Imam Buhariu në Sahihun e tij transmeton një hadith nga Ibrahimi, biri i Abdur-Rrahman bin Avf-it, i cili ka thënë: “Njëherë iu soll ushqimi Abdur-Rrahman bin Avf-it (r.a.), ndërsa ai ishte agjërueshëm. Abdur-Rrahmani hodhi një vështrim mbi ushqimin (që ia kishin sjellë për iftar) dhe tha: ‘Mus’ab bin Umejri është vrarë, e ai ishte më i mirë se unë. Kur deshëm ta mbështillnim në qefin, nuk kishim asgjë tjetër përveç një cope të vetme pëlhure. Nëse ia mbulonim kokën, i zbuloheshin këmbët, e nëse ia mbulonim këmbët, i zbulohej koka. Hamza bin Abdul-Mutallibi u vra, e ai ishte më i mirë se unë. Pas tyre, neve na u hap dynjaja dhe Allahu na dha të gjitha këto mirësi që kemi sot. Frikësohem se mos shpërblimi ynë është përshpejtuar (dmth., që po na jepet në këtë botë, ndërsa Allahu e di çka na pret në Ahiret)’, dhe pastaj e refuzoi ushqimin.”
Sahabiu i nderuar, Abdur-Rrahman bin Avf (r.a.), nuk i harroi vëllezërit e tij dëshmorë të Uhudit, dhe refuzoi të hajë ushqimin edhe pse ishte agjërueshëm, nga frika se mos i mohohet shpërblimi i ahiretit për të cilin aq shumë kishte dëshirë, edhe pse ishte një nga dhjetë sahabët të cilëve u ishte premtuar Xheneti, derisa ende ecnin në këtë dynja të pluhurosur.
Prandaj, le të jetë ky shembull nxitje për ne që kurrë të mos i harrojmë dëshmorët tanë, bijtë më të mirë të vendit tonë, të cilët dhanë jetët e tyre për mbrojtjen e atdheut, fesë dhe lirisë sonë. Po ashtu, le të jetë edhe nxitje që kurrë të mos i harrojmë dëshmorët e Gazës, sepse dëshmorët nuk vdesin nga vdekja e tyre, por nga harresa jonë për ta.
Nëse i harrojmë, kjo do të thotë se jemi të kënaqur që ata të vriten dy herë: herën e parë nga dora e armikut të urryer, dhe herën e dytë nga harresa jonë. Duhet të kemi frikë se ai që i harron muslimanët e vrarë të Gazës, shpejt do t’i harrojë edhe vrasësit dhe kriminelët. E kush i harron vrasësit dhe kriminelët, është gjithashtu i dënuar të vdesë nga dora e tyre, ashtu si ata që tashmë janë mbuluar nga pluhuri i harresës sonë.
Mendimet tona duhet të jenë gjithmonë me muslimanët e Gazës, dhe asnjë çast nuk guxojmë ta harrojmë agresionin sionist dhe gjenocidin që po bëhet mbi muslimanët e Gazës.
T’i kujtojmë muxhahidët e Gazës, ata që edukohen në hallka të Kuranit, ndërsa ne e humbasim kohën në debate të kota dhe grindje ndërmjet veti.
T’i kujtojmë shehidët e Gazës, luanët e patrembur që për ditë e për vite hapnin tunele, ndërsa ne e kalonim kohën në lojëra dhe zbavitje.
Kurrë të mos i harrojmë muslimanet e përdhunuara dhe të vrara të Gazës, dhe mijëra fëmijë që mbetën nën rrënojat e Gazës, e cila është shndërruar në varrezë masive.
Le të na jenë gjithmonë në mendje muxhahidët dhe shehidët e Gazës, ata që, në kushte pothuajse të pamundura, krijonin armë me duart e tyre, ndërsa vendet e pasura arabo-muslimane dhe regjimet e tyre importojnë dhe blejnë armatim të vjetruar nga armiqtë më të mëdhenj të islamit dhe muslimanëve.
Mos t’i harrojmë ata që derdhën gjak dhe lot, dhe që sakrifikuan jetët e tyre për jetën, lirinë dhe nderin e islamit dhe të muslimanëve. Ata, zëri i të cilëve nga varreza masive që quhet Gaza, e thërret ummetin islam të fjetur dhe porosit: “O muslimanë, a keni harruar se heqja dorë dhe sakrifica në rrugën e Allahut është moto e çdo muslimani të sinqertë, dhe se muslimani i sinqertë nuk guxon të jetë i kënaqur me jetën në poshtërim dhe shtypje?! Ai që e harron këtë, ditët që vijnë do ta detyrojnë të kujtohet, por atëherë nuk do t’i mbetet shumë kohë, do të vdesë me dhimbje në zemër, sepse ka harruar.” https://saff.ba//…
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini
(Islampress)