kalohen në namaz dhe adhurim. Në këtë muaj konfirmohet uniteti i umetit islam, kur të gjithë muslimanët ndërpresin agjërimin pas perëndimit të diellit dhe me syfyr përgatiten për ditë të re agjërimi.
Ramazani në historinë tonë është muaj kujtimi për beteja të mëdha dhe fitore, dhe këto kujtime shtrihen nga gjenerata e parë e muslimanëve deri në ditët tona. Mendoj se të shtënat nga topat në kohën e iftarit (diku edhe në kohën e syfyrit) janë aludim për historinë e kësaj lufte dhe mbrojtjen e së vërtetës.
Ebu Hurejre (r.a.) transmeton se që i Dërguari i Allahut (savs) ka thënë: „Umetit tim i janë dhënë pesë gjëra në muajin Ramazan, që nuk i janë dhënë asnjë populli para tyre: 1. Era që vjen nga goja e agjëruesit është më e mirë tek Allahu sesa aroma e miskut; 2. Melekët bëjnë istigfar (kërkojnë falje) për ta deri sa të bëjnë iftar; 3. Shejtanët e mallkuar lidhen me zinxhirë dhe nuk janë në gjendje të lëvizin lirshëm (të shkaktojnë telashe) si jashtë këtij muaji; 4. Allahu i Plotfuqishëm, çdo ditë e zbukuron Xhenetin e Tij dhe i thotë atij: ‘Vetëm se robërit e Mi të sinqertë, që përballen me vështirësi dhe sfida, ende nuk kanë hyrë në ty!’; 5. Natën e fundit të Ramazanit u falen gjynahet!” Dikush pyeti: “A është kjo Nata e Kadrit?” I Dërguari i Allahut (savs) u përgjigj: “Jo, sepse punëtori e merr shpërblimin e tij vetëm pasi ta ketë përfunduar plotësisht punën!” (Transmeton Ahmedi)
Falja e mëkateve nënkupton dy gjëra: e para është falja e mëkateve në Ahiret, kurse e dyta është që të fshihet njolla e tyre e errët në zemrën e njeriut, kështu që ajo bëhet e pastër dhe e bardhë. Besimtari e ndjen këtë fshirje në fund të muajit të Ramazanit me fuqinë e kthimit të tij të sinqertë ndaj Allahut. https://saff.ba//…
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini
(Islampress)