Ndër emrat e bukur të të Gjithëfuqishmit është edhe el-Musavvir – Ai që u jep formë krijesave. E kuptojmë se një nga dëshmitë e ekzistencës dhe madhështisë së Tij është pikërisht fakti që nuk ekzistojnë dy njerëz të njëjtë, as dy krijesa të njëjta. Çdo gjë është unike, e veçantë dhe origjinale – dhe vetëm Krijuesi i Plotfuqishëm është në gjendje ta bëjë këtë. Ashtu siç jemi të ndryshëm në pamje dhe formë, ne edhe në synimet dhe karakteret tona ndryshojmë. Të dyja këto lloj dallimesh – si në dukje ashtu edhe në sjellje – janë të dukshme dhe të qarta.
Kur bëhet fjalë për dallimin e dytë, ky që shfaqet në sjellje, ekzistojnë tri lloje njerëzish:
- Të sinqertët dhe të afërtit me Allahun – ata për të cilët durimi (sabri) është gjendje e përhershme.
- Ata që ndjekin epshin dhe dëshirën – tek të cilët mbizotërojnë instinktet shtazore dhe që nuk bëjnë përpjekje për t’i kontrolluar ato. Shejtani i udhëheq nëpër jetë – ata janë mëkatarë.
- Ata që zhvillojnë luftë të vazhdueshme midis të mirës dhe të keqes – ata janë muxhahidinë, luftëtarë në rrugën e Allahut. Kjo luftë nuk është e lehtë. Përkundrazi, nga beteja e Bedrit e dimë se ky është në fakt xhihadi i madh – më i madh se vetë lufta e Bedrit.
Njeriu është trup dhe shpirt. Rruga e fesë sonë është rruga e mesme. Në këtë rrugë punohet njëkohësisht për Dunjanë dhe Ahiretin, njëkohësisht ushqehet trupi dhe shpirti. Që njeriu të ketë sukses në të dy botët, feja e mëson atë të përpiqet, të bëjë përpjekje, dhe sabri duhet të jetë cilësi e tij e qëndrueshme dhe e fortë.
Meqenëse ekzistojnë dy botë, dhe njeriu është edhe trup edhe shpirt, ekzistojnë edhe dy lloje të sabrit:
- Fizik – që shfaqet përmes punës së rëndë dhe durimit ndaj goditjeve dhe dhimbjeve.
- Shpirtëror – që jetohet përmes vetëpërmbajtjes, përkundër dëshirave dhe instinkteve natyrore.
Për këtë të fundit na nxit hadithi: “Imani është sabri.”
Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Sabri është gjysma e besimit”, ndërsa Imam Gazaliu, duke komentuar këtë hadith, thotë: “Besimi është i ndarë në dy pjesë: njëra gjysmë është sabri – durimi, ndërsa gjysma tjetër është shukri – falënderimi.”
Brenda njeriut banon instinkti shtazor, epshi dhe dëshira. Ekzistojnë njerëz që u janë dorëzuar plotësisht këtyre dhe janë bërë robër të trupit të tyre. Ata janë zhytur në çdo lloj mëkati, sepse i shërbejnë vetëm një qëllimi – kënaqësisë së kësaj bote (dunjasë).
Besimtari nuk është i tillë. Ai, brenda kufijve të lejuar – dhe feja jonë është në përputhje me natyrën tonë – i përmbush dëshirat dhe nevojat e veta, por edhe heq dorë, sakrifikon, lufton kundër çdo gjëje që i bën dëm atij ose të tjerëve. Ai lufton kundër çdo gjëje që sjell kaos dhe prishje në shoqëri. Gjysma e besimit tonë është sabri – e ai në thelb është vetëpërmbajtje.
Gjysma tjetër e besimit është falënderimi – shukri. Ky falënderim shprehet përmes zbatimit të urdhërave të Allahut – sidomos atyre që janë themeli, kushtet dhe shtyllat e fesë sonë. Shukri jetohet dhe shprehet përmes:
- abdesit
- namazit
- agjërimit
- ndarjes së pasurisë (sadakë, zekat)
- haxhit
- adhurimeve vullnetare
Këto adhurime ushqejnë shpirtin e njeriut dhe e bëjnë të aftë që t’i jetojë të dy llojet e sabrit:
- Sabri fizik, duke u përpjekur të fitojë hallall dhe të mos varet nga njerëzit.
- Sabri shpirtëror, duke luftuar që kurrë të mos bie në dëshpërim.
Amër bin Othmani ka thënë: “Sabri është të qëndrosh fort në zbatimin e urdhrave të Kuranit dhe Sunetit.”
Na ishte Ramazani. Ai nuk ishte për të na lodhur apo për të na munduar, por për të na forcuar, për të na bërë më të qëndrueshëm dhe më të durueshëm. Heqëm dorë nga shumë gjëra. Trupi ynë duroi. Adhuruam – dhe në ato adhurime, falë veçantisë së kohës dhe atmosferës, gjetëm kënaqësi.
Tani që Ramazani ka kaluar, me ne duhet të mbesin frutat e sakrificës dhe të adhurimeve tona. Nuk e di sa prej nesh i përkasin atij grupi të parë – siddikun dhe mukarrebun, të sinqertët dhe të afërtit me Allahun, për të cilët sabri është gjendje e përhershme. Besoj – pak.
Nëse kemi qenë pjesë e atyre që i kanë dhënë përparësi trupit dhe e kanë lënë shpirtin të uritur, le të nxitojmë drejt grupit të tretë. Të shtyrë nga adhurimet e Ramazanit dhe të edukuar përmes tyre, të përfshihemi në një luftë të vazhdueshme kundër instinkteve, kundër shejtanit – të bëhemi muxhahidë.
Ekuilibri është rruga jonë. Ramazani ishte për të na treguar se ky ekuilibër është i mundshëm.
O Allahu i Lartësuar, na pajis me sabër, që të qëndrojmë të palëkundur në rrugën Tënde, si fizikisht ashtu edhe shpirtërisht. Amin!
Hatib: Izet ef. Čamdžić
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini
(Islampress)